E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Do i heqim PS-së alibinë për humbjen e zgjedhjeve

17-12-2010 / Gazeta 55

Opozita ndreq kërkesën, Kuvendi miraton javën e ardhshme ngritjen e Komisionit Hetimor

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar 23 dhjetorin si datën kur do të ngrihet komisioni hetimor. Në votimin e djeshëm ku mori pjesë edhe opozita deputetët e Kuvendit miratuan me 126 vota ‘pro’ dhe 3 kundër datën për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Partia Demokratike, duke iu përgjigjur kërkesës së Partisë Socialiste, ka deklaruar se është e gatshme që javën e ardhshme, më 23 dhjetor të votojë ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Opozita u zvarrit për 18 muaj rrugëve të Shqipërisë për të bllokuar ngritjen e komisionit hetimor/Sipas kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, vetë mazhoranca është e interesuar për ngritjen e komisionit, për t’i hequr PS-së “alibinë” e saj për humbjen e zgjedhjeve. “Ne dhe vetëm ne duam që ky komision të ngrihet dhe a e dinë pse jo se kemi ndërruar mendim për zgjedhjet e 28 qershorit, kemi bindje absolute që ishin zgjedhjet më të mira që ky vend ka zhvilluar ndonjëherë, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk i heqim asnjë presje raportit të OSBE-ODHIR për këto zgjedhje duke përfshirë dhe sugjerimet dhe vërejtjet e tij. ne duam që ky komision të ngrihet për një arsye të vetme duam që tju çarmatosim, duam t’ju çaktivizojmë që të mos endeni si një rrezik publik rrugëve të Shqipërisë dhe të botës, pra ne duam që t’ju heqim alibinë për zgjedhjet e kaluara që humbët, por dhe zgjedhjet e ardhshme që do t’i humbni gjithashtu”- u shpreh kreu i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi. Ai shtoi se “opozita duhet të shmangë çdo lloj debati për kohën sepse data është kohë dhe koha nuk flet për opozitën”. “Nuk mund t’i thuash dot miliona shqiptarëve se nuk më pret puna këtë javën e fundit dhe e kam me ngut këtë javën e fundit, ndërkohë që je zvarritur qëllimisht dhe me dëshirë një vit e gjysmë rrugëve të Shqipërisë dhe rrugëve të botës, për një pseudo kauzë. Unë mendoj që ne ju kemi pritur shumë, por po të isha më i saktë ne nuk ju kemi pritur shumë sepse ne kemi qenë me duar të zëna se kemi bërë disa punë të mira për këtë vend gjatë këtij njëviti i gjysmë”- u shpreh Patozi. Ai iu drejtua përfaqësuesve të opozitës, duke deklaruar se “zgjedhësit tuaj ju kanë pritur me padurim, ju kanë pritur 6 muajshin e parë kur opozita nuk vinte në parlament për t’i përfaqësuar ato dhe keni ardhur ditën e fundit kur skadonte mandati dhe rrogat tuaja”. Duke iu referuar grevës së urisë, Patozi vuri në dukje se një sjellje e tillë ishte gënjeshtra më e madhe që iu faturua qytetarëve shqiptarë dhe njëherazi tendenca më e madhe për të bllokuar proceset integruese të Shqipërisë. “Ju kanë pritur 6 muajshin e dytë kur erdhët u futët brenda sallës por nuk bëtë asnjë punë tjetër përveç grevës së rremë të urisë. Dikujt mund t’i vijë keq, por unë nuk mund të jem cinik, unë i besoj dëshmitarëve okularë të cilët ju kanë parë që greva ishte e rreme. Nuk është përgjegjësi e imja që fakti që ju e zgjodhët vetë oborrin e kryeministrisë për të pasur dhe dëshmitarë në grevën tuaj. Zgjedhësit tuaj ju kanë pritur dhe këto 6 muajt e fundit para se të vinim në këtë ditë që të bënim ndonjë punë të mirë për liberalizimin e vizave. Por ju nuk bëtë asnjë gjë nuk votuat asnjëherë edhe për ligjet shumë të rëndësishme që kishin të bënim me interesat jetike të tyre”- tha ai. Patozi shtoi gjithashtu se opozita zvarriti qëllimisht çështjen, pasi në fund fare u kujtua të ndryshojë kërkesën dhe pse mazhoranca ia kishte bërë të ditur kohë më parë, për parregullsitë ligjore dhe shkeljet e Kushtetuës. “Në të gjitha mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve, është evidentuar fakti se kërkesa e juaj ka qenë e paligjshme. Ne duhet të falenderojmë konferencën e kryetarëve, duam të falenderojmë dhe kontributin e kryetarit të komisionit të ligjeve i cili të paktën ju solli në vëmendje që një kërkesë që është në mënyrë evidente e jashtëligjshme nuk mund ti sillet seancës. Unë përfaqësuesve të mazhorancës që të mos provokojnë seancën në rast se e kanë seriozisht kërkesën e tyre për ngritjen e komisionit parlamentar. Cila ishte përgjigja? Përgjigja ishte që nuk ka nevojë të merret as konferenca dhe as komisioni i ligjeve me kërkesat formale juridike të një nisme ligjvënëse, por ne ta sillnim direkt seancës që me fjalë të tjera do të thotë të vijë dhe të rrëzohet në seancë. Kjo është dëshmia e qartë e asaj se kujt i mungon vullneti politik për ta bërë komisionin hetimor parlamentarë”- tha Patozi, duke shtuar se mazhoranca nuk e kaloi çështjen në seancë, ku sigurisht do të rrëzohej me qëllim për t’i dhënë mundësi opozitës, që të paktën kërkesa të plotësohet në aspektin formal juridik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›