Grupi Parlamentar Socialist protestë ndaj vendimit të Byrosë, maska në fytyrë Kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi

Grupi Parlamentar Socialist protestoi pasditen e sotme përpara Kuvendit të Shqipërisë, ndaj vendimit të Byrosë për përjashtimin dy javë nga seancat parlamentare të deputetit Taulant Balla dhe për paralajmërimin e deputetit Saimir Tahiri. Kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, tha se kjo mazhorancë që vodhi votat, kjo mazhorancë që nuk lejon të bëhet transparenca, kjo mazhorancë që po uzurpon institucionet e pavarura. “Kjo mazhorancë që po deformon shtetin e së drejtës, kjo mazhorancë më së fundi dhunoi opozitën duke i mbyllur gojën. Pra kjo mazhorancë që luftoi të përçajë opozitën, kjo mazhorancë që luftoi të shesë apo të blejë opozitën, kjo mazhorancë më së fundi vendosi t’i mbyllë gojën opozitës. Ja pse ne jemi këtu. Ja pse ne e quajmë dënimin e kolegëve tanë një dënim politik që i bëhet fjalës së lirë të opozitës”, u shpreh Ruçi. Ai ftoi të gjithë kolegët deputetë socialistë që të mbajnë 1 minutë heshtjeje për fjalën e lirë të ndaluar nga kjo mazhorancë ilegjitime. Në ato momente deputetët vendosën maska të zeza në fytyrë në shenjë proteste ndaj vendimit të Byrosë së Kuvendit.