E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha për normalitet

Share

Nga Sokol Balla

Dje Gjykata Kushtetuese i dha një tjetër goditje perceptimit publik për drejtësinë. Për fat të keq, kam qenë i pari, kohë më parë, që kam deklaruar publikisht se te Trupa e re e kësaj Gjykate, filluar nga kryetari, nuk duhet të kemi asnjë shpresë për pavarësi, qyshkurse ai bërë një vizitë me shalë të ngjitura te kreu i ekzekutivit, një a dy ditë pasi u votua prej deputetëve të Berishës në krye të Gjykatës Kushtetuese. Menjëherë pas shkrimit, një politikan i lartë, aspak me Berishën, por kontribuent në zgjedhjen e kreut të ri të Gjykatës dhe pa lidhje me të majtën, mu ankua duke më thënë se nuk ishte ashtu si unë kisha shkruar dhe se koha do të më provonte gabim. Nga ai moment e deri më sot ama, gjithë vendimet e kësaj Gjykate Kushtetuese, kanë qenë në favor të qeverisë, EDHE ai bile, për çështjen e kombësisë. Jam unë gabim? Ndoshta, por kjo mbetet ende për tu provuar, dhe vetëm nëse ndryshon në të ardhmen kurba e vendimeve të kësaj gjykate. Por dyshoj. Ashtu si dyshoj, se si për rastësi, në buxhetin e saj u shtuan 100 mijë dollarë, për kokteje e rrugë jashtë shtetit, apo sesi rastësisht në mbledhje të qeverisë Kryeministri, në cilësinë faktike të Kryebashkiakut të Tiranës, deklaroi se bashkia do të ndërtonte Pallatin e ri të DREJTËSISË(aty ku do strehohet kushtetuesja shën. im) brenda këtij mandati.

Të dyja veprime rastësisht, pak ditë para vendimit të djeshëm.

Po megjithë konstatimet, nuk habitem më. Në fakt nuk habitem, që prej marsit 2009, në njëvjetorin e Gërdecit, kur në prag të nxjerrjes së skandalit të radhës të drejtësisë në ekranin e Top Channel, e që ekspozonte një konflikt interesi te një gjykatës i Lartë i procesit të Gërdecit, mu bë presion serioz nga një prej eksponentëve të Opozitës për të mos e transmetuar atë. Përtej habisë së pakufi, më bëri përshtypje fjalia e tij e fundit në telefon: Koha do ta provojë që ti e ke gabim, ai është me integritet. Në fakt, pak muaj më vonë, koha dhe faktet treguan sesi ai gjykatës mbylli politikisht atë proces, që ligjërisht sot ende sështë kapakosur, por po ndëshkon vetëm teknicienët e masakrës teknike të 16 marsit 2008. Koha gjithashtu tregoi se, në radhët e viktimave të Gërdecit, nuk ishte vetëm baxhanaku i Kryeministrit, por dhe një i afërm i një tjetër Gjykatësi të Lartë, me gjasë i majtë.

Për fat të keq, në të gjitha rastet koha nuk më provoi gabim. Por pas këtyre rasteve them që tashmë kemi të bëjmë me një normalitet dhe jo me shembje të një tjetër gjykate, siç thoshte kreu i PS-së, i cili vetë pak ditë më parë futi në Asamble një tjetër eksponent të Drejtësisë, që sot po masakron financiarisht dhe me procese gjyqësore një nga zërat më kritikë të Qeverisë së djathtë, Mero Bazen (bile edhe Top Channel, për një tjetër proces kundër të njëjtës Qeveri). Por procesi i fundit ndaj Bazes është pikërisht i tillë, i fundit. Ka pasur shumë të tjerë përpara, pale se vinin nga biznese, apo njerëz afër me qeverinë. Sot të masakrosh Mero Bazen, është, fatkeqësisht, normale. Majtas e djathtas. Ose më saktë, përtej të majtës e të djathtës.

Aq normale, sa të mërkurën në Top Albania Radio kisha ftuar Agim Rrapajn (Gimin e videoskandalit Meta Prifti) dhe e dëgjova me interes atë dhe argumentet e tij. Në fund fare miqësisht dhe unë e mora si të tillë me sinqeritet dhe reflektim ai më tha, se intervista që sapo i kisha marrë, e kishte kënaqur për një arsye: se isha treguar i hapur për të dëgjuar edhe palën tjetër dhe se duhet të isha më i hapur të dëgjoja edhe zërat e tjerë në këtë çështje, pasi të gjithë njëlloj janë dhe koha këtë do ta tregojë. Ah, sa frikë e kam këtë fjali. Por e kam frikë, se kam frikë se Rrapaj këtë herë mund të ketë të drejtë.

Jo vetëm se koha më kishte provuar se, për shembull Drejtësia sot, më shumë sesa nga presioni i qeverisë, kontrollohet nga segmente të frikshme transcendentale politike, që vetëm lidhje ideologjike nuk kanë, por sepse, ja për shembull ku jemi sot, fiks dhjetë muaj pas 21 Janarit, dhe një prej politikisht të akuzuarve për vrasjet, e zgjodhëm me vota (dhe ah, po sërish me ndihmën e Drejtësisë) në krye të Bashkisë së Tiranës, ndërsa humbësi i asaj gare, sot flirton si dikur me vajzat në bordurat e Parkut me videoshkaktarin e protestës së 21 Janarit. Pragmatiste, për burra në politikë aktive, paçka se diskutimi moral është një tjetër. Fare tjetër. Por normal sot është pragmatizmi. Dhe siç më këshilloi miqësisht Rrapaj, ndoshta duhet ta shohim gjithçka me një sy tjetër, me atë të normalizimit.

Të rikonsiderimit të ofertave publike, qëndrimeve personale, vlerave morale të të dy kampeve politike, e deri te normalizimi i marrëdhënieve. Nga i Ramës me Klanin e Opinionin, e deri tek i Berishës me Top Channel e Top Story. Jo flirtim aspak, as kompromis, por thjesht normalitet.

Sot është koha ti pranojmë gjërat ashtu si janë. Po e bëjnë dy kampet politike, deri dje të veshur me balaklava dhe antiplumb përballë kitarave të çakorduara të ushtrive të tyre, por që sot bëjnë sikur debatojnë seriozisht, nëse kodi ajror të përfshijë apo jo si kullë vrojtimi Sahatin e vjetër të Tironës, meqë kështu na e kërkon Europa. Me Presidentin që bën sikur do bëjë parti politike, me Opozitën, që bën sikur do përzgjedhë në mënyrë demokratike Avokatin e Popullit dhe Kryesinë, me Këngën Magjike që bën sikur ka juri, me Trëndafilin që bën sikur është me LMN, apo edhe Kryeministrin, që bën sikur është më Hebre se Ariel Sharon.

Por ndoshta normaliteti i duhet këtij vendi. Bile një profesor nga Amerika, pak i rrjedhur normal për moshën na e nënvizoi këtë. Le ta provojmë. Le ta pranojmë.

Në fund të fundit, edhe nëse zhgënjehemi sërish, nuk është se do befasohemi. Do ishte sërish diçka NORMALE.   /Mapo/

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›