Hagë/ Legjitimiteti i Pavarësisë, tërhiqen dy shtete
Dy shtete janë tërhequr nga procesi i seancave dëgjimore rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Ato janë Bahreini dhe Laosi , shtete të cilat ishin regjistruar zyrtarisht për të prezantuar pikëpamjet e tyre në Hagë. Sipas orarit zyrtar të GJND-së, Bahreini duhej të dëshmonte më 3 dhjetor ndërsa Laosi ishte parashikuar të paraqiste argumenta e saj javën e ardhshme.
Bahraini është pritur të deklarohet në favor të pavarësisë së Kosovës sepse ka njohur shtetin e ri më 19 maj të këtij viti, ndërkaq Laosi do të mbronte qëndrimin serb. Agjencia e lajmeve "Telegraf" shkruan në faqen e saj të internetit se edhe pse Prishtina edhe Beogradi kanë humbur nga një aleat, Kosova në GJND ruan epërsinë me një aleat më shumë se Serbia. Për momentin nuk është bërë e ditur se kur janë tërhequr këto dy shtete nga rasti i Kosovës dhe se cila ishte arsyeja e largimit të tyre nga paraqitja e argumentave.
"Gjykata na ka njoftuar që janë tërhequr dy shtete, por nuk ka njoftuar për arsyet. As këto dy shtete nuk kanë dhënë arsyet për tërheqje, kështu që nuk kam koment për këtë", ka thënë të enjten për Express, Albana Beqiri, këshilltare për media e Ministrit të Jashtëm të Kosovës.