E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi i të Tetëve diskuton çmimin e naftës

Grupimi G8, i përbërë nga shtetet lidere në fushën e energjetikës, mbajti të dielën një takim për të diskutuar investimet që duhen bërë në sektorin e naftës pa cenuar ekonominë botërore, ndërkohë që Arabia Saudite, prodhuesja më e madhe e naftës në nivel global, parashikon që çmimi së shpejti të arrijë në 75 dollarë për fuçi. Ministrat e Grupit të të Tetëve u takuan në Romë për shkak të rënies së papritur të çmimit të naftës në një çast kur po tregonte prirje rritjeje, madje vetëm pak ditë më parë kishte arritur në kuotën më të lartë të këtyre gjashtë muajve të fundit.

Pritej që më parë takimit që aktorët kryesorë të tij, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës t‘i kërkonin OPEC-t të përqendrohet te mbajtja stabël e çmimeve. Arabia Saudite, më i madhi dhe me më shumë influencë ndër prodhuesit e OPEC-ut, tha me se shumë gjasa ky grupim "do të vazhdojë të ruajë qëndrimin e deritanishëm" kur të takohet në Vjenë të enjten e kësaj jave. Njëherësh bëri me dije se parashikonte rritje të kërkesës dhe të çmimit të naftës. "Kërkesa do të rritet me shërimin e ekonomisë botërore", u tha gazetarëve ministri i Naftës së Arabisë Saudite, Ali al-Naimi, pa pranuar të japë të dhëna më të detajuara. Gjithashtu, nuk pranoi t‘i përgjigjej me saktësi pyetjes se kur mendonte që çmimi do të mbërrinte në kuotën 75 dollarë për fuçi, gjë që, sipas vendeve prodhuese, është e domosdoshme për të nxitur investimet e reja në kuadrin prodhimit për afate të largëta kohore. "Kjo mund të ndodhë nesër, ose mund të ndodhë pas dhjetë vjetësh, por me shumë gjasa do të ndodhë. Por se kur, nuk di ta them me saktësi", tha Ali al-Naimi.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka llogaritur se investimet në prodhimin e naftës dhe të gazit do të ulen me 21 për qind gjatë vitit 2009, si rezultat i krizës financiare dhe recesionit ekonomik. Roberto Poli, presidenti i kompanisë italiane të tregtimit të naftës "Eni" tha se "harku magjik", përgjatë të cilit çmimet e naftës janë aq të larta sa të krijojnë mundësinë e investimeve të reja pa lënduar ekonominë, është 60-70 dollarë për fuçi, ndërsa për shefin ekzekutiv të kompanisë "Edison" Umberto Kuadrino, ky hark qe 60-80 dollarë amerikanë. "Përvoja e ciklit të fundit të çmimeve të naftës tregoi se për të garantuar qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike, çmimet nuk duhen rritur përtej kuotës prej 75 dollarë për fuçi", tha Roberto Poli. "Mungesa e stabilitetit dhe parashikueshmërisë së çmimeve të naftës janë armiqtë e çdo plani të vlefshëm për të ndërtuar një të ardhme më të mirë energjetike".

Çmimi i naftës u ngrit në kuotën më të lartë të këtyre gjashtë muajve të fundit javës së shkuar, thuajse sa dyfishi i çmimit të regjistruar në dhjetor dhe mjaft më lart nga niveli (prej 50 dollarësh) që, sipas Arabisë Saudite, ishte i domosdoshëm për t‘u siguruar fitime minimale prodhuesve. Pritet që gjatë takimit në Vjenë ministrat e vendeve të OPEC-ut të mos bëjnë ndryshime për sa u përket sasive të prodhimit, në një çast kur rritja e çmimeve ka zbutur shqetësimet e tyre për stoqet dhe sasitë e tepërta të prodhimit, në një çast kur regjistrohet kërkesa më e ulët në vite të tëra.

Një burim nga vendet e Gjirit Persik tha, pa pranuar të identifikohet, se grupi do t‘u përmbahet synimeve aktuale, por se ende ngrihen shqetësime lidhur me mungesën e unanimitetit nga ana e të gjithë aktorëve. Gjithsesi, guvernatori iranian i OPEC-ut tha se rritja e çmimit të naftës po u jepte disa anëtarëve të këtij grupimi një lloj ndjesie të rreme sigurie.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›