HYRJA NE HISTORI TE QEBAPTORJA "SARAJEVA"
1.
Dy berlinas: njëri i veshur me kostum - një ëndërr e përmbushur që njëzet vjet, prej asaj dite kur ishte e mundur blerja e lirë e kostumit - tjetri me xhins. Mund të kenë qenë po ato xhinse të para njëzet viteve, ç‘rëndësi ka. Mbërrijnë në një ndërtesë që tash shërben si qendër trajnimi apo diçka e ngjashme - nuk di kush të më shpjegojë se ku gjendet - edhe në Prishtinë nuk i di kush emrat e rrugëve, sepse janë ndërruar aq shpesh sa të mbërrijnë në jo-kujtesë. Njëri më thotë se gjendet përballë qebaptores "Sarajeva", shenjë e mirë se mund ta gjej këtë godinë meqë gjendet përballë një institucioni kaq të respektuar.
Dy berlinas: njëri me kostumin e ëndrrës dhe tjetri me xhinset e secilës ditë tjetër, përballë qebaptores "Sarajeva", rrëfejnë për jetën e tyre ditën kur ra Muri. Ai i kostumit, i lindur në Gjermaninë Lindore ruan thellë në vete formalitetin e vendit prej nga erdhi, kundër të cilit u rebelua si aktivist i demokracisë dhe zhdukjen e të cilit e festoi, çdo ditë prej atëherë. Ai i xhinseve u lind në Berlinin Perëndimor, i rrethuar nga Gjermania Lindore, trupat okupuese të katër fuqive fituese, gastarbeiterët turq dhe ndjenjën se historia do të duhej të ndryshonte ndonjë ditë. Me bindje të majta, kurdo që do të protestonte kundër politikave sociale të kësaj apo asaj qeverie, ndonjë i moshuar, nga dritarja apo ballkoni, do t‘i bërtiste: "Nëse nuk je i kënaqur, shko në anën tjetër të Murit!".
Dy berlinas; njëri i veshur me kostumin e të prezantuarit solemn, me kravatë të kuqe, tjetri me xhinset e komoditetit të së majtës liberale, u ftuan një ditë që të nisen nga Berlini e të shkojnë në Prishtinë, që përballë qebaptores "Sarajeva" të flisnin për përjetimin që filloi si një ëndërr para njëzet vitesh - çdo e dyta fjali duhet të përmbajë fjalën "ëndërr" ("ëndërruam lirinë", "rënia e bllokut të parë ishte si një ëndërr", "Bashkimin e Gjermanisë e mendonim si një ëndërr") - duke mbërritur përfundimin gjatë fjalimeve, se kishin kaluar 20 vjet, saktësisht numri i nevojitur për të shndërruar përjetimin e tyre në akt të lexueshëm brenda distancës historike.
Dy berlinasit, hynë, përballë qebaptores "Sarajeva", në histori.
2.
Jakup Shala nuk e kishte fatin e berlinasve, ndonëse të gjitha predispozitat e tjera i kishte, bile ndoshta edhe më shumë se ata. Ai i kishte çelësat e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kur Shoqata mbetej ndër institucionet e rralla të rezistencës intelektuale kundër Millosheviqit dhe shërbëtoreve të tij në Kosovë. Çdo mëngjes shkelte baltën përreth Shoqatës, hapte derën e saj si shenjë se rezistenca po vazhdon, do ta priste Ibrahim Rugovën, kryetarin e Shoqatës, këmbente ndonjë fjalë me të, kalonte orët duke i bërë shoqëri, atëherë kur pak kishte të tillë që të rrinin me njeriun që propaganda serbe e cilësonte si i pari ndër separatistët shqiptarë.
Një mëngjes, në dhjetorin e para njëzet viteve, e hapi derën e Shoqatës, filloi me rutinën e zakonshme, duke ditur se nuk do të ishte e tillë. Ajo që, deri në atë moment ishte Shoqata e Shkrimtarëve, e që ishte përdorur lirisht për çdo ngjarje tjetër opozitare, posaçërisht të aktivistëve të të drejtave të njeriut, po shndërrohej në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që do të bëhej forca kryesore demokratike në vend për shumë vite me radhë.
Jakup Shala do të vazhdonte të sillej vërdallë edhe për një kohë - kohët kur ishin të rrallë ata që do ta shoqëronin Rugovën në terrin e natës e të pasigurisë së Kosovës.
Mësova se ka vdekur para disa viteve, duke i pamundësuar jo vetëm përjetimin e ngjarjes së madhe së bashku me Rugovën, Ditën e Pavarësisë, por duke ia zvogëluar vetes gjasat e hyrjes në histori.
3.
Për dallim prej të tjerëve, shqiptarët në të dy anët e kufirit kanë manifestuar një bindje se në Histori (me H të madhe, sikur në librin e Historisë për nxënësit e shkollave të mesme) mund të hysh vetëm në të gjallë. Gjatë viteve nëntëdhjetë, në Kosovë, në kushte të okupacionit serb, zhvillohej një betejë për të shkruar "versionin zyrtar" shqiptar të asaj që po ndodhte, dhe nxënësit kosovarë do të ballafaqoheshin me instant-histori, ku do të mund të lexonin se si u zhvillua Alternativa kosovare dhe si u zgjodh President i Kosovës Ibrahim Rugova. Javëve të kaluara, në Shqipëri do të ballafaqohesha me të njëjtën gjë: përshkrimin e ngjarjeve të afërta si pjesë të Historisë; përpjekjen që historia të shkruhet në një distancë sa më të shkurtër - me një afsh a bindje se Historia, e shkruar kështu, do të përcaktojë ditët e ardhme që duhen jetuar, e jo se ditët e ardhme do të integrohen, ndonjë ditë në Histori.
Ngarendja për të hyrë në Histori në të gjallë ka shtytje të madhe: është frika, se po nëse nuk e bën vetë sa je gjallë, nuk do ta bëjë kush kur të vdesësh. Kur të vdesësh, do të ketë shqiptarë të tjerë të gjallë që do të ngarendin ta fusin veten në Histori, duke i zënë vendet në atë hapësirë gjithnjë e më të ngushtë.
4.
Vitin kur ra Muri, Kosova vlonte. Ai vit do të fillonte me greva e demonstrata dhe do të përfundonte me artikulimin e plotë të shumicës së kosovarëve për demokraci dhe shtet të vetin. Kur të mbërrijë fundi i këtij viti, do të mund të jemi si dy berlinasit, që kemi kuptuar se tashmë ai përjetim ka distancën e nevojshme kohore për t‘u quajtur histori.
Dhe se, të çliruar nga presioni i përditshmërisë politike, tash mund të flasim e shkruajmë me sigurinë e pjekurinë që jep distanca historike, e posaçërisht konteksti i lirisë.
Në mungesë të kontekstit të distancës apo të lirisë do të jetë përjetuar një presion që e përshkruan fjalia e parë e romanit "Vendi i kumbullave të gjelbra" të nobelistes së re, Herta Muller: "Kur nuk flasim, tha Edgari, bëhemi të padurueshëm, e kur flasim, bëjmë veten budalla".