E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enti Rregullator Vendimi, rrezikon të penalizojë Shqipërinë me 60 mln euro

Në bazë të marrëveshjes OSSH ka të drejtë që të kërkojë zhbllokimin e kredisë 60 mln euro në favor të saj. ERE: Vendimi I bazuar në kosto


TIRANË- Vendimi i ERE për të mos miratuar në masën e kërkuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike rrezikon të penalizojë shtetin shqiptar me 60 milionë euro. Bëhet fjalë për një kredi të miratuar në pranverë të këtij viti gjatë negociatave midis qeverisë dhe kompanisë çeke CEZ për blerjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.


Në kushtet kur OSSH kishte bilanc negativ për shkak të humbjeve të mëdha, investitorët çek ranë dakord për blerjen e saj por me kushtin e një kredie-garanci që do të detyronte qeverinë shqiptare të zbatonte kushtet e kontratës së firmosur midis palëve.


Në këto kushte qeveria aplikoi për një kredi 60 milionë euro në formë garancie ndaj investitorit e cila do të hynte automatikisht në fuqi në favor të çekëve nëse pala shqiptare i shmangej ndonjë pike të kontratës, ku përfshihet edhe rritja e çmimit të energjisë.


Në kushtet kur kërkesa nuk është miratuar në masën e kërkuar referuar edhe marrëveshjes midis palëve por edhe deklaratës së dy ditëve më parë të drejtorit të Bordit të OSSH-së Josef hejsek, investitorët çekë mund t'i drejtohen Bankës Botërore për të kërkuar levrimin e kësaj kredie në favor të tyre, ndërsa shlyerja e saj do të kryhej me paratë e buxhetit të shtetit.


Në lidhje me këtë, përfaqësues të grupit të punës që shqyrtuan kërkesën e OSSH-së shprehen se tarifat janë miratuar duke u bazuar në koston që ka secili operator kështu që nuk ka se si të përfitohet kredia prej 60 milionë euro nga CEZ.


Edhe nëse ndodh që kjo çështje të dërgohet në gjykatë,- vijon më tej përfaqësuesi- ne do ta mbrojmë si çështje duke ofruar të gjitha të dhënat dhe përfundimet tona të cilat kanë dalë pas një pune disamujore nga grupi i punës.


Nuk dihet ende nëse pas këtij vendimi të ERE-s pronarët e rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes do të kërkojnë lëvrimin e kredisë në favor të tyre apo do t'i drejtohen gjykatës. I pyetur për këtë çështje, vetë Drejtori i Bordit të OSSH-së Josef Hejsek, u shpreh i zhgënjyer nga ky vendim, i cili sipas tij ishte i papritur, por nuk bëri asnjë koment në lidhje me hapat e mëtejshëm të kompanisë.


Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nga kompania çeke CEZ erdhi pas negociatash të gjata me qeverinë për shkak të bilancit negativ që prej vitesh shënonte ky operator. Që prej fundit të vitit 2008 CEZ është pronar i 76 për qind të aksioneve të OSSH-së duke i paguar shtetit shqiptar një shumë prej 102 milionë eurosh.


Energjia, rritje minimale për furrat e bukës


Çmimi i energjisë për furrat e bukës është rritur me 0.1 lekë për kË/h. Rritje e lartë për bizneset

TIRANË- Prodhuesit e Bukës mund të ndihen më të privilegjuarit për sa i përket tarifave të reja të energjisë elektrike. Ndërkohë që konsumatorët e tjerë do për përballen mesatarisht me një rritje 13 për qind, furrat e bukës të furnizohen me tension të ulët do të paguajnë 0.1 lekë për kilovat orë në krahasim me çmimin që paguajnë tani.


Kështu, nëse deri më tani një furrë buke që furnizohet me tension të ulët paguan 7.5 lekë për kË/h sipas tarifave të reja do të paguajë 7.6 lekë. Një rritje në të njëjtën masë është aplikuar edhe për furrat që furnizohen me tension të mesëm. Sipas tarifave të reja, një e tillë do ta paguajë energjinë e harxhuar me 7.1 lekë për kË/h nga 7.0 lekë që e paguan tani.


Për miratimin këtij niveli tarifash duket se ERE ka marrë parasysh rëndësinë që mbart ky sektor për konsumatorët. Gjatë shqyrtimit të kërkesës së OSSH-së për shtrenjtimin e energjisë prodhuesit e bukës kishin kërcenuar me rritje të çmimit të bukës nëse ajo ndodhte. Por, miratimi i një niveli të tillë tarifash hedh poshtë çdo pretendim të mëtejshëm për rritje të çmimit të bukës për konsumatorët.


Gjatë shqyrtimit të kërkesës për shtrenjtim të energjisë ERE ka mbrojtur konsumatorët familjarë nga rritja me 9.15 lekë për kilovat orë të kërkuar nga OSSH por ka miratuar një çmim më të lartë se ç'ka kërkuar kjo e fundit për bizneset që furnizohen me tension të ulët.


Për këtë grup, OSSH kishte kërkuar një rritje të çmimit me 19 për qind duke e çuar në 11.89 lekë për kË/h. Por, pas përllogaritjeve të bëra, ERE e ka parë të arsyeshme që ta rrisë edhe më tej tarifën për bizneset që furnizohen me tension të ulët duke e çuar atë në 12.2 lekë për kilovat.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›