E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS dhe LSI, dy gjysmat e mollës së kalbur, do të rrinë edhe disa vite në opozitë”

Kryeministri i përgjigjet interesimit të gazetarëve. Injoron deklarimet e partive opozitare, PS-LSI, për koalicion

TIRANE – “Që të dyja të bindura në humbjen e tyre të sigurt, lëshojnë apele të nëndheshme dhe mbidheshme, për koalicione, por kur të shohin veshin e tyre pa pasqyrë atëherë do të bëjnë koalicion me forcën fitimtare të këtyre zgjedhjeve që është Partia Demokratike”. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha, në përgjigje të interesimit të gazetarëve, duke komentuar deklarimet mediatike të përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim se do të lidhin koalicione paszgjedhore me Partinë Socialiste.
Kreu i qeverisë tha se këto dy forca politike, mbeten gjysmat simetrike të mollës së kalbur, të cilat do të vazhdojnë të rrinë dhe ca kohë në opozitë.
“Pikëpamja ime ka qenë dhe mbetet se ato dy forca janë gjysmat simetrike të mollës së kalbur. Ato do të rrinë dhe ca kohë në opozitë. Çfarë është koalicioni që ato shpallin? Është koalicion në humbje, bashkim në humbje. Ato le të bashkohen. Duan që përgjegjësinë e humbjes ta shpërndajnë me njëri-tjetrin. Qëndrimi im është i qartë”, u shpreh Berisha.

Mandatin e ardhshëm, qeveria, zgjidhje përfundimtare çështjes së pronësisë
Kryeministri Sali Berisha konfirmoi, se mandatin e ardhshëm qeverisës, i jepet fund problemit serioz të pronësisë. Kreu i qeverisë, deklaroi gjatë një konference për shtyp me rastin e 22 marsit, ditës së shkëputjes së Shqipërisë, përfundimisht nga diktatura dhe diktatorët komunistë, duke sjellë në pushtet për ndryshimin e vendit, Partinë Demokratike, se “jemi krenar dhe të lumtur për mundësinë që patëm, që shqiptarët qenie shtetërore, i shndërrojmë në pronarë, si asnjë forcë tjetër politike”.
“Në një hark kohor prej një viti e gjysmë, ne krijuam 460 000 ferma të vogla private në Shqipëri. Në rast se ka mbetur një përqindje e problemeve të pronësisë pa u zgjidhur, mos harro se mbi 500 000 hektarë tokë bujqësore është shndërruar në pronë të qytetarëve shqiptarë. Krahas kësaj ne privatizuam dhe shndërruar në pronarë të apartamenteve të tyre 220 000 familje shqiptare. Vetëm në një vit kemi privatizuar 106 000 sipërmarrje të vogla të mesme dhe objekte shtetërore. Pra se cili ishte qëndrimi ynë ndaj pronarit shqiptar, e tregon më së miri origjina e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në vitin 1996, 86 për qind e tij vinte nga sektori privat. A ka probleme te tjera për t’u zgjidhur? Sigurisht që ka. Por çfarë ishin 8 vitet? 8 vitet ishin vitet e falsifikimit të Dajtit. Pra një mali dokumentesh falsifikimi. Ata që ndërtuan skemat piramidale, ndërtuan fabrikat e falsifikimit në Shqipëri”, u shpreh kreu i qeverisë.
Berisha u zotua se qeveria ka vullnetin e hekurt për t’i dhënë përgjigje përfundimtare problemit të pronësisë në vend.
“Mandati i dytë do të jetë mandati i zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronësisë”, garantoi shefi i ekzekutivit.  

Dy media militante të opozitës, paguan banorët e Gërdecit për të marrë pjesë në miting
Kreu i qeverisë Sali Berisha akuzoi dy media elektronike në vend, të cilat njihen si pro opozitare, nisur nga qëndrimet editoriale të tyre, se kanë tentuar të paguajnë banorët fatkeqe të Gërdecit, për të marrë pjesë në mitingun mortor të Edi Ramës.
Berisha i bëri thirrje publikisht medieve, që të lënë militantizmit partiakë, pasi është një faktor toksik për pavarësinë e tyre.  
“Të gjithë e dimë se çfarë bënë dy media në vend për një muaj rresht në Gërdec, duke shpërndarë edhe para për t’i nxjerrë burrat dhe gratë në protesta. Ndërsa ata i refuzuan këto, duke kërkuar që t’i lënë në hallin dhe problemin e tyre, në fatkeqësinë e tyre. Ju e dini se Kashari, komuna ngjitur, e cila pësoi edhe një pjesë të dëmeve, e cila pas Marqinetit, Gërdecit, ka derdh më shumë lot për shkak të lidhjeve të gjakut, familjare, në testin elektoral e nxori të katërtin kollagjerin, apo kollagjerat hipokritë të Gërdecit. Nuk mund të vlerësoni një zhvillim apo një ngjarje mbi bazën e manipulimit. Në të gjitha format e manipulimit, më i shëmtuari më çnjërëzori është manipulimi me të vdekurit. Çfarë nuk bënë disa nga përfaqësuesit politikë, për të nxjerrë në miting familjarët e të ndjerit Trebicka. Por ata nuk mund të pajtoheshin kurrë me manipulimin e njeriut të tyre të dashur”, u shpreh kryeministri.
Berisha i ftoi të gjitha mediat që të ruhen nga militantizmi.
“Militantizmi iu duhet partive, ai është një faktor shumë i rëndësishëm për partitë politike, por është një faktor toksik për pavarësinë e medieve”, nënvizoi kreu i qeverisë Berisha.   

Edi Rama të marrë letërnjoftimin në Pezë të inkurajojmë së bashku qytetarët
Kreu i qeverisë i bëri thirrje kryesocialistit Edi Rama që të marrë dokumentin e tij në Pezë dhe të inkurajojë qytetarët shqiptarë, për pajisjen me kartat e reja të identitetit.
“E ftoj kryetarin e PS të bashkërendojmë orën, në të cilën të marrim këto letërnjoftime, meqenëse nuk jemi në gjendje civile të njëjtë, se ai është në Pezë, por edhe ai nga atje dhe un nga lagjja ime në të njëjtën kohë të lëshojmë një apel shqiptarëve, për marrjen e kartave të identitetit”, u shpreh kryeministri.
Berisha tha se qytetarët do të votojnë si qytetarë të lirë të NATO-s dhe Evropës.
“U bëj thirrje vëllazërore të marrin dokumentet e reja të identifikimit, sepse janë dokumente me të cilat çdo qytetar shqiptar duhet të krenohet. Të tilla dokumente prodhohen vetëm ne 2 apo 3 vende të Evropës, ne kemi standardet më të mira. Me këto dokumente bashkë me pasaportat shqiptarët do të mundin t’i bien Evropës kryq e tërthortë. U bëj thirrje të gjitha forcave politike të inkurajojnë mbështetësit e tyre për të marrë kartat”, vuri në dukje kreu i qeverisë.

Në dhjetor të vitit ’90 kërkova anëtarësimin në NATO, në prill 2009 ulem si kryeministri i një vendi anëtar
I pyetur nga gazetarët nëse ka marrë një vendim të gabuar në jetën e tij politike dhe nëse do të kërkojë korrigjimin e tij dhe pse jo t’u kërkojë të falur shqiptarëve, kryeministri i vendit Sali Berisha, u përgjigj se “unë jam një njeri që i qëmtoj gabimet e mia dhe ky është një nga shkaqet që keni përpara të njëjtin person, që në dhjetor të viti ’90 do të kërkonte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe që në prill të vitit 2009, ulet si kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s”, u shpreh kryeministri.
“Po të kthehem në 25-30 vite para, theksoi Berisha, një nga gjërat që unë kam përçmuar më shumë në ato kohëra ishte paraqitja e lidervë si të pagabueshëm, aq sa jemi vdekatar aq jemi edhe të gabueshëm.
“Frymëzimi im ishte i pashtershëm, vjen nga Frederik Niçe, nga i cili mund të frymëzohesh që çdo ditë të tejkalosh veten tënde. Çdo të thotë kjo? Do të thotë të gjesh forcë dhe kurajë për të hequr për të kapur një horizont tjetër për të shkuar më tej. Absolutisht nuk e kam nxjerrë dhe nuk e nxjerr veten time kurrë jashtë teorisë së gabimeve, por ama në mënyrë konstante dhe të vazhdueshme bëj shqyrtimin e veprimtarisë time”, u shpreh kreu i qeverisë Sali Berisha.

Rama t’u kërkojë të falur banorëve të Tropojës, për vrasjet në kohën që ai ishte ministër i qeverisë
“Është e vërtetë që Rama ka qenë në Tropojë, por prisja që ai të kërkonte të falur”.
U shpreh kështu kryeministri Berisha, duke iu referuar vizitës së fundit të kryesocialistit Edi Rama në Tropojë.
“Ti kërkonte të falur Tropojës. Prisja që ai të shkonte në Tropojë pasi të kishte marrë ca njohuri për atë vend dhe për atë rreth. Dhe po të kishte pasur vullnetin më minimal do të gjente një gjë. Se nga fillimi i shekullit të shkuar gjer në vitin 1997 përfshirë dhe luftën e Dytë Botërore, në të cilën për hir të së vërtetës ata kanë qenë pjesëmarrës aktivë, numri i të vrarëve në Tropojë gjatë luftës është as një e katërta e atyre të vrarë gjatë kohës që Rama ka qenë ministër. Dhe janë vrarë nga uniformat e njerëzve të Ramës. Rama nuk ka qenë në ato pozicione, por Rama duhet t’u kërkonte të falur atyre nënave, atyre familjeve, për varret që hapën bandat me uniforma dhe grada policie”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij çdo vend rreth në këtë vend ka historinë e vet, por Tropoja ka një mijë e një arsye për të qenë krenar me historinë e tij.
“Në të gjitha luftërat dhe përpjekjet ka qenë gjithmonë në vend të parë, pak rëndësi ka për historinë”, tha kryeministri.
Berisha shtoi se rrethi i Tropojës po rindërtohet tërësisht, pasi ishte lënë në harresë të plotë për vite me radhë të qeverisjes së kaluar.
“Unë jam atje çdo ditë, çdo javë, çdo muaj. Ai rreth po rindërtohet tërësisht. Një rreth që ka përjetuar edhe bombardime shumë të ashpra gjatë luftës në Kosovë. Ai rreth ishte lënë në harresë të plotë”, theksoi kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›