Basha dhe Olldashi nisin fushatën nga bastionet e tyre
Pas zyrtarizmit të kandidaturave për kreun e ri të Partisë Demokratike, dy kandidatët, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha do të nisin fushatën e tyre, ditën e sotme ku do të zhvillojnë takime me anëtarët e PD-së në të gjithë vendin. Kështu, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha do ta nisë fushatën e tij në një takim me strukturat e PD-së në qytetin e Elbasanit. Pikërisht në këtë qark, Basha u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2009, dhe ishte ai i cili kryesonte fushatën e Partisë Demokratike për këtë qark. Në qarkun e Elbasanit, gjatë drejtimit të Bashës Partia Demokratike arriti një rezultat të barabartë me Partinë Socialiste, ndërkohë që në zgjedhjet e 2013 kjo baraspeshë u prish në favor të koalicionit të majtë. Nga ana tjetër, Sokol Olldashi do ta nis fushatën e tij, në një bastion të tij, atë të qytetit të Fierit. Pikërisht në këtë zonë, Olldashi është zgjedhur dy herë deputetë, në zgjedhjet e 2009 dhe 2013. Zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike do të mbahen në 22 korrik. Pas zgjedhjes së kryetarit të ri, PD do të nis edhe analizën e zgjedhjeve të 23 qershorit, zgjedhje në të cilat koalicioni i djathtë pësoi një disfatë të madhe madje duke humbur edhe në disa bastionet të saj. Pas zgjedhjes së kryetarit të ri, do të bëhet edhe zgjedhja e kryesisë së re të Partisë Demokratike.