Grupi i Dialogut ende pa rezultat, deputetët nuk dorëzojnë asnjë dokument

Grupi i Dialogut rrezikon të dështojë me reformën zgjedhore.
Pavarësisht apelit të vazhdueshëm të ndërkombëtarëve dhe Komisionerit Shtetëror, deputetët nuk kanë gati asnjë draft, që siguron publikun se do të ketë një reformë ligjore për zgjedhje më të mira se të shkuarat.
Ekspertët e komisionit të përcaktuar nga vetë partitë dhe deputetët janë larg konsensusit për çështje të nxehta, si vota e diasporës, votimi dhe numërimi elektronik në disa qarqe njëherësh, rritja e masave për ndëshkimin e krimit zgjedhor dhe më e rëndësishmja, kontrolli i financave dhe fushata në medie e partive.
Në datën 15 qershor, sipas kalendarit që kishin miratuar vetë deputetët, do të duhej të ishin dorëzuar projektet përfundimtare të grupeve parlamentare, duke i hapur rrugë diskutimit në Komisionin e Ligjeve, për sa kohë komision të reformës zgjedhore nuk ka.
“Projektligji duhet të depozitohet në Kuvend jo më vonë se data 1 korrik 2024”, thuhej në variantin fillestar të Grupit të Dialogut, gjë që duket e pamundur kur nga data 17 deri 24 qershor deputetët nuk do të jenë në zyra për shkak të javës së gjelbër.
Ata që nuk u dëgjuan asnjëherë që kur u ngrit kjo strukturë e re janë grupi i ekspertëve teknikë, të cilët sipas marrëveshjes harton tekstin e dispozitave të reja të projektligjit sipas kalendarit dhe ia paraqet ato për diskutim dhe miratim Grupit të Dialogut.
Në përfundim të mbledhjes së grupit reflektohen në tekstin e dispozitave përkatëse amendamentet e dakordësuara.
Gazetare: Sonila Agostini
/rtsh.al/