Hajri i Haxhit

Janë shumë sportistë kosovarë që i kryejnë ritet dhe obligimet fetare, si faljen e namazit, agjërimin e ramazanit etj. Mirëpo, rasti i Lindrit Misinit është i veçantë dhe i rrallë.
Mesfushori i klubit mitrovicas Trepça ‘89 në muajin nëntor të vit që po e lëmë pas e ka vizituar Arabinë Sauditë, ku në qytetin e Medinës dhe Mekës e ka kryer njërin prej 5 kushteve të Islamit, shkuarjen në Haxh.
Misini ndihet mjaft mirë që e realizoi ëndrrën e tij - shkuarjen në Haxh, dhe thotë se kushdo që ka mundësi e ka obligim që ta vizitojë vendin e shenjtë të myslimanëve - Qaben.
“Që 3 vjet unë i kryej obligimet fetare aq sa mundem. E kisha ëndërr të shkoja në Haxh, pasi që është njëra prej 5 shtyllave të Islamit. Çdo mysliman duhet ta kryejë këtë obligim, nëse ka mundësi. Një gjë të tillë e kanë bërë edhe futbollistë të mëdhenj si Franck Ribery e Nicolas Anelka. Edhe mua m’u ofrua mundësia dhe e bëra”, theksoi Misini për Express, i cili shtoi se atje është lutur për veten dhe për familjen e tij.
Jo vetëm kaq. 26 vjeçari duket se ia ka parë hairin shkuarjes në Haxh. Gjatë kryerjes së këtij obligimi ka takuar një menaxher, i cili ia ka mundësuar transferimin në futbollin e Kuvajtit.
“Tek po bisedonim me disa njerëz, më rastisi të flisja me një menaxher, i cili kërkoi informacione për mua. Pasi u ktheva në Kosovë e dërgova një CD dhe ata e pëlqyen agresivitetin tim në lojë dhe më thanë se janë të interesuar për mua” theksoi ai.
“Ka mbetur që në qershor t’u jap një përgjigje. Ekziston mundësia që ta vazhdoj karrierën në Kuvajt, pasi e konsideroj si vendin ideal. Po mendoj për këtë opsion, edhe pse për momentin jam i përqendruar te klubi aktual”, pohoi mitrovicasi i cili nuk pretendon të luajë në ndonjë klub evropian.
Misini është rritur tek Trepça ’89. Edhe pse kishte oferta, ai nuk e tradhëtoi dhe nuk ia ktheu shpinën klubit të tij të zemrës verën që shkoi. Ai kishte debutuar tek ekipi i parë që kur i kishte 16 vjet. Tani synon që me “xehetarët” të ngrihet në Superligë e më pas të vazhdojë drejt Kuvajtit.
“Unë as që po mendoja të largohesha nga klubi në ditët më të vështira të tij. Kemi rënë faqebardhë nga liga dhe dua të rikthehemi faqebardhë në Superligë. Në fillim patëm vështirësi në Ligën e Parë derisa u adaptuam. Tash të gjithë po mundohemi të përmirësohemi dhe me ndihmën e Afrim Tovërlanit, i cili, sipas meje, është trajneri më i mirë në Kosovë, besoj se do të rikthehemi në Superligë”, vazhdoi Misini.
Sipas mesfushorit kosovar, periudha 24-30 vjet është më e mira për një futbollist dhe atë po e shijon edhe vetë 26 vjeçari. Ai mendon të punojë sa më shumë dhe të përgatitet sa më mirë për eksperiencën e re që e pret në shtetin arab.
Sporti kosovar, gjegjësisht futbollit, tash e tutje do ta ketë edhe haxhinë e vet. Nuk bëhet fjalë për ndonjë imam që do t’u mbajë ders (ligjërata), por për futbollistin e Trepçës ’89 Lindrit Misini, i cili është bërë haxhi.