E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i PS-së: Më 14 maj, protestë më e madhe se ajo e 30 prillit

Ora 10:45
Nis protesta e opozitës në bulevardin "Dëshmoret e Kombit". Deputetja socialiste Vasilika Hysi hap mitingun duke deklaruar vendosmërinë për të vazhduar betejën për votën e lirë.

Ora 11:25
Gjatë momentit kur në podium po fliste deputeti Eduard Shalsi, stafi i grevës lajmëron se një grevistë është në gjendje të rëndë shëndetësore. Mes brohoritjeve, ekipi mjekësor nxjerrë me barela grevisten Elisa Spiropali të cilën e çojnë me urgjencë në spital.

Ora 11:35
Kreu i PDS-së Paskal Milo nga podiumi i protestës deklaron se kryeministri Berisha ka 48 orë kohë për të zgjidhur krizën politike në vend. Sipas tij, opozita do të presë deri të martën pasdite për një përgjigje përfundimtare për kërkesat e saj.

Ora 12:05
Këngëtarja Elsa Lila merr fjalën në protestën e opozitës dhe deklaron se do i bashkohet grevës së urisë për transparencën e votës. Lila hynë në grevë pasi takohet me gjithë drejtuesit e opozitës, ndërsa në çadër pritet me lule nga grevistët e tjerë.

Ora 12:10
Kreu socialistë përshëndet protestuesit e mbledhur në bulevard, ndërsa deklaron edhe një herë se opozita nuk do të heqë dorë nga përpjekja e saj për hetimin e zgjedhjeve të shkuara.

Ora 12:20
E ëma e kryetarit të PS-së Edi Rama, Aneta mbërrin në një nga lokalet që ndodhen në ndërtesat përbri bulevardit dhe prej aty ndjek fjalimin e të birit. Ajo ka qëndruar aty deri në përfundim të mitingut.

Ora 14:20
Mblidhet grupi parlamentar socialistë dhe diskuton mbi situatën e krijuar dhe strategjinë e mëtejshme të protestës. Grupi vendos që të organizojë një protestë tjetër të madhe më datën 14 maj, ndërsa do të nisë dhe mosbindjen civile në të gjitha rrethet.

Ora 16:03
Grevisti nga Kukësi Kujdesim Basha dërgohet me urgjencë në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin "Nënë Tereza". Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua në ditën e 9 të grevës së urisë.

Ora 16:25
Kreu socialistë viziton çadrën e grevës së urisë ku takohet dhe bisedon me të ngujuarit. Rama qëndron në çadër për më shumë se 1 orë dhe interesohet për shëndetin e grevistëve.


Ora 18.00
Kryeministri Berisha reagon ndaj grevistëve gjatë inaugurimit të një rruge në Paskuqan. Berisha tha se "grevistët duhet te dalin nga kafazi"

Duke filluar nga sot e deri të enjten në Tiranë do t'i kushtohet rëndësi vetëm çadrave të grevës së urisë, ku socialistë dhe përkrahës të tjerë të Tiranës do të mbështesin moralisht grevistët e urisë.


TIRANË- Protesta e opozitës zbret sërish në rrethe. Krahas grevës së urisë që do të vijojë të qëndrojë mu përpara dritares së kryeministrit Sali Berisha, opozita do të nisë sot një valë të re protestash të kombinuara me elementë të mosbindjes civile në të gjithë vendin.


Vendimi i marrë të shtunën në mbrëmje është qartësuar dje në një mbledhje të dytë të grupit parlamentar socialistë, i cili ka përcaktuar edhe strategjinë që do të ndjekë për të protestuar ditët në vijim. Grupi kuvendor i PS-së i mbledhur vetëm pak çaste pas përfundimit të mitingut të djeshëm të zhvilluar në bulevardin kryesor të Tiranës, ka vendosur që për ditët në vijim të ketë një mënyrë të re të organizimit të revoltës së qytetarëve në protesta.


Kështu, është përcaktuar që ditën e premte, kur edhe mbushen plotë dy javë nga nisja e grevës së urisë, të zhvillohet një protestë tjetër e madhe në kryeqytet.


Nga burime brenda grupit mësohet se ajo do të synohet të jetë më e madhe edhe se ajo e 30 prillit, ku sipas opozitës tubuan rreth 200 mijë vetë. Ndërkohë që, gjatë ditëve të tjera, pra duke filluar që nga sot e deri të enjten në Tiranë do t'i kushtohet rëndësi vetëm çadrave të grevës së urisë, ku socialistë dhe përkrahës të tjerë të Tiranës do të mbështesin moralisht grevistët e urisë. Barra kryesore tashmë i mbetet pikërisht qarqeve të tjera, të cilat sot duhet të nisin mosbindjen civile ndaj institucioneve dhe ligjeve të vendit.


Mësohet se të gjithë deputetët e qarqeve të tjera do të shpërndahen nëpër zonat e tyre zgjedhore dhe sëbashku me degët e PS-së do të organizojnë çdo ditë në orën 10.00 të paradites protesta lokale të cilat do të kthehen edhe në një përpjekje për të paralizuar qarkullimin dhe funksionimin e institucioneve në lokalitetet e tyre përkatëse.


Ndërkohë i gjithë ky aksion në rrethe do të menaxhohet nga kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Gramoz Ruçi, i cili do të përcaktojë axhendën dhe oraret e protestave. Ndërsa kreu socialistë Edi Rama mësohet se do të kujdeset më shumë për situatën në Tiranë ku natyrisht priten që të nisin edhe negociatat për gjetjen e zgjidhjes.


Me këtë strategji, PS-ja kërkon ti bëjë presion qeverisë edhe nga rrethet për ta detyruar këtë të fundit që të pranojë kërkesat. Natyrisht lënia e një afati deri të premten e ardhshme për të zhvilluar protestën tjetër masive duket se është një sinjal i qartë prej socialistëve drejtuar mazhorancës se zgjidhjen finale e presin deri të enjten.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›