E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajdari apel qytetarëve: Kujdes maksimal gjatë ditëve me temperatura të larta

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Prefekti i Tiranës Shkëlqim Hajdari u bëri sot thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të rrisin vigjilencën për parandalimin e zjarreve, duke apeluar për kujdes maksimal gjatë ditëve me temperatura të larta.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Hajdari falënderoi të gjitha strukturat e angazhuara në menaxhimin e emergjencave, përfshirë shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, aviacionin, Administratën e Zonave të Mbrojtura, strukturat e emergjencave civile të bashkive, drejtoritë e shërbimit pyjor dhe vullnetarët pranë njësive administrative.

Hajdari vlerësoi punën e tyre në parandalimin dhe përballimin e vatrave të zjarrit, duke theksuar se situata kërkon ende angazhim maksimal dhe koordinim të vazhdueshëm mes të gjitha institucioneve përgjegjëse.

Prefekti u bëri apel qytetarëve të mos djegin barin e thatë, mbeturinat apo mbetjet bujqësore, të tregojnë kujdes në përdorimin e bombolave të gazit dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, si edhe hedhjen e bishtave të cigareve në natyrë apo përgjatë rrugëve.

Njëkohësisht, Hajdari kërkoi nga Policia e Shtetit të intensifikojë kontrollet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave që shkaktojnë zjarre, qoftë me dashje apo nga pakujdesia.

Sipas tij, mbrojtja e pyjeve dhe e mjedisit është një përgjegjësi e përbashkët, ndërsa bashkëpunimi mes institucioneve dhe qytetarëve mbetet thelbësor për parandalimin e zjarreve dhe mbrojtjen e jetës e të pasurisë.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›