E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi Skënderbej, ose çfarë di të bëjë Lulëzim Basha

Share

Nga Mero Baze

Nëse do të kuptosh çfarë di të bëjë një njeri, vëre në provë të bëjë diçka për të cilën nuk ka qenë përgatitur më parë. Aty kuptohet në një farë mënyre nëse ky njeri ka ide, nëse i shkreptin ndonjë fije talenti në trurin e tij, apo nëse ka së paku frikë nga dështimi dhe nuk guxon të bëjë asgjë. Nëse do të bënim një pyetje më konkrete në këtë rast se çfarë di të bëjë Lulëzim Basha, shikoni Sheshin Skënderbej. Aty shpjegohet qartë profili i tij mediokër, i paaftë, dembel, hajdut, dhe primitiv. Të gjitha këto vese duket sikur janë fotografuar në trurin e tij dhe janë shfaqur në Sheshin Skënderbej për ti parë gjithë shqiptarët. Ajo që ka bërë Lulëzim Basha në atë shesh, është një koncentrat i asaj që ai mendon realisht, i asaj që ai ka vizion, i asaj që ai di të bëjë vetë! Ai është skaneri i një truri të paaftë, dembel, hileqar, të lig, që e tërbon emri dhe puna e dikujt tjetër dhe do të mbetet në kujtesën e këtij qyteti si njeriu që prish punët e të tjerëve.

Momenti kur ti vihesh para provës për të marrë një vendim të rëndësishëm papritur, siç i është dashur Lulëzim Bashës të marrë për Sheshin Skënderbej, është momenti i së vërtetës për karakterin dhe talentin tënd. Është momenti kur ti nuk fsheh dot veten. Për të fshehur veten në raste të tilla duhen shumë pare dhe shumë kohë. Ato Lulëzim Basha i ka në dispozicion për të ardhmen. Ai mund të rimarrë një studio të huaj, ndoshta më të mirën në botë siç thotë Berisha në këto raste, të bëjë një projekt të ri (ndoshta më të mirin në botë do thotë prapë Berisha në këtë rast), të harxhojë jo 5 milionë sa Rama, por 50 milionë, dhe pas 4 vitesh të ribëjë një shesh të ri modern, ndoshta më modernin në botë do të thotë prapë Berisha. Por ajo nuk ka më rëndësi. Ajo është punë e të tjerëve dhe paraja jonë. Ky shesh i shëmtuar, vulgar, primitiv dhe gjithë detaje jourbane, është puna, fytyra, ideja dhe vlera reale e Lulëzim Bashës. Në këtë pikë ai njeri nuk ka më nevojë të japë asnjë provë tjetër se çdi të bëjë. Prova reale është sot para syve të gjithë shqiptarëve. Po ti shtosh pastaj dhe faktin që këtë marrëzi e mbron dhe Sali Berisha, është e qartë se çfarë dinë të bëjnë të dy, babë e bir në këtë vend.

Në një pozitë të tillë të vështirë për të marrë menjëherë një vendim është gjendur dhe Edi Rama. Muret e zymta të Tiranës dhe qyteti që ngjante si një njeri i lodhur, i dalë nga turni i tretë, me sy të palarë, kishin nevojë për një vendim urgjent, të menjëhershëm, për të cilin nuk duheshin as miliona, as studio projektimi dhe as asistencë ndërkombëtare. Dhe ai mori një vendim. U ul në zyrë si gjysmë i marrë me gjithë botën kundër dhe filloi ti lyejë ngjyra- ngjyra. Pati njerëz që u trazuan nga ajo që bëri, iu duk anormale që ai i vizatonte vetë, i lyente vetë dhe merrej pafund me to. Por askush nuk kishte ndjesinë se po bënte diçka mediokre, të shëmtuar apo primitive. Pas shumë vitesh ajo ideja fillestare e Ramës, ajo që i shpërtheu në momentin e parë kur qyteti donte ndihmë, i mbeti identitet në këtë qytet. E krahasuar me idenë e parë të Lulëzim Bashës, ose si të themi me punën e tij të parë në këtë qytet, është si të krahasosh Manhattan-in e vërtetë me emrat e rrugëve që ka vënë Xhelal Mziu në Bathore, si p.sh Rruga Manhaten.

E njëjta gjë mund të thuhet dhe për sjelljen e tij ndaj zyrës që ka gjetur. Puna e parë që ka nisur të bëjë është të prishë zyrën e Kryetarit të Bashkisë. Ideja se në muret e asaj zyre është imazhi i Edi Ramës, ka bërë që të përhapen anekdota se në pllakat e WC po ta shikosh me vëmendje shfaqet fytyra e Ramës apo se në sfondin tashmë simbol të kryebashkiakut të Tiranës në zyrën e tij, formohet portreti i Edi Ramës, si kombinim pallatesh dhe ngjyrash. I frustruar nga ideja se ka hyrë në atë zyrë me vota të vjedhura, ai mendon se do tia heqë vetes këtë identitet, duke bërë sa më shpejt gjëra të reja dhe të ndryshme nga paraardhësi, bile duke i prishur dhe zyrën që ka gjetur.

Por siç e thashë qysh në fillim, kjo është prova e zjarrit për njeriun, është momenti kur realisht vihesh në provë se çdi të bësh. Dhe ky po bën shëmtira. Do heqësh mermerin, do vësh parket, do heqësh piktura, do vësh vazo me lule, do nisësh të bësh shesh dhe do bësh lulishte, do nisësh të bësh Tiranë dhe në fund do të bësh Bathore. Më vonë mund të paguash miliona për ti korrigjuar ato, mund të paguash miliarda dhe për ti harruar këto që ke bërë, por nuk ia arrin dot. Imazhi i lines-it në qendër të Tiranës, i dashit të therur para Bashkisë dhe i gjakut të katër të vrarëve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit janë identiteti real i tij në Tiranë. Ai mund ta rrisë pyllin në sheshin Skënderbej për të rritur 2 mijë dele, por ne do ta mbajmë mend për dashin që theri para Bashkisë, mund ta prishë me plan rregullues Bulevardin Dëshmorët e Kombit që të prishen katër vendet përkujtimore për njerëzit që vrau, por ne do ta mbajmë mend rrëzimin live të Hekuran Dedës nga skela e gazetarëve, të Ziver Veizit para derës së kryeministrisë dhe fikjen e Faik Myrtajt dhe Aleks Nkës. Ai nuk ka fuqi të bëjë gjëra më të forta se kaq për ta harruar atë që ka bërë. Këto janë vendimet që ai ka marrë në momente të forta të jetës së tij kur vihet në provë mendja jote, vizioni yt dhe fuqia jote e karakterit. Ai njeri u gjend para popullit dhe vendimi i parë që mori ishte të vriste duke lënë fëmijë jetimë, u gjend para një fitoreje të vjedhur dhe desh të bënte sikur gëzonte duke therur një dash, u gjend para një sheshi që ishte duke përfunduar me një projekt modern të miratuar sipas ligjit dhe i tmerruar desh ta ndalte, duke bërë këtë shëmti që bëri. Shkoni pak më tutje dhe kujtoni fushatën e tij poshtëruese për të rrëmbyer mandatin. Kur gjithçka e kishte vënë në vijë, kur gjyqtarët i kishte vënë në rresht dhe medien e pushtetit e kishte nga pas, befas u gjend para një rrufeje në qiell të pastër. Ismail Kadare, i futur në makth nga përleshja pa mbarim e politikës në këtë vend, i bëri një letër të hapur dhe i tha të tërhiqej. Dhe kjo është një nga ato momentet kur të vë në provë karakterin tënd dhe fuqinë për të pranuar të vërtetën. Ai nuk pati fuqi as të ulej të shkruante dhe ja besoi këtë Blendi Fevziut me një përgjigje mediokre, që i kujtonte Kadaresë ligjin dhe gjykatat. A thua se Kadareja po iu referohej Tom Ndrecës dhe Sashenkës, kur shkrofëtiu papritur si i zgjuar nga një ëndërr e keqe, haraçin e së cilës po vazhdon ta paguajë duke mbajtur në shpinë gurët që hedh mbi të gjithkush që ka ndonjë punë në Bashki apo me Bashkinë. Ky është Lulëzim Basha. Këtë di të bëjë. Të tjerat, retushimin apo projektet serioze mund ti bëjnë studiot e arkitekturës, milionat e shqiptarëve dhe fuqia e pushtetit. Por sa herë tu duhet të mendoni se keni fatin në duart e këtij njeriu, kujtohuni çfarë di të bëjë vetë: Di të prishë, di të vjedhë, di të vrasë! Por dhe për këto do leje.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›