E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Haga e padrejtë me Thaçin”, liderët politikë kritikojnë Gjykatën që nuk lejoi ish-Presidentin në varrimin e të atit

Me një ceremoni ku morën pjesë qindra persona, është përcjellë sot në Kosovë në banesën e fundit, Haxhi Thaçi, babai i ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Në homazhe morën pjesë zyrtarë të lartë nga Kosova dhe Shqipëria ndërsa reagime të shumta ka nxitur mungesa e ish-presidentit Thaçi i cili nuk u lejua nga Gjykata speciale në Hagë.

“Është një humbje e cila bëhet edhe më rëndë sidomos për shkak të mungesës së presidentit Thaçi që nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Së paku në fund të jetës së bacës Haxhi ai e pati mundësinë ta shoh edhe njëherë por besoj që është krejtësisht e padrejtë dhe e papranueshme, dhe e paarsyeshme, mungesa e presidentit Thaçi sot në varrimin e babait të tij”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi të martën pas homazheve në Skenderaj.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali tha se vendimi i Hagës për të moslejuar Thaçin në varrimin e  të atit është një padrejtësi morale që iu shtohet padrejtësive politike e kombëtare.

“Nuk i bënë nder askujt përveç armiqve të lirisë, fakti që Hashim Thaçi dhe udhëheqësit e UÇK-së janë sot në shtatë penxheret në Hagë. Si viktima të një drejtësie që po bëhet iluzion, e po shkallmon vlerat, parimet e standardet e drejtësisë. I vuri vulën me ndalimin e Hashim Thaçit për t’i dhënë lamtumirën babait të vet”, tha Spiropali.

Lajmi u bë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Gjykata e Hagës nuk ka bërë asnjë reagim.

Edhe në raste të tjera ish-krerëve të UÇK-së nuk i është lejuar pjesëmarrja nëpër ceremoni mortore, por ditë më vonë vetëm për homazhe në varreza./vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›