PSG vjedh në Itali, 12 yje në dy vite
Nga 2011 deri tani Leonardo ka çuar në Francë mjaft kampionë
Eurosport
Sirigu, Thiago Silva, Ibrahimovic, Menez, Lavezzi, Verratti, Pastore, Thiago Motta e tani Cavani, më vonë ndoshta De Rossi dhe Hernanes. Paris Saint Germain që prej tre verash e bën pazarin në Itali, duke vjedhur kampionatin italian dhe duke ccuar në Francë një numër të madh yjesh. Që kur Leonardo është bërë drejtues i transalpinëve, janë tashmë plot tetë lojtarë të Serisë A që kanë pranuar aventurën franceze. Shumë shpejt, kur të zyrtarizohet Cavani do të bëhen nëntë. Dhe nëse do të konkretizohen ofertat për Hernanes dhe De Rossin, do të bëhen njëmbëdhjetë, një skuadër e tërë. Arritja e sulmuesit të Napolit tek PSG do të ishte blerja e pestë më e shtrenjtë e historisë së futbollit, dhe do të plotësonte një sektor që është tashmë shumë i fortë.
Nisi me Pastoren
Vera e vitit 2011 shënoi largimin e parë drejt Parisit. Leonardo bëhet drejtues i PSG dhe duke shfrytëzuar marrëdhëniet e mira me drejtuesit italianë, nis të blejë nga veriu në jug. Merr nga Palermo Sirigu dhe Pastore (të dytin në shifra të ccmendura, Menez nga Roma, Sissoko nga Juventus dhe Thiago Motta nga Inter. Dhe duke bërë llogaritë, drejt Serie A shkuan rreth 75 milion euro në një verë.
Thiago, Ibra dhe Lavezzi
Por ishte vera e ardhshme kur erdhën goditjet e mëdha. Leonardo zgjedh Ancelottin si trajner kërkon të ndërtojë një skuadër që të jetë e aftë të garojë edhe në Champions League, ku PSG kthehej pas shumë vitesh mungesë. Dhe ja atëherë Thiago Silva dhe Ibra nga Milan (63 milion euro në total të derdhura në arkat e kuqezinjve), Lavezzi nga Napoli, Verratti nga Pescara. Duke mbledhur shpenzimet e 2011-ës dhe të 2012-ës, bëhen 172 milionë euro. Dhe të gjitha blerjet luajnë si protagonistë në një skuadër që dominon kampionatin francez, duke fituar Ligue 1 pas 19 vitesh. Në Champions Paris Saint Germain eliminohet ndoshta padrejtësisht nga Barcelona. Por Leonardo edhe pse ka një skuadër shumë të fortë nuk është ende i kënaqur.
Tani Cavani
Tani është radha e Edinson Cavani. Sulmuesi uruguaian është shndërruar në një ndër objektivat më madhor të kampionëve të Francës. Tekniku Loren Blank e dëshiron me patjetër në skuadër pasi ka bindur drejtuesit e skuadrës se Cavani do të ishte njeriu perfekt për sulmin e kryeqytetasve francezë. Sheiku i klubit francez ka gati ofertën prej 63 milionë eurosh për lojtarin e Napolit. Presidenti i PSG Al Khelaifi ka urdhëruar brazilianin Leonardon që të takohet zyrtarisht me presidentin e Napolit De Laurentis. Drejtori teknik i PSG-së Leonardo ka udhëtuar drejt Romës për tu takuar me presidentin e Napolit Aurelio De Laurentis dhe për ti bërë të qartë ofertën dhe synimet që drejtuesit e kampionëve të Francës kanë në lidhje me transferimin e Cavanit në kryeqytetin francez. Bëhet e ditur se sheikët e PSG përveçse kanë gati shumën që kërkon De Laurentis prej kohesh ata kanë dhënë edhe detaje se sa do të përfitojë sulmuesi uruguaian nëse do të pranojë të bëhet pjesë e kampionëve të Ligës së Parë transalpine. Nëse arrihet marrëveshja përfundimtare mes palëve dhe vetë lojtarit atëherë Cavani pritet të firmosë një kontratë 4-vjeçare me skuadrën e PSG. Arritja e kësaj marrëveshje do ta bënte skuadrën kampione të Francës një ekip pretendues edhe në kupat e Evropës pasi me një dyshe sulmi Kavani-Ibrahimoviç tekniku Loren Blank do ta ketë më të lehtë arritjen e rezultateve. Ndërsa kundërshtaret duke parë këtë dyshe të frikshme do ti konsiderojnë parisienët si skuadra favorite për të triumfuar jo vetëm në Francë, por edhe në arenën ndërkombëtare që është edhe synimi kryesor i sheikëve të PSG për edicionin e ardhshëm. Por duket se PSG nuk do të kënaqet me kaq. Ata do të kërkojnë edhe De Rossin nga Roma dhe Hernanes nga Lazio për ta bërë mesfushën e tyre po aq të mirë sa sulmi.
Mino Raiola: Cavani-Ibra, dyshe fantastike
Agjenti i mirënjohur italian, Mino Raiola, ka dhënë opinionin e tij rreth hipotezave të sulmit të PSG, ku pritet që Edinson Kavani ti bashkohet gjigantit suedez Zlatan Ibrahimoviç. Ai e konsideron këtë dyshe sulmuesish si më të rrëzikshmin nëse do të luanin bashkë. Mediat franceze së fundmi kanë raportuar se PSG dëshiron ta sjellë sulmuesin uruguaian në klub, mirëpo Raiola nuk beson se ata mund ta paguajnë klauzolën e shitjes së tij, që kap vlerën e 63 milionë eurove. Natyrisht që Ibra dhe Cavani do të ishin një dyshe e rrezikshme që çdo skuadër do të ëndërronte ta kishte pjesë të grupit. Edhe nëse Kavani do të transferohej në Francë përsëri Zlatan do të ishte njeriu kryesor i ekipit. Ai është një sulmues i veçantë që gjithmonë udhëheq skuadrën drejt fitoreve. Edhe unë nëse do të luaj përkrah tij do bëhesha një lojtar i madh, tha Rajola për mediat franceze. Gjatë intervistës së tij menaxheri italian që njihet për transferimet e bujshme në merkato ka folur edhe për situatën e dy klubeve milaneze, Inter dhe Milan. Sipas tij drejtuesit e dy skuadrave duhet të ulen për të biseduar për një bashkim të skuadrave. Interi dhe Milani duhet të bashkohen në një klub në mënyrë që të jenë sërish konkurrues në Evropë. Milani nuk ka arritur shumë në edicionet e fundit në Ligën e Kampionëve, kurse Interi pas triumfit historik e ka gjetur veten jashtë garave evropiane. Mungesa e investimeve dhe kriza financiare në Itali ka bërë që klubet e mëdha të mos jenë konkurruese në tregun e transferimeve dhe kështu edhe në garat evropiane, ndaj unë e shoh të arsyeshme që drejtuesit e Milan dhe Inter të bisedojnë për një bashkim të madh që do ti ndihmonte ato të ishin pretendent edhe në kupat e Evropës, përfundoi Rajola.