E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KIEV – Pistorius zotohet të mbështesë Ukrainën ndërsa Evropa përgatitet për kthimin e Trump

KIEV, 14 janar /ATSH-DPA/- Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius udhëtoi sot në Kiev për bisedime me qeverinë ukrainase dhe u zotua të vazhdojë mbështetjen përpara negociatave të mundshme për armëpushim.

Pas mbërritjes, Pistorius tha se donte të diskutonte ndihmën e mëtejshme për Ukrainën dhe të informohej për situatën ushtarake.

Udhëtimi i tij vjen më pak se një javë përpara se Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, duke hedhur dyshime për ndihmën e ardhshme ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, ndërsa pushtimi i plotë rus i afrohet vitit të katërt.

“Dëshiroj të dërgoj sërish një sinjal të qartë, një javë përpara se presidenti Trump të marrë detyrën, se ne në Evropë dhe partnerët tanë të NATO-s qëndrojmë pranë Ukrainës, veçanërisht tani në këtë situatë të tensionuar”, tha Pistorius.

“Është një sinjal se Gjermania, si vendi më i madh i NATO-s në Evropë, po qëndron pranë Ukrainës”, tha Pistorius.

Pistorius diskutoi dje ndihmën evropiane për Ukrainën me homologët e tij nga Polonia, Franca, Italia dhe Britania e Madhe gjatë një takimi në Varshavë.

“Vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë midis Ukrainës, SHBA-së dhe aleatëve evropianë është i nevojshëm për t’u mbrojtur me sukses kundër pushtimit të vazhdueshëm rus”, tha Pistorius.

“Mbështetja nga aleatët do t’i jepte Kievit një shans real për të arritur negociata të arsyeshme në një moment gjatë vitit”, tha ai.

Përpara ceremonisë së betimit të Trump si president i SHBA-së më 20 janar, është e paqartë se si do të vazhdojë mbështetja e SHBA-së për Ukrainën.

Në Ukrainë ekziston frika se Trump mund të reduktojë në mënyrë drastike ndihmën amerikane, duke e lënë Kievin në një pozicion shumë të vështirë për të vazhduar luftën.

Pistorius theksoi gjithashtu se zgjedhjet e ardhshme gjermane pas gjashtë javësh nuk do të ndryshojnë faktin se një vend i madh evropian po lufton për mbijetesën e tij, për lirinë e tij.

Pistorius tha dje në Varshavë, se Gjermania ishte e gatshme për të ndihmuar në kryesimin e përpjekjeve për të forcuar industrinë e brendshme të armëve të Ukrainës – së bashku me katër partnerët kryesorë evropianë.

“Nëse paratë janë atje, nëse kapaciteti i prodhimit të armëve është atje, atëherë vetë Ukraina do të jetë më e shpejta për të furnizuar trupat e saj me materiale dhe armë”, tha Pistorius në kryeqytetin polak. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›