Polici sulmohet dhe plagoset në komisariat

Zyra e Antiterrorit të Policisë së kryeqytetit arrestoi për agresionin Fuat Xhimën 23 vjeç, banues në Kombinat
Autori i ngjarjes kërkonte me çdo kusht të parkonte automjetin e tij në ambientet e komisariatit të policisë
TIRANË- Një efektiv i komisariatit të Policisë nr.6 në kryeqytet, mbeti i plagosur rëndë në kokë dy ditë më parë, pasi u qëllua me levë, nga një person që kërkonte të parkonte automjetin e tij përpara komisariatit të Policisë.
Alaudin Hasanaj, u plagos të mërkurën në mbrëmje, gjatë kohës së kryerjes së shërbimit, ndërsa agresori i tij u arrestua në flagrancë nga kolegët e të dëmtuarit. Punonjësi i policisë Alaudin Hasanaj, 29 vjeç, me banim në Tiranë, u godit me sende të forta rreth orës 17. 00 të ditës së mërkurë në vendin e punës së tij, përpara godinës së Komisariatit nr. 6 në Kombinat dhe mësohet se gjatë sulmit që iu është bërë policit janë dëmtuar edhe disa kolegë të tij.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, si autor i sulmit të policit është arrestuar Fuat Xhima, 23 vjeç, banues në Tiranë, i cili është ndaluar nga Specialistët e Seksionit Kundër Akteve Terroriste.
Burimet e policisë, sqaruan dje se efektivi i plagosur ka qenë duke shërbyer në portën hyrëse të Komisariatit nr. 6 që ndodhet në Kombinat, kur në drejtim të oborrit të komisariatit ka tentuar të parkojë makinën tip "Benz" me targa TR 7573 H, 23- vjeçari Xhima.
Në këtë moment A. Hasanaj ka debatuar me të riun që të mos parkojë makinën në vendin që nuk lejohej, por sherri me fjalë midis tyre ka përfunduar në përdorimin e sendeve të forta nga Fuat Xhima. Ky i fundit ka marrë një levë dhe ka qëlluar efektivin e policisë në kokë, duke i shkaktuar plagë të rëndë.
I dëmtuari është nisur menjëherë në spitalin ushtarak nga kolegët e tij për të marrë ndihmë mjekësore dhe sipas mjekëve ai ka pasur një plagë vetëm në pjesën e kokës. Efektivi i rendit ka lënë spitalin ushtarak mbrëmjen e së mërkurës pas mjekimit që ka marrë duke kaluar në këtë mënyrë rrezikun për jetën nga plaga që iu kishte shkaktuar nga goditja me levë.
Por gjatë konfliktit mes policit dhe të riut nga Tirana janë përfshirë dhe punonjës të tjerë të komisariatit nr. 6 që kanë tentuar të parandalojnë goditjen me levë të kolegut të tyre.
Në reagimin zyrtar të Policisë së Tiranës për këtë ngjarje, thuhet se i arrestuari ka tentuar ta vrasë me levë punonjësin e policisë pas konfliktit që kanë pasur për parkimin e makinës së 23 -vjeçarit nga Tirana. Ndërkohë, Fuat Xhima do të hetohet për konsumimin e veprës penale të vrasjes në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë.