E Diel, 1 Nëntor 2026

Gustav dobësohet, çmimi i naftës ulet në bursë

Uragani që fillimisht u vlerësua si i tmerrshëm, u kthye në një stuhi pa pasoja të rënda në Gjirin e Meksikës

Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ra me më shumë se 4 dollarë dje si pasojë e fashitjes së frikës se uragani “Gustav” mund të dëmtonte industrinë amerikane të naftës. Uragani përshkroi Karaibet, Kubën e Floridan, rasa se të drejtohej për në Luiziana dhe Teksas, ku shkaktoi shumë panik si dhe rritje të çmimit të naftës në të katër anët e botës. Gjiri i Meksikës është një zonë detare naftëmbajtëse ku prodhohet një pjesë e rëndësishme e naftës dhe gazit që konsumohet në SHBA. Kur uraganet godasin zonën, kompanitë detyrohen të ndërpresin punën. Dje, uragani u kthye në një stuhi të shkallës së dytë, ndërsa iu afrua një porti të rëndësishëm nafte në Luiziana. Çmimi i naftës ra në 111 dollarë për fuçi në Nju Jork. Në Londër, çmimi ra në 109 dollarë për fuçi, duke dëshmuar se tendenca e përgjithshme e çmimeve të naftës është gjithsesi në rënie.

“Duket se “Gustav” nuk do të bëhet një stuhi e fuqishme, siç u besua në fillim”,- tha Phil Flynn, ekspert në Çikago. Së paku, 12.5% e kapacitetit rafinues të SHBA-ve u mbyll përkohësisht gjatë dy ditëve të fundit. Në vitin 2005, uragani “Katrina” dëmtoi rëndë mbi 100 platforma nafte në Gjirin e Meksikës, si dhe mbylli shumë rafineri të mëdha për shumë muaj. Më shumë se dy milionë njerëz u larguan nga bregu i Luizianës ndërsa 11 milionë amerikanë u rrezikuan nga stuhia në pesë shtete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›