Guralumi-Arëza, duo violonçelë-piano
Nesër, ora 20.00, në sallën "Tefta Tashko Koço" të Ministrisë së Kulturës, violonçelisti Pjetër Guralumi dhe pianisti Aldi Arëza interpretojnë pjesë nga Beethoven, Schostakovich, Cassadó dhe nga kompozitori shqiptar Aleksandër Peçi.
Në këtë mbrëmje publikut i jepet mundësia të dëgjojë: "Sonata Op. 102, Nr.1, për piano e violonçelë" Bethoven, "Sonata Op. 40 për violonçelë dhe piano" Schostakovich, "Tri skica për violonçelë dhe piano" Peçi dhe dy pjesët: "Lamento di Boabdil" dhe "Requiebros" nga kompozitori spanjoll Gaspar Cassadó.
"Sytë e detit", koncerti me vepra shqiptare në AA
Më 18 dhjetor, ora 19.00, në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, në koncertin e quajtur "Sytë e detit" interpretojnë sopranoja Ardita Meni dhe pianisti Elvis Peçi. Në programin e mbrëmjes janë pjesët: "Ca pika shiu ranë mbi qelq", "Pulëbardha", "Er' e detit",
"Në shtëpinë tonë" të kompozuara nga Aleksandër Peçi, "Ti je si deti" Tonin Harapi, "Në Zaman të njasaj furie" (Popullore e përpunuar nga Çesk Zadeja), si dhe disa pjesë të kompozuara nga interpretuesi Elvis Peçi, 6 pjesët e premierës "Aqua Antiqua", ajo "Lumi i harpës së kuqe", "Një virgjëreshë prej kripe", "Kopshtet e përhershmërisë", "Harku i errët", "Loja e zenitit" dhe "Mosha e detit".
"Letra e hënës" në kinemanë Marubi
E enjtja e "Marubit" këtë javë i takon komedisë amerikane "Paper Moon" (102'), një realizimi i vitit 1973 i regjisorit Peter Bogdanovìch. Përpara shfaqjes së filmit në ekran, ora 19.00, programuesi Thomas Logoreci dhe Iris Elezi do të bëjnë një prezantim të shkurtër të tij.
Luajnë aktorët: Ryan O'Neal, Madeline Kahn, Tatum O'Neal etj. Në vitin 1974, aktorja Tatum O'neal ka marrë çmimin Oscar tek "Academy Awards", SHBA, si "Aktorja më e mirë joprotagoniste".