Guri i Zi, një thesar i paeksploruar turistik që kombinon bukuritë natyrore me historinë dhe traditën

Guri i Zi, një ndër zonat më piktoreske të veriut të Shqipërisë, mbetet ende një destinacion i pazbuluar për shumicën e turistëve vendas dhe të huaj.
E vendosur mes natyrës së paprekur, kodrave të gjelbra dhe panoramave të mrekullueshme, kjo zonë ofron një kombinim të veçantë të bukurisë natyrore, historisë dhe traditës lokale.
Ajo që e bën të veçantë këtë vend janë mundësitë për ecje në natyrë, udhëtime me biçikleta malore, vizita në fermat e zonës, si dhe mikpritja e ngrohtë e banorëve vendas, të cilët ruajnë ende traditat e lashta të krahinës.
“Bukuritë e rralla që ka dhe shërbimet që ofron, ushqime bio, gatime që bazohen shumë në gatime tradicionale. Këto gjëra pëlqehen nga të huajt dhe nga turistët vendas. Turistët mund të shohin gjatë udhëtimit ishullin e Shurdhahut ose siç njihet ndryshe ishulli Sardes. Mund të shohin Shpellën e Pëllumbave dhe atë të Priftit. Janë edhe shumë plazhe privatë që bëjnë ndalesa, të cilat frekuentohen jo vetëm nga turistët por edhe nga vendasit”, tha sipërmarrësi Titi Ahmataj.
Afërsia me qytetin e Shkodrës e bën Gurin e Zi një zgjedhje ideale për udhëtarët që kërkojnë përjetime autentike larg zhurmës urbane, por jo shumë larg qytetërimit.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/