E Enjte, 5 Nëntor 2026

Guvernatori Sejko: Jemi optimistë se s’do të ketë nevojë për shtim të stimulit monetar

Banka e Shqipërisë është optimiste se ekonomia shqiptare është në rrugën drejt rimëkëmbjes, pa pasur nevojë për të rritur më shumë stimulin monetar. Guvernatori, Gent Sejko, tha të martën gjatë raportimit në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë se të dhënat e fundit janë inkurajuese që ekonomia do të rikthehet në binarët e rritjes qysh këtë vit.

Sipas tij, përmirësimi i situatës së pandemisë dhe reflektimi i kësaj tendence edhe në treguesit ekonomikë shtojnë shpresën se momenti më i vështirë ka kaluar dhe se ndoshta nuk do të jetë e nevojshme që norma bazë e interesit të ulet më tej nga minimum historik prej 0.5%, ose të shkohet më tej në përdorimin e instrumenteve jokonvencionale të politikës monetare.

Në raportin vjetor 2020, Banka e Shqipërisë shprehet se premisat për rimëkëmbjen e ekonomisë janë pozitive, por sidoqoftë pasiguritë për të ardhmen mbeten ende të larta. Zhvillimet ekonomike në të ardhmen mbeten të kushtëzuara nga ecuria e situatës epidemiologjike. Me përfundimin e saj dhe me uljen e pasigurive, aktiviteti ekonomik pritet të vijë në rritje, i mbështetur nga një stimul i konsiderueshëm monetar dhe fiskal, si dhe nga rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik botëror. Një element që shton optimizmin në këtë drejtim është edhe fillimi i procesit të vaksinimit.

Sipas Institutit të Statistikave, ekonomia shqiptare u tkurr me 5.5% vitin e kaluar, ndërsa punësimi ra me 1.2%. Rënia ekonomike pasqyroi kontraktimin e njëkohshëm të thuajse të gjithë përbërësve të kërkesës agregate dhe shumicës së sektorëve të ekonomisë. Kriza goditi në mënyrë të veçantë flukset tregtare dhe sektorin e shërbimeve, si aktivitetet më të ekspozuara ndaj kufizimeve të vendosura. Nga ana tjetër, rritja e stimulit fiskal kompensoi pjesërisht rënien e konsumit dhe të investimeve private. Rënia ekonomike tkurri të ardhurat fiskale, të cilat, të kombinuara me rritjen e shpenzimeve, sollën rritjen e shpejtë të deficitit fiskal dhe të borxhit publik, që arriti në 77.8% të PBB-së në fund të vitit 2020, nga 66.2% në fund të vitit

Ndikimi më i madh i pandemisë u shfaqë në tremujorin e dytë. Më tej, relaksimi i kufizimeve i hapi rrugë një rikuperimi gradual dhe të pjesshëm të aktivitetit ekonomik dhe të tregut të punës. Megjithatë, si prodhimi ashtu edhe punësimi mbeten në nivele më të ulëta në raport me vitin 2019 dhe kapacitetet prodhuese të pashfrytëzuara janë rritur. Për pasojë, presionet

inflacioniste vijojnë të jenë të ulëta. Inflacioni mesatar për vitin 2020 rezultoi në nivelin 1.6%, duke qëndruar poshtë intervalit të poshtëm të BSH-së.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e stimulit monetar ndihmoi në kontrollin e kostove të financimit dhe të shërbimit të borxhit dhe nxiti financimin e sektorit privat me kredi bankare. Falë sigurimit të likuiditetit të bollshëm e të mjaftueshëm, tregjet financiare vazhduan normalisht aktivitetin e tyre dhe mundësuan një transmetim të mirë të stimulit monetar në ekonomi. Kostot e financimit për sektorin privat dhe atë publik mbetën në nivele të ulëta historike dhe kursi i këmbimit ishte i qëndrueshëm.

Banka e Shqipërisë thekson se sektori bankar dha një kontribut mjaft pozitiv dhe të dobishëm gjatë krizës, duke vijuar kreditimin dhe duke marrë përsipër të paguajë një pjesë të faturës financiare, nëpërmjet procesit të shtyrjes së kësteve të kredisë dhe nëpërmjet ristrukturimit të saj. Në raport theksohet se vijimësia e kreditimit është një parakusht i rëndësishëm për të siguruar mbështetjen e nevojshme financiare, në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›