E Hënë, 2 Nëntor 2026

"H.D" - 38 akuza nga vjedhja e bankave deri tek bomba tek VEFA dhe vrasja e Drejtorit te Burgjeve

Sipas prokurorisë, 10 të pandehurit gjatë periudhës 1992 – 1996 kanë kryer 8 vrasje, 17 plagosje dhe 13 vjedhje,

U deshën rreth 10 vjet që nga fillimi i seancës së parë gjyqësore ndaj dhjetë të akuzuarve si pjesëtarë të organizatës kriminale "Hakmarrja për Drejtësi", që togat e zeza të dëgjojnë për herë të parë nga organi i akuzës konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurve që tashmë po shijojnë lirinë në kushte dhe vende të ndryshme të botës. Pasi pesë prej tyre, Altin Arapi, Orik Shyti, Kreshnik Spahiu, Nikolin e Pasho Novruzaj ndodhen në tre shtete skandinave më statusin "azil politik", tre të tjerët: Roland e Leart Shyti dhe Gentian Caka ndodhen në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë që nga viti 1997, ndërsa dy të fundit Dritan Hate dhe Gëzim Gjoni janë liruar me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit dhe janë gjykuar në liri.

Por, edhe për kundër kësaj mungese të të pandehurve në "kafazin" e hekurt të sallës së gjyqit, prokurorët e Krimeve të Rënda vazhduan për rreth 3 vjet e 7 muaj procesin gjyqësor ndaj 10 të pandehurve të kësaj organizate pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ku gjatë këtyre viteve hetim gjyqësor, nuk munguan debate të ashpra mes avokatëve e prokurorëve dhe trupit gjykues, për dëshmi e prova të ndryshme të sjella nga akuza e mbrojtja. Kështu që, pas një rrugëtimi të gjatë gjyqësor, përfaqësuesit e Prokurorisë arritën në fazën përfundimtare të pregaditjes dhe leximit të konkluzioneve përfundimtare të përpiluara në 134 faqe format A4. Ku u analizuan një nga një të 17 episodet e ndodhura nga viti 1992 e deri në vitin 1996 ku shumë prej tyre u arrestuan. Sipas prokurorëve Genci Qano dhe Ened Nakuçi të 10 të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në kuadër të organizatës kriminale të quajtur "Hakmarrja për Drejtësi" kanë kryer krime, që nga vrasja, rrëmbimi, vjedhja, plagosja dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare. Sipas konkluzioneve të akuzës, "pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të dëshmive, provave, pyetjen e dëshmitarëve dhe shumë akt-ekspertime dhe procesverbale të këqyrjes së vendngjarjeve kemi arritur në përfundim se të pandehurit i kryenin vjedhjet në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke i ndarë fitimet në bazë të personave që merrnin pjesë në këto vjedhje".

Ndërkohë, prokurorët kanë arritur të zbulojnë rolet drejtues të kësaj organizatës, që sipas konkluzioneve, janë tre të pandehurit: Altin Arapi, Orik Shyti dhe Gentian Caka, ndaj të cilëve u kërkua nga Gjykata dënimin e tyre me burgim të përjetshëm. Ndërkaq, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Nikolin Novruzi u kërkua nga gjykata dënimi i tij me 24 vjet burg; për Roland Shytin prokuroria kërkoi dënimin e tij me 25 vjet burg; për të pandehurit Leart Shyti dhe Kreshnik Spahiu Prokuroria kërkoi nga gjykata dënimin me nga 22 vjet burg secili. Ndërsa, për të pandehurit Pasho Novruzaj dhe Dritan Hate përfaqësuesit e akuzës kërkuan nga gjykata dënimin e tyre me nga 21 vjet burg secili. Dhe për të pandehurin e fundit që ndodhet në Shqipëri dhe po shijon lirinë pas 4 vjet mbyllje në qeli, Gëzim Gjoni prokuroria kërkoi dënimin e tij me 8 vjet burg vetëm për akuzat e falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Sipas prokurorisë, 10 të pandehurit gjatë periudhës 1992 – 1996 kanë kryer 13 vjedhje, 8 vrasje dhe 17 plagosje në mënyra të ndryshme, si me armë zjarri dhe lëndë eksplozive. Sipas akuzës, në 13 vjedhjet e kryera të pandehurit kanë grabitur rreth 508 mijë dollarë amerikanë dhe rreth 30 milion lek të reja. Pas katër orë leximit të konkluzioneve përfundimtare të akuzës, gjykata vendosi të ndërpres shqyrtimin gjyqësor duke i lënë afat një mujor avokatëve mbrojtës për të pregaditur pretendimet e tyre përfundimtare, edhe pse gjatë seancës së djeshme avokatët e të pandehurve i cilësuan këto masa dënimi të ndikuara nga manipulimi i provave dhe dëshmive. Vetë përfaqësuesit e akuzës, gjatë analizës së fakteve dhe provave renditen si prova kryesore, dëshmitë e vetë të pandehurve të cilët kanë deklaruar gjatë fazës së marrjes në pyetje nga policia gjyqësore, ku me dëshmitë e të pandehurve prokuroria ka renditur edhe provat e tjera të marra gjatë fazës së gjykimit e asaj të hetimit në vitin 1996. 17 KRIMET PER TE CILAT AKUZOHET  "HAKMARRJA PËR DREJTËSI"

29.01.1993 - Grabitet dega e valutës së Bankës së Kursimeve rreth 307 mijë dollarë

13.04.1993 Grabitet selia e shoqërisë "IAP", ku vidhen rreth 53 mijë dollarë

15.12.1993 - Vritet tek "21 dhjetori" Sami Jata dhe nuk mund t'i vidhen lekët që transportonte

11.08.1994 - Shoqëria "Shkumbin Petrol" grabitet në mes të ditës, merret kasaforta dhe shpërthehet më vonë, ku i vodhën 2.6 milion lek të reja

12.10.1994 - Grabitet shoqëria "IAP", merren 3.500 dollarë dhe plagoset roja Eduard Trimi

13.12.1994 - Vidhet me pasojë vdekjen shtetasi Pal Prendi nga Vlora, punonjës i pikës së grumbullimit të parave të "Gjallicës". Grabiten 2 arka me para. Shuma 3 milion lekë.

14.01.1995 - Grabitet argjendaria "Agron", në vlerën 576.377 lekë të reja

20.01.1995 - Grabitet Banka e Kursimeve dega në Vlorë, në vlerën 2.6 milion lekë

21.01.1995 - Grabitet kompania e sigurimeve shoqërore "INSIG", ku grabiten rreth 156 mijë lek të reja, me pasojë plagosjen e punonjësit të kësaj shoqërie

03.03.1995 - Grabitet Ndërmarrja e Lëndëve Djegëse në Tiranë "Butongas", ku i vidhen rreth 430 mijë lek të reja

12.04.1995 - Vritet dhe më pas i merren lekët shtetasit Pirro Komini, që transportonte lekët e "VEFA"-s në banesën e tij, në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Vlera 18 milion e 500 mijë lekë i grabiten

15.06.1995 - Grabitet fabrika e sfungjerit "Albafon" në Laprak ku i vodhën rreth 940 mijë lek të reja

31.10.1995 - Rrëmbehet fëmija Erjon Nushi, prindërve u kërkohet 200 mijë dollarë, por lirohet 3 ditë më pas pa marr lekët e kërkuar

12.01.1996 - Grabitet filiali i shoqërisë "VEFA" në Vlorë, merren 145 mijë dollarë

18.04.1996 - Grabitet Banka Kombëtare Tregtare dega Vlorë, merren 2.2 milion lekë të reja

26.02.1996 – Vendosja e eksplozivit në super-marketin e kompanisë "VEFA" në Tiranë, vriten katër persona plagosen 17 të tjerë

26.07.1996 - Vritet ish-drejtori i burgjeve, Bujar Kaloshi në afërsi të shtëpisë së tij

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›