E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haiti, vështirësi në dërgimin e ndihmave

Angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare, pas tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti i së martës në Haiti, po rritet. Megjithatë ndihmat humanitare dhe ekipet e shpëtimit nuk po munden të arrijnë në terren për shkak të infrastrukturës së shkatërruar. Aeroporti i kryeqytetit haitian nuk ka kapacitete për të përballuar fluksin e fluturimeve. Në Porto Prins shihen barrikada me kufoma.
Frustrimi në mesin e banorëve të Haitit po rritet ndjeshëm si pasojë e vonesave në mbërritjen e ndihmës humanitare.

Agjencitë e lajmeve citojnë dëshmitarë në vendin e ngjarjes të thonë se banorët e Porto Prinsit në shenjë proteste kanë ngritur barrikada me kufomat e të vdekurve nga tërmeti.

Ekipet e shpëtimit dhe ekipet me ndihma humanitare po përballen me vështirësi të shumta për të hyrë në Haiti. Aeroporti kryesor i vendit ka mungesë në karburantin e aeroplanëve, nuk ka hapësirë për zbarkimin e të gjitha mjeteve si dhe nuk ka një kullë kontrolli.

Nga ana tjetër porti kryesor i vendit është dëmtuar rëndë, çfarë e pamundëson dërgimin e ndihmave nga uji.

Të dhënat më të fundit nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar flasin për rreth 50 mijë viktima nga tërmeti.
Dhjetra mijëra njerëz mendohet se kanë vdekur dhe shumë të tjerë besohet se janë ende gjallë pas tërmetit të fuqishëm 7.0 ballësh që goditi kryeqytetin Haitian ditën e martë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›