E Diel, 1 Nëntor 2026

Partitë që s'morën deputetë, të kthejnë paratë e fushatës

TIRANË - Telashet s'kanë të sosur për një pjesë të partive të vogla, që aktualisht janë pjesëmarrëse në Parlament. Pas disfatës që pësuan në garën elektorale të 28 qershorit, duke mos fituar asnjë mandat deputeti, ato tashmë duhet të kthejnë edhe një pjesë të lekëve që përfituan nga buxheti i shtetit për këto zgjedhje.


Bëhet fjalë vetëm për pesë forca politike që në legjislativin, që po i skadon mandati, ishin të përfaqësuar me të paktën 2 deputetë, dhe më konkretisht, Partia Socialdemokrate, partia Agrare Ambientaliste, Partia Aleanca Demokratike, Partia Demokracia Sociale dhe Partia Demokristiane. Të pesta këto forca politike duhet të kthejnë në total një shumë prej 127 milionë lekësh të vjetra.


Kodi


Në bazë të Kodit Zgjedhor, të gjitha forcat parlamentare para zgjedhjeve përfitojnë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit. Në bazë të këtij përcaktimi, 11 forca politike, pjesëmarrëse në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 2005-ës, përfituan në total një fond prej 650 milionë lekësh të vjetra, shumë kjo që u shpërnda në dy pjesë të veçanta, sipas dy formulave të ndryshme, gjysma sipas mandateve me të cilat përfaqësoheshin në Kuvend dhe gjysma e dytë në bazë të votave të fituara në parlamentaret e shkuara.


Por Kodi në nenin 87 të tij përmban dhe një klauzolë, që detyron të gjitha forcat politike, që të kthejnë të gjitha fondet e përfituara nga buxheti i shtetit sipas formulës së dytë, pra asaj që përcakton se "50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare në zgjedhjet pararendëse", në rast se në zgjedhjet e radhës nuk kanë mundur që të marrin asnjë mandat deputeti.


Pra, forcat politike që në zgjedhjet e radhës nuk kanë marrë asnjë mandat deputeti, janë të detyruara të kthejnë vetëm pjesën e fondit të përfituar nga buxheti i shtetit që u është shpërndarë atyre, duke marrë për bazë votat e fituara në zgjedhjet pararendëse.


Nga një detyrim i tillë ligjor, referuar edhe rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit, rezulton se penalizohen vetëm 5 forca politike, që nuk mundën dot të siguronin pjesëmarrje në Kuvendin e ardhshëm që pritet të konstituohet në fillim të muajit shtator.


Paratë


Pesë forca politike, PSD-ja, PDS-ja, PAA-ja, PAD-ja dhe PDK-ja do të duhet që brenda muajit gusht të rikthejnë të një pjesë të lekëve që kanë mundur të përfitojnë nga shpërndarja e buxhetit të shtetit për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.


Më konkretisht, bëhet fjalë për një shumë prej afro 12.7 milionë lekësh të rinj, nga të cilat 5.1 milionë do të duhet t'i kthejë PSD-ja, 2.6 PAA-ja, 1.9 PAD-ja, 1.7 PDS-ja dhe 1.3 PDK-ja.


Depozitimi i këtyre shumave bëhet në llogarinë bankare të KQZ-së dhe kthimi i tyre bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, pa shkaqe të përligjura, ligji i jep të drejtën KQZ-së t'i kërkojë ministrit të Financave, që të urdhërojë Zyrën e Thesarit, që këto shuma t'i mbajë nga fondet e tjera buxhetore, që përfitojnë këto parti dhe t'i kalojë ato në buxhetin e KQZ-së.


Por, ky është vetëm njëri prej sanksioneve, që parashikon ligji për këto forca, pasi në pikën e 4-t të nenit 87 të Kodit, përcaktohet se, partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni.


Për sa i përket pjesës tjetër të parave që kanë mundur të përfitojnë nga ky buxhet, në bazë të formulës që e llogarit shumën në bazë të mandateve, këto forca nuk janë të detyruara ta kthejnë.


Paratë që do të kthejnë të vegjlit, do t'u shpërndahen partive që fituan mandate

PD e PS do të "shpërblehen" nga KQZ

TIRANË - Partitë politike, që në zgjedhjet e 28 qershorit mundën të fitojnë mandate përfaqësimi në Kuvend, do të "shpërblehen" nga buxheti i shtetit. Nuk kemi të bëjmë me një vendim të qeverisë, por për një mundësi që u krijon Kodi Zgjedhor këtyre forcave për të përfituar të gjithë shumën që do të detyrohet të kthejnë ato subjekte elektorale, që para zgjedhjeve përfituan nga buxheti dhe më 28 qershor nuk mundën të sigurojnë asnjë mandat përfaqësimi.


Në këtë mënyrë, ligji zgjedhor parashikon që shumat që duhet të kthejnë këto forca për shkak të rezultatit negativ që arritën në zgjedhje, t'u shpërndahet partive politike që u rikonfirmuan si forca parlamentare ose që u futën rishtazi në Kuvend.


Në bazë të llogarive të bëra, rezulton se KQZ-ja, me një vendim të sajin brenda muajit gusht, duhet të rishpërndajë për 6 forcat që arritën të marrin mandat deputeti shumën prej 127 milionë lekësh të vjetra, të cilat do të kthehen nga 5 subjektet, që nuk arritën të marrin asnjë mandat.


Përllogaritja e shumës që do t'u shpërndahet këtyre subjekteve do të bëhet në raport me mandatet që ka fituar secila forcë. Kështu, duke ditur tashmë se PD-ja mundi të marrë 68 deputetë, ajo do të marrë nga KQZ-ja një shumë prej 61.8 milionë lekësh të vjetra, PS-ja për 65 mandate do të marrë 59 milionë, LSI-ja për 4 mandate 3.6 milionë dhe 3 forcat e tjera, PR-ja, PDI-ja dhe PBDNJ-ja nga 0.9 milionë. Vendimi duhet të merret nga KQZ-ja jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.


Po të llogarisim se shpallja e mandatit do të bëhet gjatë ditës së nesërme, i bie që brenda gushtit, KQZ-ja të bëjë rishpërndarjen e këtij fondi. Në rast se fondi nuk është kthyer plotësisht nga subjektet zgjedhore, ky fond i kompensohet KQZ-së nga buxheti i shtetit.



Partitë dhe shumat që duhet të kthejnë

Partia Socialdemokrate e Shqipërisë, 5.136.667
Partia Agrare Ambientaliste, 2.644.556
Partia Aleanca Demokratike, 1.920.479
Partia Demokracia Sociale, 1.711.151
Partia Demokristiane e Shqipërisë, 1.315.153
Në total = 12728006

Partitë dhe shumat që përfitojnë sërish

Partia Demokratike, 6.18 milionë
Partia Socialiste, 5.9 milionë
Lëvizja Socialiste për Integrim, 3.6 milionë
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, 0.9 milionë
Partia Republikane, 0.9 milionë
Partia për Drejtësi dhe Integrim, 0.9 milionë

Neni 87 i Kodit Zgjedhor

Shpërndarja dhe rishpërndarja e fondeve publike për subjektet zgjedhore

2. Pika b) 50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 2 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare, sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse.


3. Partia që ka përfituar fonde publike, sipas shkronjës "b" të pikës 2 të këtij neni dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës, duhet të kthejë shumën përkatëse të përfituar. Depozitimi i këtyre shumave bëhet në llogarinë bankare të KQZ-së.


Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, pa shkaqe të përligjura, KQZ-ja i kërkon ministrit të Financave që të urdhërojë Zyrën e Thesarit që këto shuma t'i mbajë nga fondet e tjera buxhetore që përfitojnë këto parti dhe t'i kalojë ato në buxhetin e KQZ-së.


4. Partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse sipas pikës 3 të këtij neni, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni.


5. Fondet e kthyera, sipas pikës 3 të këtij neni, me vendim të KQZ-së, u rishpërndahen partive politike, të cilat kanë marrë vende në Kuvend. Shpërndarja bëhet në përqindje të njëjtë me përqindjen e vendeve të fituara në zgjedhjet e radhës.


Vendimi merret nga KQZ-ja jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
6. Në rast se fondi, sipas pikës 4 të këtij neni, nuk është kthyer plotësisht nga subjektet zgjedhore, ky fond i kompensohet KQZ-së nga buxheti i shtetit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›