Grupi i punës: Martesat gay i kërkoi Berisha
TIRANË - Martesat mes dy personave të të njëjtit seks janë kërkuar nga Kryeministri Berisha dhe nuk është e vërtetë që bëhet fjalë për një projektligj të shoqërisë civile. E vetmja e vërtetë është që shoqëria civile ka bërë një projektligj Kundër Diskriminimit të shtresave të caktuara, mes tyre edhe homoseksualët. Por ka qenë Kryeministri Sali Berisha ai që ka shprehur kërkesën e tij gjatë një takimi informal, që të shtohej edhe kjo pjesë në projektligjin e ri. Kërkesa kryeministrore u ka nxjerrë jo pak andralla hartuesve të projektligjit, të cilët janë detyruar ta rikthejnë materialin mbrapsht dhe ta ripërpunojnë. Kjo është edhe arsyeja përse projektligji i ri nuk ndodhet ende në qeveri. Hartuesit e tij thanë dje se ai do të përfundojë javën tjetër dhe do të shkojë në qeveri për të qenë një nga ligjet e parë që do të propozojë Kryeministri Berisha në Kuvendin e ri.
Të kontaktuar dje nga "Shekulli", të gjithë hartuesit e projektligjit kanë shpjeguar se në të parashikohet ndalimi i të gjitha formave të diskriminimit në Shqipëri, ku janë përfshirë edhe homoseksualët, por nuk shkruhet askund se këta të fundit mund të martohen me ligj.
Njëra nga anëtaret e grupit të punës së hartimit të këtij projektligji, Aurela Anastasi, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, shpjegon se ky projektligj nuk ka të bëjë me martesat mes së njëjtës gjini, por me një gamë diskriminimi ndaj të gjitha kategorive. Madje, ajo është shprehur e habitur, sepse si bashkëhartuese e projektligjit është e sigurt që nuk ka përfshirë këtë fakt tepër të rëndësishëm. "Nuk ka një projektligj për martesat mes së njëjtës gjini, por është projektligj kundër diskriminimit që ndodh ndaj disa kategorive njerëzish. Madje, në projektligj nuk ka asnjë nen që parashikon martesat mes homoseksualëve",- tha Aurela Anastasi, e cila pohon se homoseksualët janë pjesë e projektligjit dhe se në të parashikohen ndëshkime ndaj atyre që i diskriminojnë, por martesat mes tyre nuk i përmbante projektligji.
Ndërkohë, edhe Altin Hazizaj, anëtar i grupit të punës së hartimit të këtij projektligji, pohon për gazetën se kreu i qeverisës jo vetëm e ka mbështetur këtë projektligj, por ka kërkuar që të përfshihen në të edhe martesat mes personave me të njëjtën gjini. "Në fakt, ky është kushti që Bashkimi Evropian i kërkon Shqipërisë që të përmbushë, moslejimin e diskriminimit të pakicave", - shprehet ai. Sipas Hazizit, lejimi ose jo i martesave midis njerëzve të të njëjtit seks, është një çështje që i përket së ardhmes, në qoftë se ky komunitet do ta kërkojë vetë këtë gjë. "Nga informacioni që kam si anëtar i grupit të punës, ka pyetur hartuesit në lidhje me martesat dhe përgjigja ka qenë se, meqë vetë Kryeministri është dakord për këtë edhe shoqëria civile ka vendosur që ta mbështesë mendimin e tij për të përfshirë edhe martesat gay",-pohon Hazizaj. Sipas tij, nuk do të ketë nevojë për ndryshime thelbësore, por vetëm në Kodin e Familjes do të hiqet vetëm një fjalë, e cila specifikon gjinitë për martesën.
Ndërsa hartuesja kryesore e këtij projektligji, Elsa Ballauri, kryetarja e Grupit Shqiptar të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, pohon se projektligji Kundër Diskriminimit, pas bisedimeve me Kryeministrin, Sali Berisha, është tërhequr për të bërë disa rregullime dhe shtesa në të. "Ne nuk kemi propozuar një ligj të tillë, që të lejojë martesën ndërmjet personave të të njëjtit seks. Ajo që kemi propozuar ne është një ligj që ka të bëjë me moslejimin e diskriminimit të pakicave sociale në Shqipëri",- tha Elsa Ballauri. Sipas saj, gjatë një takimi rastësor me Kryeministrin, ku është diskutuar kjo çështje, Berisha ka shprehur dëshirën e një neni të tillë.