HELENË
(Për librin Kohë e pamjaftueshme të Helena Kadaresë)
Nga Ilir Yzeiri
Në imazhin tim, por edhe të shumë prej bashkëmoshatarëve të mi apo ndoshta edhe të një tërësie më të gjerë shqiptarësh, emri Helenë të sjell menjëherë në përfytyrim portretin e një vajze bionde që shfaqet në kiçin e një anijeje me një vështrim të përhumbur larg dhe pas saj mbërrin me dorën në sup Paridi. Ky imazh i Helenës së Trojës është kaq shumë i rrënjosur në përfytyrimin tim sa që gjithçka e bukur, rrëzëllitëse dhe misterioze nuk mund të përfytyrohet ndryshe, por vetëm nga mbështjellja me këtë emër: Helenë. Por vitet kalonin dhe në imazhin kolektiv hyri edhe një emër tjetër: Kadare. Unë sot nuk jam në gjendje ta them, por e di me siguri se sa herë që ne flisnim për Kadarenë, për veprën e tij, përmendnim edhe Helenën. Këtë nuk e di ta them me siguri se përse ndodhte kështu. Ndoshta për shkak të vezullimit që kishte vepra e Kadaresë, për shkak të misterit po se po, për shkak të një fryme gati olimpike, tragjike e ndonjëherë edhe për shkak të një simetrie të përsosur, emri dhe vepra e Kadaresë na vinte gjithmonë në vështrim edhe me një emër tjetër me emrin Helenë. Kjo ndoshta vinte ngaqë vepra e tij, qoftë ajo në poezi, qoftë ajo në prozë kishte copëza të thyera nga Troja e Athina e lashtë, kishte pra smërç nga pasqyra e thyer e antikitetit grek. Kisha arritur të mendoja se Kadare nuk do të ishte me këto përmasa në qoftë se ai nuk do të kishte në krah një Helenë. Aq i bindur isha, sa herë më seriozitet e herë me shaka, me miqtë e mi të rinisë së hershme thoshim se edhe sikur gruaja e Kadaresë të kishte pasur një emër tjetër, ai do tia kishte ndërruar në çast. Do ta kishte quajtur Helenë. Por ky është një vegim i largët që u forcua më pas e sidomos atëherë kur e shihja bashkëshorten e Kadaresë që dilte nga shtëpia e nisej për në punë. E kisha vënë re kur kapërcente në këmbë sheshin Skënderbej dhe isha magjepsur prej saj e në këtë gjendje të përhumbur, u kisha shkruar shokëve të mi në provincë se ne kishim pasur të drejtë: Helena ishte ashtu siç e përfytyronim ne, e bukur dhe madhështore siç mund të ishte vetëm bashkëshortja e Kadaresë.
Libri Kohë e pamjaftueshme(shtëpia botuese Onufri e cila drejtohet nga botuesi i pasionuar dhe profesionist, Bujar Hudhri), që Helena Kadare sapo e ka botuar, është ndoshta enciklopedia e parë e plotë për veprën letrare, biografinë letrare, aktin e krijimit, historinë e letërsisë, shënimet e udhëtimit, kritikën letrare, semiotikën, shkurt, është jo një libër me kujtime, por një enciklopedi e tërë që përmbledh të gjitha disiplinat që përmenda më sipër. Pas këtij libri nuk qëndron thjesht bashkëshortja e shkrimtarit Kadare; pas këtij libri është një shkrimtare e madhe, një biografe e shkëlqyer, një kronikane perfekte, një studiuese e letërsisë, një teoriciene e letërsisë, një kritike letrare, një mjeshtre e përshkrimit të udhëtimeve, më në fund, një grua e dashurar deri në magjepsje me bashkëshortin dhe me shkrimtarin Kadare, një nënë ideale, një femër perfekte dhe një gjyshe e ëmbël. Libri i ka të gjitha këto regjistra rrëfimi. Pa këtë libër ne do ta kishim të pamundur të kuptonim veprën e shkrimtarit më të madh shqiptar, e gjeniut te letrave shqipe Ismail Kadare.
* * *
Kohë e pamjaftueshme ndahet në nëntë pjesë dhe përmban 683 faqe. Është shkruar për pesëmbëdhjetë vjet rresht dhe ka zënë fill diku në një hotel në Kroaci për të vazhduar më pas në shumë mjedise të tjera nëpër të cilat ka lëvizur familja Kadare. Ashtu siç rrëfen edhe vetë autorja, ajo është nisur të shkruajë një libër me kujtime për jetën me shkrimtarin Kadare, ndoshta një libër si ai me kujtimet e gruas së Dostojevskit gjatë kohës që ata (Dostojevskët) qëndronin në Zvicër, libër që Helena e ka përkthyer në mënyrë të shkëlqyer në shqip, por sapo ka nisur të hedhë linjat e para, lloji i librit, pra lloji biografik, është shpërpjesëtuar dhe libri është bërë shumëdimensional. Rrëfimi fillon me njohjen e parë me poetin e famshëm të viteve 60, me letrën dërguar në Moskë dhe me përgjigjen e Kadaresë. Që këtu lexuesi duhet të përgatitet për atë që vjen më pas. Nga njëra anë, një vajzë e talentuar, por shumë e bukur që është magjepsur pas poetit të ri dhe, nga ana tjetër, një poet dhe një njeri atipik që nuk di të joshet nga asgjë, që është zënë peng nga ankthi i letërsisë dhe, ashtu kontradiktor siç është, ka vendosur të braktisë letërsinë e të bëhet regjisor. Pastaj, me një art të shkëlqyer, ajo përshkruan njohjen, dashurinë dhe, më në fund, martesën me Kadarenë. Këtu, në këtë pjesë, autorja ka treguar jo vetëm portretin e bashkëshortit të saj, por ka vizatuar portretin e një prej poetëve më të talentuar dhe më të vlerësuar të kohës. Kadare ishte bërë fenomen me gjithçka, me poezinë e tij, me jetën, me të folmen e tij, me komunikimin. Në të gjitha këto anë, ai ngjante gati me një jashtëtokësor. Dhe Helena ka meritën se e vizaton me mjeshtëri këtë portret. Duke vizatuar marrëdhënien e saj me Kadarenë, ajo, ashtu si Jusuf Vrioni në librin e tij Kujtime të një europiani, jep atmosferën e përgjithshme të atyre viteve në të cilat Kadare ishte jo vetëm poeti më i shquar, por një lloj stari, një lloj modeli te i cili identifikoheshin të rinjtë e kohës. Pas kësaj vjen një tjetër ambient – familja Kadare. Këtë atmosferë dhe personazhet e kësaj familjeje ajo i vizaton ndoshta më mirë se edhe vetë Kadareja në ndonjë rast. Një teatër dhe personazhe absurdë, pasardhës të një qyteti mistik, me një lloj komunikimi që të kujton teatrin e Beketit. Askush nuk flet, madje as edhe kur shtrohet tryeza. Nëse dikush thotë diçka, ai e bën këtë për të prerë çdo lloj komunikimi me të tjerët. Dikush nga miqtë e Kadarenjve i thotë Helenës se si ia bën në atë shtëpi ku fliten vetëm tre fjalë në ditë. Dalngadalë, ajo, për herë të parë, na vizaton edhe portretin psikologjik të shkrimtarit Kadare, i cili çon një jetë atipike. Të duket sikur ai është i mbërthyer nga magjitë do të thoshin plakat e qytetit të tij. Për herë të parë në këtë libër, ne kemi të zbërthyer qartë portretin psikologjik të shkrimtarit më të madh të letrave shqipe. Shkrimtari Kadare në jetën e përditshme është një njeri i heshtur, i vrenjtur, që nuk flet. Stili i tij i komunikimit është i ndryshëm, sepse ai ngandonjëherë zbret në komunikimin e përditshëm copëra frazash të pakuptimta, ngaqë jeta e tij nuk është lëvizja, por shtangia, vetmia. Shumë herë më ka shkuar ndërmend, por tani që kam dëshminë e bashkëshortes së tij, jam më shumë i bindur, se te Kadare vërtetohet ajo që thonë teoricientë e komunikimit se shkrimtarët e mëdhenj, në komunikimin e përgjithshëm, flasin ngandonjëherë me fraza të shkurtra dhe thëniet e tyre ngjajnë me psalmet e Dhjatës së Vjetër. Kjo ndodh pse në kokën e tyre, që nga çasti kur ata mendojnë, nis e gatuhet ideja e krijimit. Natë e ditë ata jetojnë me këtë makth të krijimit të një bote paralele që është e padukshme, por që ata e shohin më së shumti kur përpihen nga meditimi, atëherë kur janë midis ëndrrës dhe jo ëndrrës. Helena e ka pikasur dhe e ka paraqitur këtë anë të psikologjisë së shkrimtarit tonë të madh në mënyrë brilante. Po citoj: Shpesh më kishte qëlluar që aty nga ora tre e gjysmë ose katër e mëngjesit, të shikoja dritë në dhomën e tij të gjumit dhe në mëngjes të g