Hagë, nis sot procesi gjyqësor ndaj Ramush Haradinaj

Gjykata e Hagës do të nisë sërish procesin gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Në procesin gjyqësor që do zhvillohet në Hagë sot dhe nesër, do të gjykohen edhe dy bashkëluftëtarët e Haradinajt, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj.
Në seancat përmbyllëse, Prokuroria dhe Mbrojtja do të thonë fjalën përfundimtare, për t`i lënë pastaj kohën për rreth dy muaj trupit gjykues që të marrë një vendim përfundimtar për këtë rast. Vendimi përfundimtar pritet të merret në fund të muajit gusht ose gjatë muajit shtator.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës iu bashkua përkohësisht familjes së tij më 10 maj, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë, që të lirojë përkohësisht atë.
Gjatë qëndrimit disa javor në Kosovë, Haradinaj shoqërohej nga Policia e Kosovës dhe forcat e EULEX-it, pasi gjykata e liroi atë nën masa të rrepta që nënkupton lëvizje të kufizuar dhe që të mos ketë asnjë përfshirje në veprimtari politike apo dalje publike.
Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, por Gjykata e Hagës vendosi për një rigjykim të pjesshëm, i cili filloi në korrik të vitit 2010. Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj akuzohen për vrasje, torturë, si dhe për krime që bien ndesh me ligjet e luftës.