E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji "Antimafia", Prokuroria nis verifikimet

Vetëm pak javë pas miratimit të ligjit për hetimin dhe verifikimin e pasurive, Krimet e Rënda nisin verifikimet e personave dhe grupeve kriminale


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, konkretisht seksioni i Sekuestrimit dhe Konfiskimit të Aseteve Kriminale, ka filluar rihetimin e pasurisë së personave që ndodhen nën hetim e në proces gjykimi, për akuzat e trafiqeve të ndryshme.


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët shtuan se të gjithë personat që janë nën hetim apo në proces gjykimi do t'i nënshtrohen edhe njëherë verifikimit të pasurisë së tyre në përjashtim të rasteve apo aseteve që janë shqyrtuar njëherë në një proces hetimor apo gjyqësor.


Sipas këtyre burimeve, mësohet se me hyrjen në fuqi të "Ligjit për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar" i njohur ndryshe edhe si ligji "Antimafia", Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar hetimet e para të verifikimit të pasurisë së personave që dyshohet se janë ngritur në mënyrë të paligjshme.


Gjithashtu, përveç këtyre rasteve hetimore, institucioni i akuzës do t'i shqyrtojë dhe verifikojë edhe njëherë të gjitha pasuritë e personave të akuzuar si drejtues të organizatave kriminale apo trafiqe të ndryshme, si Aldo Bare, Lulëzim Berisha, Hekuran Hoxha, Emiljano Shullazi etj etj.


Sipas këtyre birimeve mësohet se këtyre personave nuk do t'i verifikohet pasuria e cila i është nënshtruar njëherë një procesi hetimor apo gjyqësor, por vetëm ajo pasuri që nuk është verifikuar dhe që dyshohet se është ngritur pas arrestimit të tyre nga persona të afërm të familjes së tyre.


Kështu që prokurorët e seksionit të Sekuestrimit dhe Konfiskimit të Aseteve Kriminale pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë duke bërë një rivlerësim të përgjithshëm për çdo dosje penale, me qëllim evidentimin e pasurive të tjera si: llogari bankare, sipërfaqe tokësore, apartamente, garazhe e të tjera.


"Çdo dosje që vazhdon të hetohet apo gjykohet, tashmë me miratimin e ligjit të ri do të kalojnë në "skaner", me qëllim identifikimin e pasurive të tjera, që dyshohet se janë vënë si rezultat i aktivitetit kriminal"- thanë nga burimet e akuzës.


Sipas tyre, përjashtim përbëjnë vetëm rastet, kur mbi një objekt, automjet apo llogari bankare që është vendosur njëherë masa e sekuestro dhe ndaj tyre është zhvilluar një proces gjyqësor. Megjithatë burimet shtuan se kjo pikë është lënë për tu diskutuar me qëllim vendosjen ose jo për rihetimin e rasteve të gjykuara.


"Çështjet që po shqyrtohen për të filluar verifikimin janë ato dosje të cilat janë hetuar por me vendimin e Gjykatës së Lartë janë pezulluar shqyrtimet e atyre dosjeve. Këto dosje, të "pezulluara" do të hapen për t'i verifikuar pasuritë personave të hetuar apo që ndodhen në fazën e gjykimit",-thuhet nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme.


Gjithashtu, këto burime saktësuan se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur grupin e punës, të cilët do të merren me hetimin apo verifikimin e pasurisë së personave nën hetim apo edhe të atyre dosjeve që priten të referohen nga Drejtoria e Policisë së kryeqytetit apo atyre të rretheve.


Mësohet se deri më tani, Policia e Shtetit nuk ka referuar ndonjë dosje me objekt hetimin e pasurisë së personave të dyshuar për përfshirje në ndonjë trafik të mundshëm të lëndëve narkotike, trafik të armëve dhe municioneve, kontrabandim të qenieve njerëzore etj etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›