Protesta, Rama: Nuk tërhiqemi pa transparencë

Kauzës dhe protestës së opozitës iu bashkëngjit dje edhe këngëtarja e njohur Elsa Lila. Ndërsa kryetari i PDS-së, Paskal Milo, i ka deklaruar Berishës së ka dy ditë kohë për të zgjidhur krizën
"Sot në 9 maj të vitit 2010, ne ndiejmë, ne shohim, ne prekim, se nga këto dy godina, jo vetëm që nuk dalin ligjet që ne duam, jo vetëm ligjet që shkruhen nuk zbatohen, por nga këto dy godina del përditë fantazma e një frike që shpërndahet kudo"
TIRANË- Opozita protestoi sërish dje në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" duke kërkuar transparencën e zgjedhjeve të qershorit përmes hapjes së kutive të votimit. Protestues të shumtë nga të gjithë rrethet e vendit mbushën sheshin përpara Kryeministrisë, ku qëndrojnë mbi 200 grevistë në grevë urie prej 10 ditësh.
Ata i bënë thirrje Kryeministrit Sali Berisha që të pranojë kërkesën e Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, për hapjen e kutive të votimit si rrugë për zgjidhjen e situatës politike. Përveç kauzës kryesore për transparencën e zgjedhjeve, që barte kjo protestë, ajo u organizua edhe me rastin e ditës së 9 majit, ditës së fitores së Evropës ndaj nazifashizmit,
Rama
Protesta e djeshme, e cila nisi në orën 10:00 të paradites së djeshme, kishte në fokusin e saj jo vetëm transparencën e zgjedhjeve dhe frenimit të situatës së rënduar ekonomike, por edhe kërkesën për një ndryshim rrënjësor të mënyrës së qeverisjes së vendit në të gjitha fushat e veprimtarisë jetësore të tij.
Për këtë arsye, kreu i opozitës Edi Rama përpara protestuesve deklaroi se mënyra e qeverisjes së vendit është e lidhur pashmangshmërisht me deformimin e votës së zgjedhjeve të fundit parlamentare, duke theksuar se nevojitet ndryshimi i sistemit arsimor, shëndetësor, si dhe administrata shtetërore në përgjithësi, që sipas Ramës duhet t'i shërbejë qytetarëve dhe jo pushtetarëve.
Ai vuri në dukje se opozita sëbashku me 200 grevistët e vendosur përpara selisë së Kryeministrisë nuk do të tërhiqen nga protestat dhe greva e urisë deri në plotësimin e kërkesës për hapjen e kutive të votimit.
Kauzës dhe protestës së opozitës iu bashkëngjit dje edhe këngëtarja e njohur Elsa Lila, e cila hyri në grevë urie duke iu bashkuar 22 deputetëve socialistëve dhe 180 mbështetësve të tyre.
Duke bërë një paralelizëm midis triumfit të Aleatëve në Luftën e Dytë Botërore dhe protestës së opozitës, Rama tha se 9 Maji është dita e triumfit ndaj së keqes, ndërsa specifikoi se protesta e opozitës dhe greva e urisë nuk është si përpjekjet e tjera, por është një kundërvënie ndaj frikës që del nga dy godinat në të dy krahët e bulevardit. Kreu i socialistëve nënvizoi se dy pushtetet, ekzekutivi dhe ai legjislativ nuk po zbatojnë ligjet e vendit, duke e kthyer funksionimin e shtetit me anë të urdhrave dhe presioneve të ndryshme ndaj vartësve të tyre.
"Sot në 9 maj të vitit 2010, ne ndiejmë, ne shohim, ne prekim, se nga këto dy godina, jo vetëm që nuk dalin ligjet që ne duam, jo vetëm ligjet që shkruhen nuk zbatohen, por nga këto dy godina del përditë fantazma e një frike që shpërndahet kudo. Që shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. Që shpërndahet tek nëpunësit e administratës.
Që shpërndahet mes policëve dhe ushtarakëve. Që shpërndahet mes mësuesve e mjekëve. Që shpërndahet mes të gjithë atyre që e kanë një punë dhe që për ta mbajtur atë punë detyrohen të paguajnë haraçin e mbylljes së gojës",- tha dje Rama.
Kjo ka bërë sipas tij që Shqipëria të shndërrohet në të punësuarit e regjimit dhe të qytetarëve shqiptarë të papunë.
Duke reaguar ndaj heshtjes së Kryeministrit Berisha për zgjidhjen e krizës politike, kryesocialisti Rama qartësoi se pavarësisht këtyre problemeve emergjente për vendin, lideri i së djathtës vazhdon të kryejë inaugurime pa u shqetësuar për problemet reale të shqiptarëve.
Rama reagoi ndaj letrës së artistëve duke thënë se korrupsioni është shtrirë kudo, madje duke blerë edhe artistët. Sipas tij, korrupsioni i ka rrënjët në kutitë e mbyllura dhe për këtë arsye sipas tij, çdo kush duhet t'i bashkohet rezistencës paqësore për demokraci. Ai tha se Shqipëria do të sakrifikojë dhe do të përpiqet për të qenë një ditë evropiane.
Milo ultimatum Berishës
Në vazhdën e protestave dhe grevës së urisë, opozita i ka lëshuar dje edhe një ultimatum politik Kryeministrit Sali Berisha që ky i fundit të japë përgjigje konkrete për hapjen e kutive përgjatë këtyre 48 orëve nëse do që Shqipëria të integrohet në Bashkimin Evropian.
Një apel i tillë erdhi dje nga kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Duke folur përpara protestuesve, Milo i kërkoi kreut të qeverisë se ka në dispozicion edhe 48 orë për të hapur kutitë, në të kundërt pasojat do të rëndojnë mbi proceset integruese të vendit. "Zgjedhjet e 28 Qershorit kanë vdekur, por që t'i vendosim gozhdën e fundit arkivolit të zgjedhjeve duhet të qëndrojmë këtu. Nëse do që Shqipëria të integrohet në Evropë. Afati është deri pasnesër pasdite.
Nëse do integrimin, liberalizimin e vizave, nëse do të përmbushë ato që kërkojnë shqiptarët, të hapë kutitë",- tha dje Milo. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko, i cili ka kërkuar që mazhoranca të hapë kutitë e votimit.
Grevistët
Po dje kanë folur edhe deputetët grevistë të vendosur në çadrat para Kryeministrisë. Ata kanë apeluar për kryerjen e transparencës së plotë të zgjedhjeve të qershorit. Deputeti Blendi Klosi, i cili është një nga deputetët që ka shfaqur probleme serioze gjatë këtyre dy ditëve të fundit, theksoi dje nga çadra e tij se ai do të vazhdojë të rezistojë deri në përmbushjen e kauzës së opozitës.
Ndërkaq deputeti tjetër grevist, Fatmir Xhafaj tha se nëpërmjet grevës, opozita kërkon transparencën e zgjedhjeve dhe se greva e urisë po zhvillohet brenda konventave të parashikuara nga organizata e Kombeve të Bashkuara, duke hedhur poshtë çdo aludim për të kundërtën e kësaj.