Obama: Taksë përgjegjësie për bankat
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama ka lançuar taksën e përgjegjësisë për bankat duke marrë mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Presidenti amerikan, në fjalimin e shumëpritur të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, ka folur për krizen financiare duke ua adresuar përgjegjësinë institucioneve të kredive.
"është një taksë që do të qëndrojë në fuqi minimumi për 10 vjet dhe do të prekë 50 institucionet financiare më të mëdha të Shteteve të Bashkuara", ka deklaruar Obama.
Taksa, e cila duhet të marrë dritën jeshile nga Kongresi, do të shërbejë për t'i kthyer Departamentit të Thesarit ndihmat prej 90 miliardë dollarësh të programit "Tarp", të destinuara për rimëkëmbjen e bankave të prekura nga kriza vitin e kaluar.
"Sfida qëndron në rikompensimin e popullit amerikan për lodhjen dhe humbjet që ka pësuar për shkak të recesionit", ka shtuar Obama.