Kosovë, EULEX dhe KFOR të pavendosur për veriun

EULEX- dhe KFOR-i kanë nisur konsultimet mes tyre rreth aksioneve të mundshme në veri të vendit. Hetimet e misionit evropian të mbështetura edhe nga forcat paqeruajtëse të NATO-s, kanë sjellë rezultate dhe prokurorët e rasteve kanë arritur të identifikojnë dhe të mbledhin prova për të dyshuarit kryesorë në dy incidentet më të mëdha që kanë pasuar dërgimin e njësitit special të Policisë së Kosovës në pikat kufitare 1 dhe 31.
Prokurorët kanë prova si për të dyshuarit në vrasjen e policit Enver Zymberi, po ashtu edhe në djegien e portës kufitare numër 1. Burimet brenda EULEX-it kanë konfirmuar për “Koha Ditore” se është identifikuar edhe i dyshuari kryesor që ka lidhje me të dyja rastet. Sipas këtyre burimeve u dyshuari është një “biznesmen”, që ushtron aktivitetin e tij edhe në kuadër të strukturave të MUP-it në veri.
Që nga e enjtja e kaluar, ekziston një plan operacional për ta arrestuar këtë të dyshuar, por lëvizjet e shpeshta të tij dhe mbështetja që ka nga komuniteti, sipas burimeve ka bërë që mos realizohet aksioni.
Sipas gazetës të njëjtat burime theksojnë se si edhe EULEX-i ashtu edhe KFOR-i janë të pavendosur se cili duhet ta zhvillojë aksionin.