E Diel, 1 Nëntor 2026

Hagë, vazhdon gjyqi ndaj Ramush Haradinaj

Ka nisur në Hagë, seanca e radhës ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish bashkëluftëtatët e tij, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Dëshmitari i Prokurorisë, Shefqet Kabashi, në ditën e dytë të dëshmisë para Gjykatës së Hagës në rastin Haradinaj edhe dy ish bashkëluftëtatët e tij, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj ka vazhduar të mos u përgjigjet pyetjeve të prokurorit Paul Rogers, duke thënë madje se dëshmia e tij e dhënë gjatë hetimeve dhe ato çfarë ka nënshkruar më herët kanë qenë të modifikuara dhe se nuk i kujtohet asgjë nga ato.
Kabashi iu drejtua gjykatës që të ndërpresë marrjen e tij në pyetje dhe ta lënë në burg, ku sipas tij do të ishte më i lirë. Me kërkesën e prokurorit procesi kaloi në shqyrtimin e argumenteve të palëve pa praninë e dëshmitarit Shefqet Kabashi.
Ndërkohë nuk munguan replikat mes prokurorit dhe mbrojtjes. Kolegji i Gjykatës ndërpreu seancën, e cila do të vazhdoj nesër për të marrë një vendim rreth kërkesave të palëve.
Shefqet Kabashi, ish-pjesëtar i UÇK-së, është arrestuar javën e kaluar në Holandë për shpërfillje të Gjykatës së Hagës në vitin 2007, kur kishte refuzuar t`u përgjigjet pyetjeve të hetuesve gjatë dhënies së dëshmisë kundër Ramush Haradinajt dhe të tjerëve.
Shefqet Kabashi është transferuar dhe mbahet në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Hagës.
Në Korrik të vitit 2010 Haga nisi rigjykim të pjesshëm, pas ankesës së prokurorisë lidhur me vendimin e 3 prillit 2008 për lirimin e Ramush Haradinajt.
Në shkurt të vitit 2011 Haradinaj ka dorëzuar imunitetin e tij si parlamentar i Kosovës për t`iu nënshtruar gjykimit të Gjykatës së Hagës. Haradinaj mbahet në Hagë nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në krime lufte në Kosovë në vitin 1998.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›