Mungojnë certifikatat, pezullohet puna në Korçë
Në qytetin juglindor ka rreth dy javë që ka probleme, dhe deri më tani ka certifikata vetëm për raste urgjente
KORÇË- Pezullohet puna në gjendjen civile të Korçës, pasi nuk ka certifikata. Prej dy ditësh gjendja civile e bashkisë juglindore nuk funksionon. Shkak i këtij pezullimi të detyruar të punës është bërë mungesa e certifikatave.
Me dhjetëra qytetarë qëndrojnë në radhë, teksa nga ana tjetër punonjëset e gjendjes civile nuk mund t'u shërbejnë përveçse në raste emergjente. Numri i certifikatave që bashkia e qytetit juglindor ka marrë hua nga njësitë vendore fqinje është tejet i vogël, ndërsa ato përdoren kryesisht për raste vdekjesh, apo dhe emergjenca të tjera të ngjashme.
Përsa iu përket emigrantëve që vijnë për të aplikuar për kartën e identitetit, ata s'kanë mundësi të përfundojnë këtë proces, ndërsa kërkesat gjatë ditëve të fundit janë shtuar së tepërmi duke krijuar njëherësh dhe radhë të gjata që mbeten të pandryshuara përgjatë orarit zyrtar.
Situata duket kaotike, teksa asnjë sinjal pozitiv nuk vjen nga institucionet shtetërore përkatëse që bëjnë furnizimin me certifikata në gjendjen civile në fjalë. Bashkia e qytetit, nëpërmjet numrit dy të saj, Arjan Bejko, ka nisur disa shkresa të njëpasnjëshme pranë Ministrisë së Brendshme dhe konkretisht Drejtorisë së Gjendjeve Civile për furnizimin me certifikata, por nga këto institucione nuk ka asnjë përgjigje qoftë dhe negative.
Qytetarët presin në radhë pa e ditur se për sa ditë do t'iu duhet të mbarojnë punë, ndërsa numri i tyre shtohet shumë më tepër. Ankesat e qytetarëve janë të shumta, ndërsa të gjithëve, për arsye që nuk varen në këtë rast as nga bashkia e qytetit, iu duhet të presin për disa ditë deri në marrjen e një certifikate që e kanë shumë të nevojshme.
Burime të Bashkisë së Korçës bëjnë të ditur për gazetën se vështirësia për certifikata ka rreth dy javë që ka nisur, ndërsa dhe ato pak rezerva që ishin siguruar nga marrja borxh e këtij dokumenti në disa komuna fqinje, kanë përfunduar.
Një numër shumë i vogël, bëjnë të ditura të njëjtat burime, janë për raste tejet të veçanta. Në kushte normale punonjëset e gjendjes civile të bashkisë shpërndajnë rreth 300 certifikata, ndërkohë që në ditë piku kur ka emigrantë dhe studentë numri i tyre i kalon 750.