E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hajvalia ‘kërcënon’ Prishtinën

Xhiroja e nëntë e Superligës së Kosovës në futboll do të përmbyllet me një ndeshje shumë interesante, e cila do të zhvillohet në stadiumin e Flamurtarit prej orës 15:00, ndërmjet Hajvalisë dhe Prishtinës.

Skuadra e Emin Bajramit ka nisur ta ngre formën kohëve të fundit, ngase në tri xhirot e fundit i ka rrëmbyer pesë pikë, të cilat e kanë pozicionuar në mes të tabelës me 12 pikë të tubuara gjithsej. Posaçërisht, fitorja e fundit që e shënoi në mënyrë spektakolare si mysafire e Llamkos Kosovës, e ka ngritur motivin te Hajvalia, e cila edhe të hënën do të mundohet që me fitore ta befasojë kampionin në fuqi.

“Prishtina është klub i madh dhe shumë i respektuar. Por, do t’i duhet ta japë dhjetëfishin për të nxjerrë rezultat pozitiv ndaj nesh. Kjo pasi rezultatet e fundit na kanë motivuar dhe e kanë shtuar atmosferën e mirë në mesin tonë, andaj sfidën po e presim të qetë e me optimizëm”, u shpreh Bajrami.

Por, Hajvalia nuk do ta ketë të lehtë ta arrijë objektivin, sepse Prishtina do të mundohet të fitojë dhe t’i kthehet formës së mirë, pas krizës që e ka goditur javëve të fundit. “Pavarësisht rezultateve të fundit, ne edhe në këtë takim do të hyjmë për fitore dhe kemi shpresa të mëdha, edhe pse nuk do ta kemi lehtë, sepse Hajvalia është në formë”, tha mesfushori i njohur i bardhekaltërve, Behar Maliqi.

Një gabim eventual i Prishtinës në këtë takim mund t’i kushtojë me shkarkim trajnerit Ejup Mehmeti – Kapiti, të cilin më pas mund ta zëvendësojë Afrim Tovërlani. Andaj, Express mëson se ndaj Hajvalisë, Kapiti do të hyjë me shumë ndryshime në formacion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›