Guximi i jetës kundër vdekjes, Berisha kundër Ramës
Një ditë para dhe një ditë prapa liberalizimit të vizave mbaja shënime nga prononcimi i Sali Berishës dhe Edvin Ramës. I pashë teksa u flisnin njerëzve, mikrofonave dhe telekamerave, dhe as që u përqendrova tek fjalët që përcillnin në eter. Konferencë prag e pas feste në kryeministri dhe protesta për kutinë në Durrës. Në fund të fundit ishin të ditura përmbajtja e fjalimeve të tyre, porse ishte më interesante të shikoje fytyrat, gjestet dhe tiket nervore të tyre. Nga fjalimet mbaj mend vetëm tingullin e zërit, modulimin dhe vështrimet që pasonin, pa dëgjuar çka thoshin. Më interesonte ti vëzhgoja nga ana njerëzore. Duke parë përpos jetës së tyre, pos të vërtetave të tyre.
Për tu futur më shumë në jetët e tyre kërkova t’i imagjinoja si kanë qenë të rinj, duke i projektuar në të kaluarën, bile i imagjinova deri fëmijë dhe pastaj duke u kthyer në të tashmen i pashë siç janë sot. Pashë një ndryshim të madh midis tyre. Berisha tenton të mbajë një qëndrim prej prindi në fytyrë, me dinjitetin e moshës, i reziston plakjes dhe vdekjes me buzëqeshje, batuta dhe bren dashuri për jetën, me një përkushtim absolut. Rama duket sikur ka kaluar nga ana e vdekjes, fytyra me krem kundër rrudhave, me qeska të zeza pagjumësie, si lakuriq nate poshtë syve, i parruar lëshon sinjale të zeza: duhet të vdesësh në kuti, do të marr në qivur.
Nuk është vetëm liberalizmi i vizave, me lëvizjes e lirë të qytetarëve që shpreh dashurinë e jetës dhe nga ana tjetër bllokadën e mbylljes në kuti. Po kështu nuk kemi të bëjmë me një mesazh që e tejkalon luftën politike të mbajtjes dhe marrjes së Pushtetit. Por me diçka personale, më shumë jetëshkrimore. Në personin e Berishës gjendet horror vacui, që në art do të thotë se mbulon hapësirë deri në detaje të jetës. Kurse tek Rama gjendet një cupio dissolvi, një dëshirë për të vdekur, të maskuar me qime dhe buzëqeshje të printuara bardh e zi. Buzëqeshja është e orkestruar, pasi dhëmbët janë po aq artificialë seç është sjellja e tij.
Në shpatullat e Berishës gjendet pesha e atij që ka themeluar, ndërtuar dhe drejtuar. Në shpatullat e Ramës gjendet pesha e ekstravagancës, të kundërshtisë, të frenim dhe shkrirjes. Ka ashpërsi tek të dy, dhe kujtesa ta konfirmon këtë, duken shenjat e plagëve të së kaluarës dhe të së tashmes. Dallimi është i qartë mes përkushtimit mjekësor të Berishës për jetën dhe shkatërrimi drejt asgjësimit prej piktori të Ramës. Njëri lufton për jetën kurse tjetri për vdekjen.
Në fytyrën e Ramës agjentë kimikë dhe politikë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme sepse sinjalizojnë një egërsi, një shenjë hakmarrje, një ndjenjë inferioriteti. Nuk gjendet ambicia e së pritshmes, projekti për të ardhmen, shtysa ideale për më mirë. Në fakt gjendet ngarkesë e fortë, e studiuar, e miratuar urrejtje me cipë sadizmi, të projektuar nga e kaluara, nga blloku. Rikrijimi in vitro i gjeneratës së dytë të bllokut këtë synim parashtron, pra, aklimatizimi i shtypjes dhe ndrydhjes. E shikoj larg të kaluarës rinore, të mbrojtjes atërore ndaj prapësive.
Kurse në fytyrën e Berishës shikoj vështrimin prej malësori, vendosmëri deri në limite të pakufizueshme. Mimika transmeton shfaqjen e mendjes dhe kurrë të zemrës, pse si kardiolog njeh mirë ritmin dhe presionin arterial. Me gjoksin e fryrë sikur të kishte poshtë xhaketës një koracë të padepërtueshme, një anti-plumb, diçka e fortë për tu mbrojtur. Gjithçka është në funksion të asaj çka ka themeluar, ndërtuar dhe drejtuar me duart e veta. Sigurisht për ta mbrojtur, kultivuar dhe ndryshuar.
I shikoj dhe nuk mendoj për pozicion e tyre politik, i shikoj përgjatë jetës së tyre. Njëri ka shpëtuar jetë, ka mbrojtur vlera, kanune, zakone për ti dhënë kuptim jetës, në të mirë dhe në të keq. Kurse tjetri ka bërë shumë pak. Ka fituar pak dhe humbur shumë, ka folur shumë dhe ka bërë pak, ka gabuar më pak sepse nuk ka guxuar më shumë, ka trashëguar partinë dhe nuk ka themeluar partinë.