E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guardiola pergezon Realin per titullin

Ka pasur urime, por edhe thumbime nga kryeqendra e Katalonjës për kampionen e re të Spanjës. Reali i Madridit e fitoi titullin në fushën më të vështirë, në Bilbao, dhe ai që është ende trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, e uron skuadrën e Murinjos, por s’mjaftohet me kaq.
“Reali i Madridit është me meritë kampion i Spanjës. Ata dolën kampionë, ndonëse ndodhën shumë gjëra gjatë sezonit, por nuk u përkeqësuan falë heshtjes sonë. Por, pati shumë gjëra që ndodhën. Sezoni nuk kishte lidhje vetëm me El Klasikon që ne e humbëm 1-2. Askush nuk mund të thotë se Barça nuk u përpoq. Ne u përpoqëm. Por, gjithnjë e kemi uruar fituesin dhe e urojmë sërish”, u shpreh ai.
Më tej, Pep, sërish gjen diçka të veçantë tek skuadra e tij në krahasim me Realin.
 “Përfundimi tregon se Reali pati ecuri më të mirë se ne. Gjithsesi, ne kemi diçka të veçantë pasi kemi qenë në gjendje të fitojmë disa herë radhazi. Ne kemi bërë progres çdo sezon dhe kjo është gjëja më e vështirë. Vështirësia kryesore nuk është të fitosh një titull, por të përsërisësh suksesin. Vazhdimësia është arritja jonë më e madhe dhe jemi krenarë për këtë”, deklaroi trajneri.
Vazhdimësia barceloniste do të vihet në pikëpyetje me largimin e Guardiolës në fund të këtij sezoni. A do të mundet të ketë po këtë sukses edhe pasardhësi i tij, Tito Vilanova?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›