Grupi demokrat i jep “OK” dekretit të Presidentit
Grupi parlamentar demokrat do të votojë emrin e Bujar Leskajt i dekretuar nga presidenti Topi si kreu i ri i KLSH-së. Kandidiatura e ish deputetit demokrat është hedhur në diskutim gjatë mbledhjes së grupit parlamentar menjëherë pas pjesë së hapur për median. Sipas burimeve brenda këtij grupi Bujar Leskaj ka marrë pëlqimin e ish kolegëve të tij dhe të shefit të mazhorancës dhe pritet që ky pëlqim të konkretizohet me votë që nga diskutimi në komsisionin e ekonomisë dhe më pas në seancën plenare.
Kjo do të thotë se pavarësisht votës kundër, të deklaruar nga opozita për Leskajn çështja e 71 votave pro duket se është e zgjidhur. Në pjesën e hapur për mediat kryeministri Berisha është fokusuar tek rezualtet e vizitës në Francë, duke vlerësuar sidomos interesin e investitorëve francezë për të investuar në vendin tone, sidomos në fushën e energjisë së rinovueshme.
Ndërkaq shefi i mazhorancës siguroi se qeveria do të punojë me të gjitha kapacitetet e nevojshme për sa i përket proçesit të integrimit të vendit. Berisha tha se refuzimi i statusit për dy vjet rresht erdhi nga bojkoti i opozitës, e cila u përpoq të pengonte qeverinë në punën e saj, por që faktikisht tha ai bllokoi vendin në këtë rrugë.