MPJ dhe MPB marrëveshje për dërgimin e atasheve policorë në misionet Diplomatike

Sipas kësaj marrëveshjeje, zyrtari ndërlidhës i MPB-së në misionet diplomatike do të dërgohet me qëllim të mbështetjes së luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar dhe formave të tjera të kriminalitetit, rritjes së bashkëpunimit policor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të tjera si dhe rritjes së efikasitetit të shkëmbimit të informacioneve zyrtare me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit.
Detyrat dhe përgjegjësitë e zyrtarit ndërlidhës janë që të mbështesë luftën e përbashkët kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të armëve, emigracionit të paligjshëm dhe pastrimit të parave, si dhe të kontribuojë në nivelin e bashkëpunimit policor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve tjera.
Përzgjedhja e zyrtarëve ndërlidhës në misionet diplomatike të Republikës së Kosovës
do të realizohet përmes një procedure në pajtim me legjislacionin e MPB-së dhe MPJ-së.
"Dërgimi i zyrtarëve ndërlidhës të MPB-së në misionet diplomatike është një hap shumë i rëndësishëm në fuqizimin e të gjitha formave të bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me autoritetet e shteteve partnere. Bashkëpunimi specifik në luftën e përbashkët kundër të gjitha formave të krimit dhe forcimi i gjithëmbarshëm i sundimit të ligjit është prioritet kryesor i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimi në këtë drejtim përmes atasheve policorë pritet të japë rezultate të rëndësishme në të ardhmen", thuhet ne njoftimin e MPJ'se.