HIJA E KAPELES
Nga Veledin Durmishi
Edhe pa e njohur të kaluarën e Partisë Demokratike, vetëm ndjekja me vëmendje e ngjarjeve paszgjedhore, është e mjaftueshme për të krijuar idenë e plotë se në çgjendje është kjo parti e në çgjendje është lidershipi saj. Situata është dramatike sa edhe komike. Sjellja e tyre në publik u ka dhënë nota qesharake; ata ndihen ende në gjendje pështjelluese edhe pse po kalojnë dhjetë ditë nga ajo ditë apokaliptike. Është një trullosje të cilën e përforcojnë përditë veprime e mosveprime, intervista, dalje publike ku gjithçka e thënë dhe e bërë është jashtë racionales, morales, statutit, pritshmërive e mbi të gjitha aty është dëshmuar për një humbje të vetëdijes, për një humbje ekuilibri, një dalje nga shinat si pas një trullosje kolektive. Pështjellimi nuk ishte rrufe në qiell të hapur. Partia Demokratike kishte kohë që e kishte marrë sinjalin se ajo do të ishte një humbëse e madhe edhe pse ajo mbushte sheshet plot me ndjekës, qytetarë, shumica e të cilëve ishte e vendosur në kuadratet e përcaktuara si ushtarë të devotshëm. Ajo kishte prodhuar ca realitete virtuale të cilat ishin fund e krye demagogji. Konventa pafund, holle intensive, flamuj, bill-bordera, një botë e tërë virtuale ishte në shërbim të pushtetit të njëshit, bastit të tij personal që sigurisht një ditë do të thyhej. E të gjitha këto sollën alergji te një pjesë e elektoratit, i cili nga ana e tij nuk mund të bënte sehir përjetësisht kur shihnin se një njeri ka futur nën pushtetin e vet absolut krejt institucionet kryesore të shtetit dhe gjithçka që ndodh komandohet nga SMS-të e kryetarit, i cili ka dëshmuar se është i pangopur në përqendrimin e pushteteve në duart e tij. Kjo parti sikur nuk e ka kuptuar thelbin e demokracisë që është rotacioni dhe me veprimet e tyre për tetë vjet rresht kishin ngulur këmbët fort sikur nuk do të shkuleshin nga llogoret e pushtetit të cilat i kishin ndërtuar me korrupsion. Ata sikur nuk po guxojnë të shohin njeri-tjetrin në sy. Dështimi nuk është vetëm dhe tërësisht i Berishës. Ishte një ekip qeverisës personazhet e të cilit kanë treguar një krekosje deri në harbutëri, lëshuan politikat e veta, rendën kah përfitimeve personale, ngritën një sistem që ushqente pangopësinë e tyre me troje, para të thata, vila, përfitime, ndërsa zërin e qytetarit nuk e përfillën kurrë.
Askush nuk del e të pranojë qartësisht humbjen e po aq qartësisht e thellësisht të kërkojë të ulen e të gjejnë arsyet e kësaj humbjeje kaq të thellë. Doli kryeministri dhe pasuesit e tij fare paturpësisht e quajnë fjalimin e tij si të një triumfuesi, si një shfaqje prej fitimtari, sa dikush, madje jo me peshë të lehtë në strukturat e partisë, dëshmoi se Berisha shkëlqeu me ikjen e tij si Rama nxiu me fitoren e tij. Kështu u shpreh Astrit Patozi në një dalje të tij, pa thënë se çfarë tjetër gjë mund të bënte kryetari i partisë së tij veç tërheqjes e që shumëkush kërkoi ti hidhte edhe dafinat e fitores në atë largim të turpshëm.
Ku qëndron ai shkëlqim që asnjë shqiptar nuk e sheh, veç shqiptarit Astrit Patozi!? Çfarë shqise paska ky kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e cila e ndihmon atë të ndjejë shkëlqimin e një ikjeje, ndërsa ne të tjerëve na duket si një ikje me bisht ndër shale!? Ai qoftë! Pas daljes së tij e të dhjetra të tjerëve me të njëjtat akorde, kuotat e kësaj partie kanë rënë aq poshtë sa nuk mund të gjendet ai kod ti ngrerë veçse një rithemelim i kësaj partie, por si ajo që ndërtuan liderët e saj e që e prunë në këtë farë feje. Ndaj çuditet shqiptari me këtë amoralitet që ka aq efekte demoralizuese te qytetari i tij votues. Shqiptari ka nevojë për të tjera mesazhe deri edhe hyjnore. Një tranzicion i gjatë e i mbushur më plagë, me dalldisje politikash e politikanësh, duhet të marrë fund; së pari pas një palë zgjedhjesh që sipas gjasave do të hapin një dritë jeshile drejt strukturave Evropiane. Dhe kjo parti duhet të jetë një faktor jetik, duhet të rrisë besimin qytetar e kjo gjë sigurisht do të skicohet në zgjedhjet të cilat do të sjellin liderin e ri në krye të Partisë Demokratike.
Fjalimi i kryeministrit ishte aq i ndjerë sa dhjetra ithtarë klasikë u përlotën të mallëngjyer. Të tjerë, madje edhe politikanë karriere e ftojnë sërish kryetarin e tyre të dorëhequr që të rikthehet sërish ku ka qenë, madje edhe si një triumfator dhe të shpjerë përpara kauzën e lënë në mes: rrënimin e Shqipërisë se vetëm me të mund të arrijnë majat askush tjetër nuk do të mundai është heroi, gjigandi, Prometeu, se me të mund të thyejnë Ramën- Hitler, se kryetari ishte i madhërishëm në ikjen e tij, se ai bëri një ikje perëndimore e të tjera yrneqe që të bëjnë të mbash nofullën me dorë nga frika e ndonjë deformimi(Asgjë nuk u bëka pa Berishën kryetar)!!! Suksese të mëdha paraqiti kryeministri në atë fjalim lamtumire, por shqiptarët sërish ngrenë supet duke thënë se populli paska gabuar në verdiktin e vet! Kryetari i dorëhequr që askush nuk e ka qartësisht të ditur nëse ka % më të madhe si komunist a si demokrat e që kishte bërë një fushatë krejtësisht personale, pati kurajon (ndryshe çdo të bënte) të pranojë humbjen. Personalizimi i gjithë sjelljes së tij politike është konceptualisht diabolike, por që mbeti aty ku u ligjërua se ai de fakto është sërish në krye të punëve të kësaj partie, madje më fort deri sa të sjellë në atë karrige mbështetësin e tij dhe të familjes së tij si të vetmin mbrojtës nga ndonjë rrufe që nesër, në një maxhorancë aq sunduese, mund të bjerë mbi të kaluarën e tij e cila është e tejmbushur nga aferat korruptive. Dhe për këtë po përgatitet kryetari i dorëhequr. Ky është meraku i tij më i madh ndaj dhe po e mban peng Partinë Demokratike. Një parti që është aset kombëtar ka mbetur peng i një humbësi, dhe tek-tuk ndonjë zë, zë i atyre që janë pjesë e një kontingjenti të pakënaqurish nga listat e kandidatëve për deputetë, ndihet si në shkretëtirë se përse kjo parti nuk po realizon analizën e rezultatit të zgjedhjeve?! Partia është një aset kombëtar, sepse për katër vjet është zëri i opozitës, por ironia është e tëra në fushën e tyre. A ka aty zë, zë që të tingëllojë i pastër. Qeverisja i ka ngjirur e deformuar zërat aty. Ja dikush u shpreh ditë më parë se Partia Demokratike humbi se projektet tona nuk u kuptuan nga qytetarët. Duhet të ndërrohen qytetarët! Çfarë ironie banale. Hajde politikë, hajde. Se edhe vetë kryetari ka qenë i përlyer dhe kurrsesi ai nuk mund të jetë frymëzues më. Koha e tij perëndoi, por ai nuk e ndjen. Dikush duhet ta detyrojë ta ndjejë. E ky dikush nuk po shfaqet në horizont. Aty ska horizont fareNdaj duhet bërë analiza e zgjedhjeve. (Shumëkush pret ta bëjë Kastriot Islami). Këtë e kishte për detyrë ta bënte Kryetari i dorëhequr, e që do të pasohej nga largimi i tij politik dhe hapja rrugë e strukturave të kësaj partie që siç është thënë shumë më herët se sot, nuk kanë funksionuar. Ky është një amoralitet që vetëm krerët e kësaj partie nuk po e kuptojnë. Nuk e kuptojnë që nuk po reagojnë. Ndoshta hija e kryetarit të dorëhequr është aq e fortë aty sa askush nuk flet nëse më parë nuk mëson se a është kryetari në zyrë?! Dhe për ironi të fatit më vjen ndër mend një nga çuditë e një drejtori në një ndërmarrje në kohën e socializmit. Drejtori vinte në mëngjes në punë sa e shihnin punëtorët dhe diku në një vend të dukshëm varte kapelen dhe gjithë ditën ishte jashtë ndërmarrjes. Ishte hija e kapeles aty, se drejtori pinte raki ku ta sillte rasti. Por nuk bënte korrupsion