HELSINKI – Vendet baltike anëtare të NATO-s diskutojnë sigurinë në rajon

HELSINKI, 14 /ATSH-DPA/- Vendet anëtare të NATO-s në Detin Baltik planifikojnë të diskutojnë sigurinë në rajon gjatë një samiti në Helsinki, që vjen pas një sërë aktesh të fundit në det të dyshuara si sabotim.
Qëllimi kryesor i samitit është gjetja e mënyrave për të mbrojtur më mirë infrastrukturën e rëndësishme në Detin Baltik dhe për të kundërshtuar kërcënimin e paraqitur nga e ashtuquajtura “flota hije” ruse.
Kjo i referohet anijeve që Rusia përdor për të transportuar naftë, për shembull, për të anashkaluar sanksionet e vendosura si rezultat i pushtimit të saj në Ukrainë.
Takimi do të kryesohet nga presidenti finlandez, Alexander Stubb dhe kryeministrja e Estonisë, Kristen Michal.
Ne takim pritet të marrin pjesë edhe liderët e vendeve të NATO-s në rajonin e Detit Baltik, duke përfshirë Danimarkën, Gjermaninë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë dhe Suedinë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte po udhëton nga Brukseli, ndërsa Komisioni Evropian përfaqësohet nga zëvendëspresidentja Henna Virkkunen. Rusia, i vetmi vend i Detit Baltik jashtë NATO-s, nuk merr pjesë.
Samiti do të fokusohet në përgjigjen e vendeve pjesëmarrëse të NATO-s ndaj incidenteve të fundit – në të cilat dyshohet se disa kabllo nënujore në Detin Baltik janë dëmtuar qëllimisht. //a.i/