Grushtat për Berishën i hëngri Albert Xhani
1. Vehbiu i Vefa-s dhe Berti i Pollos
Të hënën që shkoi rreth orës dy pasdite, sapo përfundova së luajturi basketboll po hallakatesha hijeve të pemëve rrugës duke shkuar për në shtëpinë e prindërve. Në një nga kafenetë e vogla syri më kapi një grup njerëzish, të cilët mbledhur para ekranit të një televizori lexonin dhe komentonin me potere lajmin që vinte direkt nga Tirana. Tifozët ultras të Partizanit legjendar kishin dhunuar fizikisht presidentin e klubit Albert Xhani sapo ky i fundit kishte dalë nga ambientet e Federatës së Futbollit. Jam në Përmet dhe ky lajm është dyfish tronditës.
***
Albert Xhani është një përmetar i lindur dhe i rritur në fshatin Mazhaj të krahinës së Dëshnicës. Si krahina më e varfër e trevës së Përmetit, e cila herë-herë i afrohet mentalisht dhe etnografisht më tepër fqinjëve të saj gjeografikë Skraparit e Tepelenës, është abandonuar këto vitet e fundit nga popullata e saj. Ndryshe nga bashkëfshatarët e tij që jetonin në mizerje dhe injorancë, Xhani u largua qysh herët prej vendlindjes dhe ndaloi drejt e në Tiranë. I arsimuar spontanisht, por me një ego, kurajo dhe nuhatje provinciali të djallëzuar Xhani arriti të punësohet shofer në Ministrinë e Bujqësisë rreth mesviteve ’80. Kishte një ëndërr të llahtarshme për tu bërë futbollist, por fatkeqësisht në fshatin e tij kishte luajtur me topa lecke buzë shtratit të një përroi ku gjendej i vetmi rrip toke i sheshtë. (Nuk po flasim për Viçidolin). Si tifoz i thekur i Partizanit, Alberti nuk mundi të luajë me këtë klub, por pati fatin të shikonte nga afër dhe të prekte pakëz me dorë idhujt e tij Ilir Lame, Perlat Musta, Genc Tomori.
Shoferët e institucioneve të Tiranës kurdoherë kanë qenë një lloj specieje e privilegjuar e çdo regjimi politik dhe si besnikë, spiunë a servila të shefave të tyre kanë mundur të përfitojnë e të bëjnë hajër si kodoshë të vërtetë. Këtë shans të artë pati edhe shoferi Xhani, i cili nga fillimi i vitit 1992 u konvertua në biznesmen e u rikthye në vendlindje me mendjen plot idera dhe xhepat plot dollarë amerikanë gati për sipërmarrje të rënda.
E mbaj mend gjatë adoleshencës sime, kishte vërtetë guxim e kurajo. E ndihmonte edhe ardhja prej Tiranë dhe paraqitja e kësisoj filloi të bënte para derisa në vitin e artë 1996 shpërtheu. I shndriti ylli i fatit si në tregimet e skocezes J.K.Rowling dhe pabesueshmërisht u konvertua në milioner. Imagjinoni një djalë fshati i cili pse i shiti kryefajdexhiut Fehbi Alimuça një fabrikë sallami (pa sallam nëpër magazina), një punishte rakie, një hotel, një rrobaqepësi dhe një furrë buke fitoi as më shumë e as më pak por 7 milionë dollarë. Boss-i i Vefa-s nuk pagoi kaq shtrenjtë ngrehinat karakatina pse ishin pronë e Albert Xhanit, por më shumë se shija e sallamit djegës a rakisë përmetare vlera e objekteve ishte rritur se mes tyre qëndronte sekser zëdhënësi kuqalash i presidentit Berisha, Genci i Stefanaqit nga dera e njohur e Pollojve të Frashërit. Kaq, vetëm kaq duhej dhe shpërdorimi rrush e kumbulla i parave të fajdeve nga ana e Xhanit tmerroi dhe joshi jo një krahinë, por gjithë Jugun e Shqipërisë. E etiketuan “Pashai i Jugut” Albert Xhanin dhe fama e emri i tij u kthyen në legjendë deri sa krisi kallashi i 1997-ës. Braktisi Përmetin dhe vendoset përfundimisht në Tiranë, aty ku po i afrohej ëndrrës së dikurshme. Kësaj here nuk kishte as moshë as energji fizike për të luajtur futboll, energjia e tij e pleksur me paratë e kishin konvertuar në Promete. Ia kishte “rrëmbyer” Vehbiut (kreditorëve) dhe po joshte hijenat eTiranës të cilët e gostitën me Klubin e Futbollit “Partizani” dhe tani që iu grisën edhe brekët nuk i përgjigjen as në celular.
Albert Xhani është një nga klonimet tipike të kapitalizmit berishian që pasurohen misteriozisht nga regjimi brenda 24 orësh dhe po brenda 24 orësh përfundojnë në kothere qesharake sapo fillojnë të dredhin bishtin. Këta lloj tipash piketohen dhe zgjidhen për të bërë lojën e të tretëve e pasi i shfrytëzojnë i shpërfytyrojnë kafshërisht dhe madje nuk u afrojnë as një pjatë supë.
2. Pallim me procedurë
Shpejt, shumë shpejt ia harruan investimet në futboll a infrastrukturën e klubit dhe tani që s’ka as përkrahje politike e fizike, as para për ti hedhur naftë makinës e rrahin dhe e dhunojnë si të jetë një xhepist ordiner i autobusëve të Kinostudios. Më dhimbset ky patrioti im, i cili këto ditë është këtu në Përmet ndoshta për tu fshehur, por nëse mendon paksa me mendje të ftohtë arrin në konkluzion se dhuna e së hënës ndaj Xhanit nuk është thjesht një inat tifozësh futbolli.
Kam në gojën time 1 dhemb të thyer nga dhuna në rajonin 1 të policisë, kam 2 dhëmbë të tjera të thyer në rajonin 2 të policisë, kam hundën e thyer e shembur nga dhuna në Drejtorinë e policisë së Tiranës, kam ende dhimbje në trup nga torturat kafshërore kur më arrestonin dhe më burgosnin. Duroj dhe fal, por nuk harroj. Kushdo që dhunohet më dhimbset dhe zyrtarisht jam kundër çdo lloj dhune por grushtat mbi fytyrën e Albert Xhanit sepse zgjojnë në mendjen time (ndoshta perverse) një lloj kompensimi fetishist. Xhanin e qëlluan në fytyrë diku aty mes zyrave të Federatës së Futbollit dhe Ambasadës Amerikane, por dhimbja u ndje në indet dhe qelizat e Berishës. Nuk ishte hakmarrje tifozash jo, ishte duhma dhe vuajtjet e akumuluara të mijëra shqiptarëve që humbën kursimet e tyre dhe degraduan familjet dhe të ardhmen e fëmijëve. Ishte dhimbja e mijëra të pastrehëve dhe shqiptarëve të vdekur e të gjallë që shëtisin rrugëve të depresuar nga zhgënjimi, tmerri, idiotësia dhe plagët e 1997-ës. Grushta mbi fytyrën e Xhanit ishin mesazh i kristaltë për mëkatarët politikanë, prokurorë, gjykatës, doktorë. Grushtat ishin dhe janë një kujtim i bukur për paratë që shqiptarët ia besuan Vehbi Alimuçës, Sudes, Gjallicës dhe këtyre të fundit ua rropën Genci i Pollojve, vjehrri i Lul Bash(kisë)ës, Alberti i Partizanit e plot monstra të tjera. Më pëlqen debati që matematicieni Frank Morley bënte me studentët e tij në kolegjin amerikan të Haverford-it në Pensilvani kur ngulmonte duke thënë: “Ka a s’ka Zot pak rëndësi ka, por në këtë dynja lahen dhe kompesohen të gjitha mëkatet e mia dhe tuajat”.
Unë kot e paragjykoj njerëzinë e këtij vendi në ndonjë nga opinionet e mia, gabohem por Shqipëria paska burra. Nuk harrohen brengat e shpirtit kaq shpejt. Paratë ua vodhi më 1997 e pas 14 vjetësh ia nxinë fytyrën një kopuku. Po për korrupsionin, vjedhjet, vrasjet, grabitjet e votave të 2011 do presim deri më 2025? Pak rëndësi ka koha, e rëndësishme është që do dalë përsëri një burrë t’ua skuqë fytyrën Ristanëve, Rulëve, Medinjve, asaj kohe të plakur, të pëgërë e të poshtëruar dyfish. Ka një problem se lista e mëkatarëve është e gjatë, por edhe atëherë do të dalë dikush që tua pallojë robt me procedurë.
facebook.com/bledi.mane
