E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mijëra admirues për të dëgjuar "Mishel Obamën" e Iranit

Të kërcyerit në publik nuk lejohet në Iran, por mijëra të pranishmit gjatë fushatës së djeshme presidenciale të zhvilluar në kryeqytet e kishin të vështirë ta mbanin veten. Thirrjet e papërmbajtura nuk i drejtoheshin kandidatit të shumëpritur presidencial, Husein Musavi, por bashkëshortes së tij - një grua që gjithnjë e më shpesh po quhet Mishel Obama e Iranit. Krahasimi me Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka lindur nga roli që Zahra Rahnavard po luan përkrah të shoqit, ndërsa ky po kandidon për Presidencën e vendit.

Kurrë më parë në historinë e këtij vendi një kandidat presidencial nuk e kishte nxjerrë bashkëshorten në ballë të fushatës elektorale. Zahra Rahnavard gjendet kudo shkon i shoqi. "E shohim dhe themi, ‘duam që në të ardhmen të jemi si ajo‘", thotë Shakiba Shakerhozi, një prej 12 mijë të pranishmëve në stadiumin e mbyllur "Azadi" (Liria) ku Zahra Rahnavard edhe u drejtoi fjalën të pranishmëve.

Irani u kthye në republikë islamike në vitin 1979, me rënien e monarkisë që mbretëronte vendin, ndërkohë që Shahu Muhamed Reza Pehlavi u detyrua të largohej nga vendi. Kjo i dha fund edhe rolit ceremonial që gëzonte Zonja e Parë e vendit, Mbretëresha Fara.

Në takimin në fjalë, Zahra Rahnavard - shkrimtare dhe me titullin profesor në art - foli në emër të të shoqit, i cili në atë moment gjendej në një takim tjetër. Me një shami të zbukuruar në kokë dhe e veshur sipas stilit tradicional, pretendentja për t‘u bërë Zonja e Parë e Vendit vuri theksin te liritë e humbura gjatë qëndrimit në pushtet të Presidentit Mahmud Ahmedinexhad. "Shpresoj se liria e fjalës, e penës dhe liria e mendimit nuk do harrohen", tha Zahra Rahnavard. Turma, burrat të vendosur në një anë dhe gratë në tjetrën, e brohoriste me thirrje të zjarrta. Shumë prej të pranishmëve qenë të moshave të reja dhe nuk e fshehën që arsyeja për të cilën gjendeshin aty qe bashkëshortja e kandidatit Musavi. "Jam vërtet e zemëruar me pozitat e gruas këtu në Iran", tha Sagar Kuhestani, duke shtuar se e mbështeste Musavin për shkak të së shoqes.

Musavi, ish-kryeministër, konsiderohet si rrezik real për kandidaturën e Presidentit Mahmud Ahmedinexhad. Kujtohet si njeriu që diti ta menaxhojë me sukses ekonominë e Iranit gjatë një lufte të përbashkët me Irakun në vitet tetëdhjetë. Profesori i shkencave politike, Muhamad Maranadi i jep më pak peshë rolit të Zahra Rahnavard në zgjedhjet presidenciale. Thotë se ajo mund të gëzojë simpatinë e reformistëve dhe të grave, por ajo që do përcaktojë fatin e zgjedhjeve janë ekonomia dhe përfaqësimi në debatet e drejtpërdrejta mes kandidatëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›