PBDNJ zgjedh PS-në, por mban ministrin në qeveri
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, deklaroi dje vendimin e kryesisë për të lidhur koalicion me PS-në
TIRANË- Më në fund, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut vendosi se me cilën parti do të vazhdojë bashkëpunimin e ardhshëm, si para ashtu edhe pas zgjedhjeve.
Pas dy ditësh negociata intensive, si me PS-në ashtu edhe me PD-në, Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka deklaruar dje pas mbledhjes së kryesisë se ata do të lidhnin koalicion me partinë më të madhe të opozitës, PS-në. Pas një mbledhje jo shumë të gjatë
të kryesisë, Dule tha se, pas negociatave me Kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama, forumet e PBDNJ-së vendosën bashkëpunimin me këtë të fundit.
"Duke qenë se kemi një traditë bashkëpunimi qeverisës, si me njërën parti, ashtu edhe me tjetrën, me korrektësinë më të madhe politike ezauruam të gjitha stadet e negociatave me PD-në, me të cilën bashkëqeverisëm për 4 vitet e fundit. Nuk u gjet terreni i vazhdueshëm i përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin.
Me PS-në negociatat na çuan në konkluzionin se mund të bashkëpunojmë për zgjedhjet e 28 qershorit", - tha Dule, i cili para fillimit të mbledhjes së kryesisë kishte zhvilluar një takim të gjatë me liderin e opozitës, Edi Rama.
I pyetur nga media se nëse koalicioni i djathtë fiton një mandat të dytë, cili do të ishte pozicioni i PBDNJ-së, ai u përgjigj: "Marrëveshja është e qartë, do të jetë para dhe paselektorale. Nëse shoqërisë shqiptare, ne, dhe koalicionit që po i bëhemi sot pjesë, do t'i rezervohet roli i opozitës, do të jemi opozitarë të devotshëm dhe të përkushtuar.
Në qoftë se do të jemi fituesit, do të jemi në vijën e parë të reformave të thella, të gjithanshme, pa marrë parasysh koston politike që shpeshherë i ka bërë ato deri më sot të jenë të cunguara dhe afatshkurtra", - tha Dule. Kryetari i PBDNJ-së ka mohuar gjithashtu që të ketë përplasje mes partisë që ai drejton dhe organizatës "Omonia".
PBDNJ në qeveri
Edhe pse Partia Bashkimit për të Drejtat e Njeriut lidhi koalicion me Partinë Socialiste, ajo ende vazhdon që të përfaqësohet në qeverisjen aktuale me një post ministror e konkretisht me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale.
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, nuk ka komentuar asgjë dje rreth këtij fakti, edhe pse siguroi për mediat se bashkëpunimi me PS-në do të ishte si para ashtu edhe paszgjedhor, pavarësisht rezultateve që do të dalin nga zgjedhjet e 28 qershorit.
Por, jo zyrtarisht mësohet se ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Anastas Duro, do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, pasi sipas PBDNJ-së, marrëveshja e lidhur me PD-në ka qenë katërvjeçare. Për pasojë, duket se i takon Kryeministrit Berisha që të marrë një vendim, në një kohë që mbledhjet e qeverisë do të vazhdojnë të zhvillohen deri javën e tretë të muajit qershor.