Haga dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Tribunali i Hagës për krime lufte në Ish Jugosllavi me verdiktin e vet i ka dhënë argumentin më të fuqishëm Kosovës në mbrojtjen para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dënimi i kreut politik dhe ushtarak serb përligj dhe përmbush një nga kushtet elementare për pavarësi të jashtme, sipas principit të së drejtës për vetëvendosje që u njihet popujve të kolonizuar: Terrorin sistematik shtetëror, shkeljen masive të te drejtave të njeriut në përmasa të gjenocidit nga ana e shtetit serb
Nga Halil Matoshi
Po bisedoja në msn me një mik timin që ka përfunduar studimet në shkenca politike dhe ai më citon Churchill’in që thotë se armikun duhet ta mbash në një pozicion të keq në raport me bashkësinë ndërkombëtare (e këtu ai mendonte në raport me Perëndimin) pra, duhet që qeveritë të investojnë për t'i mbajtur armiqtë në pozicione jo të favorshme".
Ndonëse Serbia në esencë nuk është kundërperëndimore, por taktizon që t’ia rris çmimin vetes para aderimit në bllok (BE), miku im e shpreh dronë se bashkësia ndërkombëtare sërish do të mund ta shihte Serbinë si "Prusia e Ballkanit", por në këtë tregim, është Perëndimi ai (ShBA’të dhe shtetet më të fuqishme të BE’së që e kanë njohur tashmë Kosovën dhe për këtë drojë nuk ka vend, ndonëse Kosova do të ketë probleme të mëdha gjatë procesit të integrimeve në BE. Por problemi është se Qeveria e Kosovës, pa fuqi ekonomike dhe ushtarake, sëkëndejmi, edhe pa diplomaci të fuqishme, nuk është në pozicion që ta mbajë Serbinë sa më larg Perëndimit. Kurse Serbia po e bënë këtë me shtetin e ri – Kosovën, duke rrëmuar stabilitetin e saj, me të gjitha mjetet armiqësore. Sidoqoftë, sot Kosova e ka prioritet që ta mbrojë të drejtën e vet për pavarësi, jo duke e mbajtur Serbinë në pozicion të keq, por duke e mbajtur veten në pozicion të favorshëm me Perëndimin. Ndonëse Karta e OKB’ve është dokument westphalian, gjatë gjysmëshekullit të kaluar dhe dekadës së parë të këtij shekulli janë krijuar dhjeta shtete që përmbysin frymën wetsphaliane (1648) sepse nuk ka një ligj suprem që i jep akëcilit shtet të drejtën që të shfarosë ndonjë pjesë të popullsisë, në emër të sovranitetit shtetëror. Dhe nisur nga kjo, dijetari amerikan Robert Kagan mendon se Westphalisë (paprekshmërisë së kufijve të jashtëm të një shteti) po i vjen fundi, sepse të Drejtat dhe Liritë themelore të Njeriut po vihen mbi të drejtën (sovranitetin) e shtetit. Për dënimin e kreut shtetëror serb në Hagë, në Kosovë kishte mendime të ndryshme dhe ndjenja të përziera, njëfarë qëndrimi ‘tallava”, sepse tërë ngjarja u përcoll me amnezi shoqërore, pra si një lajm që s’bëri kurrfarë buje mediale dhe as politike. Por pikërisht ky duhet të ishte argumenti më i fuqishëm në “mbrojtjen” e pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ngase përligj dhe përmbush një nga kushtet elementare për pavarësi të jashtme sipas principit të së drejtës për vetëvendosje që u njihet popujve të kolonizuar: Terrorin shtetëror, shkeljen masive të te drejtave të njeriut në përmasa të gjenocidit nga ana e shtetit serb, sikur edhe e bë të ligjshëm intervenimin ushtarak të NATO’s, të mbështetur në Kreun VII të Kartës së OKB’ve. Me rastin e dënimit të kreut politik, ushtarak dhe policor serb, nga TPI’ja u konstatua se ka ekzistuar një plan i përbashkët për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova i udhëhequr nga forca të kontrolluara nga autoritetet e RFJ-së dhe të Serbisë. Dhe ky plan është realizuar plotësisht ose pjesërisht (në përmasat e një gjenocidi në tentativë.) Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, vrapoi të jepte një përgjigje aluzive, që linte të kuptohej se po të shpallej pavarësia e Kosovës në kohën kur kanë ekzistuar këto premisa (aludon në kohën e Milosevic’it) do të ishte e ligjshme dhe e drejtë, por Kosova nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë!? Ndërkaq që ajo është shpallur me vonesë gati prej një dekade, pra në rrethana të tjera: “...në një Serbi demokratike, të transformuar krejtësisht dhe të orientuar drejt integrimit evropian dhe procesit të pajtimit.” Në këtë ndarje “atëherë” dhe “sot” që i bën shtetit të tij Jeremic realisht qëndron esenca e problemit, që legalizon intervenimin e NATO’s ndaj forcave serbe të sigurisë dhe vetë pavarësimin e Kosovës. Mjafton që Jeremic ia njeh këtë të drejtë Kosovës “atëherë” por atëherë, pikërisht pse kosovarët kishin deklaruar pavarësinë nga Serbia, (1991) ky shtet pothuajse kishte nisë fushatë lufte ndaj saj, me mjete gjenocidale dhe ishte e pamundur të funksionalizohej shteti i pavarur, që nuk kishte marrë njohje ndërkombëtare. Pra shteti i Kosovës ka qenë i shpallur edhe atëherë dhe argumenti i Jeremic’it përmbyset dhe e drejta e Kosovës për pavarësi përligjet, ndoshta pavetëdijshëm nga ana e ministrit serb të punëve të jashtme. Dhe sot, kur Serbia ka kërkuar të marr një mendim këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, këto argumente duhet të ndikojnë në një mendim të drejtë e te ligjshëm të mbështetur në të drejtën e popujve për të jetuar të lirë. Ndonëse në rastin e Bosnjës kundër Serbisë, Serbia nuk u ndëshkua si shtet për përfshirje në gjenocid dhe, GJND-ja nuk u mbështet në vendimet që solli TPI’ja kundër liderëve politikë dhe ushtarak të Bosnjës dhe RFJ’së së atëhershme. Prandaj mund të ndodh që as në rastin e Kosovës GJND’ja të mos i marr për bazë vendimet e TPI’së. Slobodan Milosevic, i cili vdiq në qelinë e burgut të Scheveningenit, pa famë e nishan, ishte një "hero mbi të gjithë heronjtë", kështu e cilësoi ministri serb i Infrastrukturës, Milutin Mrkonjic. Dhe kjo deklaratë e kolegut të tij, e sjell Jeremic’in në pozita plotësisht paradoksale dhe duhet t’i vlejë si kundërargumenti më i mirë, secilit diplomat apo burrë-shteti, secilit gjykatës të GJND’së, se vërtet cila ishte Serbia “atëherë” dhe cila është ajo “sot”. Por, në vend se ky dënim i merituar dhe i argumentuar nga TPI’ja t’u shërbejë, elitave politike të Serbisë së sotshme që ta dënojë krimin gjenocidal në Kosovë për ta rikthyer paqen dhe idenë evropiane, Beogradi vazhdon heroizimin e mëtejshëm të liderëve të saj fashistë. Sëkëndejmi, dënimi i kreut shtetëror nga Tribunali i Hagës për krime lufte në këtë situatë përmban konotacionin që shoqëria serbe të jetojë vërtet “sot” dhe t’i hyjë thellësisht defashistizimit. Vërtet Brukseli (posaçërisht disa shtete anëtare të bllokut, që në raport me Kosovën po ia mbajnë krahun Serbisë) po mbanë një qëndrim të habitshëm tolerant ndaj retorikave antieuropiane dhe armiqësore të Beogradit zyrtar. Kësisoj më 17 shkurt 2008, kosovarët e kanë realizuar të drejtën e vetëvendosjes së jashtme përmes Deklaratës së Pavarësisë. Kosova i ka përmbushur që të tre kushtet themelore (për ta deklaruar pavarësinë dhe për t’u njohur veç e veç nga shtetet respektabile) për të funksionuar si shtet i pavarur sipas parimit të vetëvendosjes së popujve të kolonizuar. Përfundimisht Kosova u trajtua si territor i okupuar nga Serbia (më suprimimin e autonomisë shtetërore sipas Kushtetutës së vitit 1974 më 1989); Shumica e kosovarëve kishin dhe dëshmuan një vullnet politik për pavarësi dhe kjo shumicë dërmuese e popullsisë së Kosovës (shqiptarët) kanë pasur një trajtim gjenocidal dhe terrori sistematik në shtetin e Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë së Milosevic’it, ku në kontinuitet janë shkelur masovikisht të Drejtat dhe Liritë themelore të Njeriut, ku ka pasur trajtim çnjerëzor, torturë, vrasje masive, pushkatime pa gjyq etj. Dhe duke u nisur nga trajtimi gjenocidal i kosovarëve, Serbia e ka humbur të drejtën e sovranitetit shtetëror mbi territorin e Kosovës dhe Kosova fillimisht është vënë nën një protektorat ndërkombëtar të OKB’ve e cila ka negociuar pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, kurse kjo e fundit e ka deklaruar atë dhe është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga 55 vende të botës. Pikërisht armiqësia e Beogradit zyrtar ndaj Kosovës dhe tendencat sistematike për destabilizimin e saj i jep GJND-së argumente klasike se e drejta është në anën e kosovarëve.