E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gurakuqi: Ju sjell Shekspirin e muzikuar

Xhuzepe Verdi, premierë në TOB me operën "Falstaff". Një opera komike, e cila ka sjellë artistë nga Turqia, Bullgaria dhe Italia. Protagonist Dobromir Tzvetanov, për të dytën herë në Tiranë, pas "Gianni Schicchi"-t . Regjisori Nikolin Gurakuqi tregon për veprën


Teatri i Operës dhe Baletit është në hapat e fundit të përgatitjes së operës premierë, "Falsttaf", të kompozitorit italian Giuseppe Verdi (1813-1901).


Libreti i shkruar nga Arrigo Boito është bazuar në komedinë e Shekspirit, "Gratë gazmore të Windsorit". Është opera e tretë që Verdi kompozoi i frymëzuar nga vepra e dramaturgut anglez. "Falstaff"-in e krijoi në dekadën e nëntë të jetës së tij dhe ajo është e dyta operë komike që shkroi gjatë gjithë jetës.


Në skenën shqiptare vjen në datat 24, 26, 28, 29 dhe 31 maj, me regji të Nikolin Gurakuqit. Për këtë premierë kanë ardhur në Shqipëri disa artistë të huaj, ca e kanë për herë të parë, të tjerë "ndihen si në shtëpinë e tyre".


Pas bashkëpunimit në operën "Triptik", rikthehet dirigjentja italiane, Gianna Fratta, si dhe artistët Sahap Cuneyt Unsal (turqi) dhe Dobromir Tzvetanov (Bullgari).


Ndërsa për herë të parë vijnë artistët e Operës së Izmirit, Cengiz Sayin dhe Deniz Penozhur. Pjesa tjetër e trupës plotësohet nga solistët e TOB-it. Regjisori Gurakuqi tregon se si e ka konceptuar "Falstaff"-in, zgjedhjen e këngëtarëve dhe disa detaje për atë që pritet të ndodhë në skenë.


Z. Gurakuqi, pak ditë mbeten deri tek premiera. Mund të tregoni si është "Falstaff"-i juaj?
Është një shfaqje që bazohet në plastikën skenike. Artistët duhet të jenë shumë të përgatitur fizikisht që të përballojnë ritmin e mizanskenës, sepse ka shumë lëvizje.


Ritmi është i lartë, njëlloj me ritmin e muzikës dhe unë s'kam dalë jashtë muzikës. Kjo vepër kërkon këngëtarë "të fortë", sepse nuk është shfaqje statike ku vetëm këndohet. Është Shekspiri i muzikuar.


Veprën e tij, "Gratë gazmore të Winsdorit", Verdi ja dha Arrigo Boitos për të shkruar libretin. Ai shkroi muzikën mbi këtë libret dhe ka bërë një kryevepër në fund të jetës së vet, e cila dallon nga veprat e tjera. Orkestracioni është shumë modern, por edhe ndërtimi i numrave muzikorë, temporitmi dhe, aq më tepër që është një vepër komike.



Pothuajse të gjitha veprat kanë një trekëndësh personazhesh, mes të cilëve zhvillohet ngjarja. Po në këtë vepër si e keni konceptuar "aksionin" skenik?


Aria që po punonim pak më parë është aria e Fordit në aktin e dytë, aria e brirëve quhet, "Le corna".


Ai mendon se e tradhton e shoqja. Fordi shtiret si personazhi i Fontanës dhe i thotë Falstaff-it që dashuron Aliçen (që në të vërtetë është gruaja e tij) dhe i kërkon që t'i tregojë se si ta bëjë për vete, pasi ka harxhuar gjithë pasurinë, por akoma nuk e ka fituar zemrën e saj.


"Ti që je rregullues grash më trego, hape ti rrugën i pari rregulloje dhe unë po vij pas teje", - i thotë Falstaff-it. "Mos u bëj merak, - i përgjigjet ai, - se tani po shkoj ta takoj". Nga ky moment, Fordi kupton se e shoqja po e tradhton. Dhe pastaj është aria e famshme e brirëve.


Sjellja e Fordit duhet të pasqyrojë vuajtjen e tij të brendshme, e cila ka të bëjë me personalitetin e tij. Ai nuk e di se në ç'raport është personaliteti i tij me veten dhe me të shoqen, kështu që humb kontrollin. Një herë bëhet i fortë dhe tregon pushtetin, pastaj i ikën truri kur mendon tradhtinë e së shoqes.

Pra, mund të themi që Fordi është figura dramatike e kësaj vepre?


Unë po e trajtoj në një kënd tjetër, si një figurë komike. E kam bërë qesharak, e kam përqeshur dhe kjo e bën atë komik. Kjo është e veçanta e figurës së tij.

Çfarë do t'i tregojë publikut ky personazh që ju e keni me shumë tone për nga "qesharakja"?


Ky trajtim e bën më kompleks personalitetin e tij. Nuk e kam krijuar unë si figurë, e ka krijuar kompozitori dhe dramaturgu. Por, shpeshherë, ky personazh është i zbehtë. E kam zbritur në sallë këtë personazh, që publiku ta shohë më nga afër psikologjinë e tij. Ngado që ta kthesh ai është qesharak, është bufon. Nuk është ai autoritari i pallateve, etj., etj.


Përveçse regjisor jeni edhe skenograf...
Shfaqjen e kam vendosur në një mjedis zarfesh dhe ngjarjet zhvillohen brenda tyre. Cilët janë këto zarfe? Janë zarfet, në të cilat Falstaffi fut letrat që ua çon të dashurave. U shkruan letra dashurie dhe në zarfe u vë vulën: "Unë jam Falstaffi".


E kam ndërtuar mbi filozofinë e jetës së tij, që janë brirët që u vë të tjerëve. Ai është mjeshtri i vënies së brirëve dhe vetë këto brirë i pëson në fund fare. Janë të tjerët që i vënë një bri të madh, për të gjitha ato herë që ia ka vënë Falstaffi.

Në premierë ka shumë të ftuar të huaj, kryesisht turq. Si është bërë zgjedhja e roleve?
Qysh pas përfundimit të "Triptikut", ia kam propozuar rolin e Falstaffit, Dobromir Tzvetanovit.


Më pëlqeu për ta pasur si Falstaff, sepse ka shumë cilësi të këtij personazhi, ka karakteristikat fizike, autoriale edhe vokale. Edhe tenori turk, Sahap Cuneyt Unsal, duket shumë mirë në rolin e Fordit, duket galant, por është edhe aktor shumë i mirë, ka dhe zërin. Edhe ai i ka të tria cilësitë.

Po të tjerët?


Në rolin e Aliçes është Shpresa Beka, e cila po bën një performancë të mirë jo vetëm vokalisht, por edhe nga ana skenike. Në rolin e Megut është Vikena Kamenica dhe Lindita Kola. Në rolin e Nanetës interpretojnë tri soprano, Dorina Selimi, Erjona Gjyzeli dhe Emiljana Palushi, secila ka karakteristika të veçanta.


Në rolin e Kuiklit - Klodiana Laze, Fenton do të luhet nga Ergys Mita, Pistola nga Armando Lika, Bardolfo nga Gilmond Myftari dhe Roel Llupo. Besoj se do të ketë dhe një Falstaf tjetër, që do të vij për dy ditë.

Pjesë e rëndësishme janë edhe kostumet. Kush është kujdesur për to?


Kostumet vijnë nga "Sartoria Arrigo" në Milano, që është një nga më të mirat. Furnizon teatrot më të mëdha, "La Scala", "San Carlo", Teatrin e Romës, etj. Kostumet i përkasin kohës kur zhvillohen ngjarjet.

I keni thënë të gjitha?


Unë përpiqem të bëj një shfaqje të mirë. Pastaj i takon publikut që të na japë notën, e kemi bërë mirë apo e kemi bërë keq.

-------------------------------------------------------------------------------

Linja muzeore e GKA-së, vizita falas. Stafi vishet me uniformë

Ka kaluar vetëm një javë nga hapja e linjës muzeore të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe numri i vizitorëve, deri tani, mund të ketë shkuar në 600. Specialistë të galerisë thonë se linja e re vizitohet nga afro 100 njerëz në ditë, pjesa më e madhe e të cilëve janë nxënës të shkollave të mesme dhe grupet turistike të të huajve.


Linja muzeore që paraqet historinë 120-vjeçare të pikturës shqiptare, mund të vizitohet falas edhe për disa ditë. Kjo për arsye se shtypshkronja ende nuk ka përgatitur biletat e reja të GKA-së. Pak muaj më parë, galeria i propozoi ministrit të Kulturës rritjen e çmimit të biletës, nga 100 lekë në 200 lekë. Kjo do të jetë edhe shifra që do të paguajë çdo person për të vizituar muzeun.


Si në të gjitha institucionet e tjera, edhe këtu nxënësit e shkollave dhe pensionistët do të paguajnë vetëm gjysmën e vlerës së biletës. Ndërkohë, në pritje të mbërritjes së biletave të reja, vizitat në GKA janë falas.


Ndryshimeve të fundit në galeri i shtohet edhe uniforma e re e punonjëseve, një këmishë e bardhë dhe fund i zi për femrat që përbëjnë shumicën e stafit. Kjo do të jetë veshje e përhershme.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›