E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hajdutët me maska grabisin në mes të ditës Exchange

kursi-kembimit-grabitjeDurrës/Skenari i menduar nga disa të rinj i ngjan historive të Holliwood-it ndërsa vetë ata të maskuar si hajdutë e të armatosur kanë arritur ti shpëtojnë forcave policore. Sipas të dhënave nga policia, katër djem të rinj të armatosur kanë grabitur në mes të ditës një agjenci të shkëmbimit valutor Exchange duke marrë në këtë biznes rreth 7 milionë lekë të vjetër, ndërsa kanë plagosur pronarin e dyqanit e më pas janë arratisur me një makinë. Ngjarja ka ndodhur pranë Pallatit të Sportit afër qendrës së qytetit të Durrësit dhe në një moment kur kishte shumë lëvizje. Kalimtarët janë terrorizuar nga pamjet shokuese të sulmit dhe autorëve të maskuar dhe me armë në dorë, teksa vunë re se pronari ishte i gjakosur nga goditjet. Paraprakisht nuk ka emra të dyshuarish dhe po kryhen hetime intensive, kurse shuma e grabitur mendohet të jetë rreth 7 milionë lekë, mes tyre edhe valutë në euro dhe dollarë. I plagosur mbeti pronari i dyqanit, Avdi Malo, i cili u dërgua në spitalin rajonal, pa rrezik jete.
Grabitja
Sulmi ka ndodhur rreth orës 16:00, shumë pranë pallatit të sportit Ramazan Ngjala. Dëshmitarët kanë parë katër të rinj me kapuçë në kokë dhe të veshur sportiv,që mbanin armë në duar. Kanë hyrë në mënyrë të befasishme në dyqan. Njëri qëndronte te dera, dy të tjerë kanë hyrë brenda dhe i katërti i priste në makinë. Grabitja nuk ka zgjatur më shumë se një minutë dhe nuk ka pasur të shtëna armësh. Pronari i agjencisë është përpjekur të reagojë duke bërë rezistencë, por autorët ishin më të shpejtë, duke e goditur me grushte dhe qytën e armëve. Në pak sekonda kanë marrë të gjitha paratë që gjendeshin në arkë duke i futur në një qese të zezë dhe janë larguar me vrap. Megjithëse i ka ndjekur nga pas i gjakosur, duke i goditur edhe me gurë, Malo nuk ia ka arritur dot që ti ndalojë. Ai ka thirrur policinë në ndihmë, por agresorët janë zhdukur me shpejtësi. Patrullat e Përgjithshme mbërritën me urgjencë dhe nisën hetime, duke ngritur postblloqe dhe marrë dëshmi. Vetë pronari i dyqanit ka dhënë karakteristikat e autorëve, ndërsa janë ofruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë. Grupi hetimor bëri me dije se Malo ka pasur një shumë të konsiderueshme në dyqan në ato momente dhe autorët mund të kenë pasur dijeni për xhiron e kryer nga kambisti. Me informacionin e sigurt ata kanë planifikuar grabitjen e shpejtë. Nga hetimet rezulton se nuk ka pasur të shtëna dhe armët sjanë përdorur. Megjithëse Malo i ka sulmuar, agresorët janë treguar gjakftohtë, duke hipur në makinë dhe arratisur me shpejtësi. Policia po heton për grabitje me dhunë në bashkëpunim, plagosje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Vetë i dëmtuari ka dëshmuar se në dyqan ka pasur të paktën 7 milionë lekë nga xhiroja ditore, një pjesë e të cilës edhe në valutë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›