E Martë, 3 Nëntor 2026

Guidat turistike në Kukës u vijnë në ndihmë vizitorëve me informacion

Atraksionet turistike të Kukësit po vizitohen vit pas viti në numër të shumtë nga vendas dhe të huaj.

Pothuajse për të gjitha pikat turistike që ofron Kukësi nuk ka shumë informacion. Prandaj po mendohet të krijohet një guidë turistike me informacione të sakta të atraksioneve në tërësi.

“Ajo që po diskutojmë me specialistët e turizmit është që duhen krijuar disa paketa turistike, ku përfshihet informacion i qartë dhe i saktë për të gjitha resurset që kemi. Kemi parë disa platforma që ofrojnë shtigjet, ka informacione të mjaftueshme për këto pika, por duhet t’i bëjmë bashkë për të qenë të aksesueshme. Është e nevojshme të kemi një aplikacion digjital,” thotë drejtuesi i Qendrës për Progres Rinor.

Gjithashtu, rëndësi po i kushtohet edhe informacioneve për sa i përket trashëgimisë kulturore.

“Po punohet për një itinerar për trashëgiminë kulturore, për të evidentuar të gjitha monumentet e kulturës, por edhe ato që bartin vlerat e vendeve dhe objekteve me trashëgimi kulturore,” deklaron ambientalisti Bukurosh Onuzi.

Veç informacioneve që duhet të jepen nuk mungojnë edhe aksionet e shumta të pastrimit, si nga qeverisja vendore, por edhe nga vullnetarë, për të mos i dëmtuar dhe për t’i mbajtur pastër pikat turistike. 

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›