Guy Ritchie: "Sherlock Holmes, është një rebel"

Intervista / Historia e agjentit të famshëm Sherlock Holmes në një variant të ri. Në ekran sipas një prej regjisorëve më të talentuar të sotëm britanik, Guy Rithcie. Vjen më Millenium më 24 shkurt. Me aktorët Robert Downey i Riu dhe Jud Law
Nëse qëllimisht ka realizuar një agjent të ri, Guy Ritchie "beson se i ka mbetur besnik personazhit dhe krijuesit të tij, Conan Doyle".
Aty për aty ndihet që Guy Ritchie mbrohet. Gjatë qëndrimit në Paris, për të mbrojtur Sherlock Holmes, "ishi i Madonës" u përgjigjet fillimisht pyetjeve me "po" dhe "jo". Gjersa të shtendosej dhe të bënte shaka nga fundi i intervistës.
Qysh se është shfaqur në kinematë amerikane, Sherlock Holmes është një hit, duke i bërë ballë, me guxim madje edhe vetë cunamit "Avatar". Por l'enfant terrible i kinemasë britanike është mosbesues për pritjen që Evropa plakë i rezervon filmit të tij.
Kritikët anglezë janë zhgënjyer nga filmi juaj. Sipas mendimit tuaj, pse?
Nuk e di. Ma thoni ju. Ju e dini, unë bëj filma në funksion të asaj që besoj. Jo në funksion të asaj që duan kritikët. Nuk ka shumë kohë që bëj këtë punë.
Megjithatë një gjë e di: filmi po shkon mirë gjithkund, përfshi edhe Britaninë e Madhe. Kam dyshuar që vizioni im për Sherlock Holmes-in nuk do t'ju pëlqente të gjithëve. S'ka rëndësi! Por në thelb, puna ime është e thjeshtë: më besoni dhjetë sterlina dhe kam për t'jua kthyer me interes!
E keni lexuar në rini Conan Doyle-in?
Në fakt, hetimet e Sherlock Holmes-it i kam zbuluar kur isha i vogël nëpërmjet audio kasetave. Para se të mësoja shkrim e lexim.
I keni parë përshtatjet e para me Basil Rathbone, Peter Cushing apo Jeremy Brett?
Nuk kam parë asnjë nga prodhimet origjinale. Kurrë!
Ishte sfidë përshtatja e një personazhi të tillë?
Jo. Sfida e vërtetë ishte që të sillja në ekran idenë time personale për Sherlock Holmes-in, vizionin tim për personazhin ashtu siç duhej të ishte. Ishte çështje durimi për mua. Kur lexova skenarin e Lionel Wigram-it, e dija që këtë shans e kisha.
Sipas jush, kush është Sherlock Holmes-i?
Është një personazh shumëdimensional. Një agjent i shkëlqyer por me një thembër Akili. Aftësia e tij për të zgjidhur enigmat, falë dhe vetëm intelektit të tij të jashtëzakontë dhe shqisës së tij deduktive, kthehet edhe kundër tij. Është një gjeni me defekte. Prandaj, Sherlock Holmes është një nga pionierët e mëdhenj të letërsisë policore.
Në raport me Sherlock Holmes-at e tjerë, çfarë ka sjellë Robert Downey i Riu?
Jashtëzakonisht shumë. Downey i Riu është një aktor i mrekullueshëm, i zoti për të interpretuar në shumë regjistra.
Në jetë ai është tip po aq me tru saç ishte Holmes-i. Ndonjëherë ai është shumë më afër Sherlock-ut se sa unë! Por Roberti kishte vizionin e tij për personazhin dhe unë kisha timin. Ai ka sjellë herë pas herë gjetjet e veta.
Personazhi ka marrë një prirje për nga të rinjtë. Këtë donit të bënit, një njeri pak bohem, pak rock'n'roll apo punk?
Nuk jam i sigurt nëse kemi të njëjtin kuptim për fjalën "punk". (Qesh) Por është e vërtetë se Sherlock Holmes ka një sjellje dhe një mentalitet që ngandonjëherë nuk ka kufij në të ardhmen.
Thuhet se kjo gjendje shpirtërore rock'n'roll ishte aksident i dëshiruar. Më pëlqen ana rebele e Sherlock Holmes-it. Kur lufton, pasi ka përkryer mendërisht strategjitë e tij të luftës, thuhet se vërtet është cool!
Faktikisht doja të xhiroja një film për spektatorët e sotëm, duke i mbetur besnik personazhit dhe krijuesit e tij, Conan Doyle. Duhej të ruaja një ekuilibër midis modernitetit dhe vërtetësisë. Po qe se publiku e vlerëson filmin, jam i sigurt që do të bëhet një i dytë.
Kësaj here me Moriarty-n famëkeq?
Tani për tani nuk mund t'ju them gjë, më vjen keq.
Le Figaro