Rama: Do anulojmë ligjin për importin e plehrave dhe do heqim monopolin e duhanit në vend
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama premtoi që në 100 ditët e para të qeverisjes socialiste do të anulojë ligjin për importin e plehrave. Teksa mori pjesë në një konferencë për mjedisin të zhvilluar në Elbasan, Rama e cilësoi absurd dhe kriminal vendimin e qeverisë për importin e plehrave nga jashtë.
Akuza
Një vend që mbytet kudo nëpër plehra dhe një vend që për shkak të një vendimi absurd dhe kriminal të qeverisë importon plehra nga jashtë. Këtu fillon edhe aksioni ynë i pas 23 qershorit, me anulimin brenda 100 ditëve të para të importit të plehrave në Shqipëri, do ta anulojmë ligjin dhe do vendosim bllokimin për çdo mbeturinë të importuar nga jashtë, tha Rama. Në vijim, kreu i PS-së prezantoi programin për zgjidhjen e problemit të plehrave në vend. Jemi të vendosur që tu krijojmë të gjitha bashkive dhe komunave kushtet që të fillojnë menjëherë nga puna për zbatimin e projekteve të gatshme që kanë nëpër sirtarë. Së dyti, mbështetje e drejtpërdrejt nga qeveria, qoftë me kontribute të shtetit, qoftë me mbështetje të donatorëve. Duke mbetur tek Elbasani, garantojmë që pas 23 qershorit të vdekurit e këtij qyteti nuk do jenë më nën tymnajat e reve të zeza, do ta largojmë atë mal mbeturinash nga varrezat, premtoi Rama.
Debati
I pyetur nga gazetarët për sa i përket debatit televiziv me kryeministrin Berisha, Rama tha se është i gatshëm në çdo moment. Deri tani kryeministri ka refuzuar, unë jam i gatshëm në çdo moment për të zhvilluar debatin në çdo moment, në çdo orë, çdo teme dhe çdo gazetar që zgjedh Salui, u shpreh Edi Rama. Lidhur me situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Rama tha se opozita nuk do të propozojë asnjë emër nëse KQZ nuk ndodh rikompozohet. Është e qartë se po prevalon standardi shqiptar, ndërkohë që standardi evropian është të zbatojmë ligjin që e kemi votuar bashkarish dhe të shkojmë në zgjedhje me standarde evropiane. Ne jemi të gatshëm të riformatojmë KQZ me ligjin aktual elektoral, plotësim mekanik nuk bëjmë, deklaroi Edi Rama.
Belsh, Rama: Do heqim monopolin e duhanit në vend
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama prezantoi në Belsh të Elbasanit kandidatin për deputetë, Musa Ulqini. Duke folur para mbështetësve të PS-së, Rama tha se Ulqini është personi i duhur për të përfaqësuar banorët e kësaj zone, ndërsa premtoi që gjatë qeverisjes së socialistëve do të heqë monopolin e duhanit në vend. Ne jemi të sigurt që me Musain deputet këtu ju keni fituar një fuqi të madhe më shumë. Ne nesër në qeveri do kemi një dhimbje koke më shumë miqtë e mi, sepse jemi të bindur që Musai nuk do të na ndahet për të realizuar të gjitha zotimet e veta këtu në funksion të programit të PS, por edhe për tju mbështetur të gjithëve ju për problemet tuaja, në familje, në biznesin tuaj të vogël, apo atje në fushë. Atje në fushë, ku sot ju rri si një re e zezë mbi kokë, një monopol mbi duhanin. Një monopol që ne do ta shkallmojmë, siç do të shkallmojmë të gjitha monopolet në Shqipëri për ti hapur rrugë konkurrencës së lirë dhe për ti dhënë mundësinë çdo njeriu të zakonshëm që me talentin dhe vullnetin e vet të bëhet sipërmarrës i suksesshëm, pa gjetur përpara muret e monopoleve dhe barrikadat e klientëve të pushtetit, tha Rama.